‘Pas vendimit të GJKKO me kërkesë të SPAK, për sekuestrimin e kompanisë që ka në koncesion inceneratorin e Tiranës puna në Landfill nuk do të ndikohet aspak. Mesa duket Bashkia do të jetë kliente e shtetit në lidhje me sjelljen e tonalatave të mbetjeve që do të vijojnë të vijnë këtu si normalisht”

Në Sharrë puna nuk ndalet.

Si çdo ditë tonaleta me mbetje nga Tirana por edhe bashki të tjera depozitohen edhe sot.

Sekuestrimi i kompanisë e cila e menaxhon landfillin e Tiranës, Integrated Energy B.V SPV”, nuk do të ketë asnjë efekt në procesin e pastrimit të kryeqytetit.

Mbetjet do të mblidhen siç ka ndodhur deri më tani dhe Bashkia e Tiranës do të vijojë të jetë kliente këtë herë e një shërbimi që menaxhohet nga shteti.

Njëjtë siç përdoret në Inceneratorin e Elbasanit, edhe ai i sekuestruar, Bashkia do t’i bëjë pagesat në llogaritë që do të menaxhohen nga përfaqësues publikë.

Lajmin për sekuestrimin e kompanisë e ka mirëpritur edhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, i cili akuzon për baltë mediatike të subvencionuar nga politikanët ‘non grata’

“Histeria e portaleve të baltës tregon vetëm që baltaxhinjtë e udhëhequr nga ‘Non Gratat’ s’e kanë marr vesh akoma që jemi në epoke tjetër! Sekuestrimi dhe heqja nga duart e subjektit privat të impiantit të mbetjeve të Tiranës si rezultat i hetimeve të SPAK është mëse i mirëpritur në rrugën e zbardhjes së veprimtarisë së paligjshme të kujtdo që ka abuzuar në dëm të interesit publik”- shkroi Veliaj

Që puna për pastrimin e qytetit do të vazhdojë pa asnjë ndikim e konfirmon edhe vetë kryebashkiaku.

“Bashkia e Tiranës ndërkohë do të vazhdoje pa u ndalur punën për një Tiranë që sot është pasqyrë pastërtie edhe si rezultat i transformimit të Sharrës nga një kancer urban në një fushë sanitare me standardet e duhura mjedisore. Koha punon për Tiranën dhe Shqipërinë Evropiane, jo për kandilet e Non Gratave që do të shkojnë drejt shuarjes- vijoi Veliaj.

Bashkia Tiranë paguan për rreth 1 ton mbetje, 29 euro. Në Tiranë gjenerohen rreth 700 tonë mbetje në ditë.

Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK ka firmosur vendosjen e sekuestros preventive ndaj kompanisë “Integrated Energy B.V. S.P.V.” sh.p.k”, që është kompania koncesionare e inceneratorit të Tiranës si dhe të gjitha pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të kësaj kompanie. Sipas SPAK ka rezultuar se Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë pronarët e vërtetë të shoqërisë “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k, Opozita e akuzon Veliajn si përgjegjësin kryesor të çështjes së inceneratorëve.