Për opozitën sot, nuk është më cështja si të fitojë zgjedhjet. E ka të qartë, që nuk i fiton dot. Mundohet të artikulojë e sforcuar idenë e fitores, por me veprimet që bën, po përgatit terrenin pas humbjes. Basha, pas cdo pyetje që i bëhet, përsërit të njejtën përgjigje me ndryshim brenda. Buzën ia plasi edhe ekstremistëve të opozitës, të cilët edhe ata, kanë filluar të ndërtojnë strategjinë si të justifikojnë humbjen dhe dhunën, që mezi presin pas 25 prillit. Nga mëngjesi deri në darkë, Lulit, Monikës dhe Metës, u bëhet pyetja absurde: c’do bësh po humbe? Po të shohësh gjestet, gjuhën e trupit, nervvozizmin, duket sikur pyesin: po luftë, luftë a do bëni?
Cfarë bëhet në fakt, në një vend demokratik, kur humb zgjedhjet? Natyrshëm, kalohet, ose vazhdohet në opozitë. Përse ka nevojë për këtë pyetje dhe përse në atë formë që bëhet? Ku është pyetja normale që i bëhet një lideri partie kur humb? A do largoheni nga drejtimi i partisë? Aq më tepër kur bëhet fjalë për Lulëzim Bashën, që ka humbur dy palë zgjedhje. Sigurisht, që askush, nuk mund të priste, që ai të fitonte zgjedhjet pas 4 vitesh në opozitë, por pas zgjedhjeve të dyta të humbura, ai nuk duhet të ishte më aty ku është. Sot, turpërisht, pas 8 vitesh në opozitë, po hyn në zgjedhje me 35% të elektoratit!
Nuk pyetet, a do ikësh më në fund, sepse nuk e bën dot këtë punë, por pyetet e stërpyetet, a do bësh luftë, sepse popullit i ka ardhur në majë të hundës. Cilit popull? S’ka asnjë dyshim, që 35% të elektoratit i ka ardhur në majë të hundës. Në Amerikë, zgjedhjet ndahen vetëm me 1%, dhe cdo katër vjet, 49% të elektoratit i vjen në majë të hundës me partinë në pushtet. Por ditën pas zgjedhjeve, të gjithë vazhdojnë punën dhe jetën normalisht.
Këto janë rregullat e demokracisë, kush fiton më shumë vota, merr pushtetin. Pyetjes luftënxitëse, Basha ka filluar ti përgjigjet me belbëzime për presionin që po i bëhet votuesve të djathtë. Një ide kjo, për t’u përdorur në datën 26. Nga ana tjetër është “skifteri” Meta, që ka dy vjet, që lufton me sorrat imagjinare. E ndërsa fati i Bashës dihet pas humbjes, Meta po mendon se po i vjen rradha për të marrë në dorë opozitën. Ka kohë që është agresiv dhe nervoz. Ka zgjedhur së fundmi të kopjojë strategjinë e Trump-it para zgjedhjeve,i cili egzagjeronte votat kolegjiale që do fitonte. “Opozita merr 90 mandate”, deklaroi Meta dje. Të kopjosh strategji, nuk ka asgjë të keqe. Por, lërja në dorë Metës të kopjojë strategjitë e dështimit. Zgjedhjet në Amerikë i fitoi Biden, Trump sot luan golf fushave të Floridës. Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve amerikane, pati trazira dhe një grusht protestuesish mësyne zyrave të Kongresit. Kjo është një njollë e zezë në historinë e Amerikës, që coi autorin e rrëmujave në impeachment, dhe protestuesit e dhunshëm drejt burgjeve. Shqipëria e ka të mbushur historinë e saj 30 vjecare me njolla të tilla. Justifikimi që vjen nga ekstremistët, se kështu u bë edhe në Amerikë, ështe i padobishëm.
Meta flet për popullin që ka mbrapa (4%), për ata që do ti pijë e zeza dhe plot e plot shprehje bajate, që një zot e di nga i ka mbledhur.
Edhe satiristët më të mirë, nuk do mund të krijonin dot një personazh si Ilir Meta. Sikur Shqipëria të kishte komeditë e orëve të vona, producentëve, nuk do tu duhej shumë të mbushnin porgramet. Por, sot për sot, rolin e komedive e luajnë debatet televizive. Budallallëku ka marrë dhenë, sic ka marrë dhenë formula, një gazetar-një emision. Rama i satirizon, pa qenë kurrë banal, pa rënë kurrë në nivelin e tyre, pa nxitur kurrë dhunën. Satira e Ramës quhet dhunë! Dhuna e vërtetë, ajo verbale dhe fizike, luftënxitja, dëshira e zjarrtë për rrëmuja dhe trazira, quhet normale! Rolin kryesor në këtë tragjikomedi e mban cifti Meta – Kryemadhi. Kudo që shkojnë, ngado që dalin, flasin përcart! Hapin gojën dhe nisin të flasin, pa u menduar ku do përfundojnë.
Pastaj ndalojnë në ngërc, se nuk u del as mendimi, as fjala. Ligjërimi i tyre është i cunguar me fjali pa kokë e pa bisht, fjali që nuk mbarojnë kurrë, që shoqërohen me pasthirrma, britma, zanore të theksuara, mimika fytyrash të shtrembëruara. Nuk e paskemi ditur sa të cekët paskan qenë! Gjithë këto kohë në publik, nuk paskan mësuar, as si të flasin. Humbja e pushtetit ja ka prishur qetësinë paq. Deri kur kishin një cope pushtet, nuk u duhej të flisnin kaq shumë. Janë kthyer në një cift humoristësh. Ata, as me njëri-tjetrin nuk bien dakord më. Cfarë thotë njëri në mëngjes, nuk e thotë tjetra në darkë. Janë gati ta bëjnë hasha sho-shoqin, bëjnë sikur s’kanë lidhje politikisht, packa se presidenti po mundohet me mish e thonjë e raki, të shpëtojë bisnesin e familjes, që po falimenton dhe, që gruaja ia rrëzoi përtokë për më pak se dy vjet.
Ata flasin për blerje votash dhe korrupsion, kur të vetmit deri tani, të kapur me presh në duar, janë pikërisht ata. Ashtu si para zgjedhjeve të fundit lokale, Meta po mundohet të përgatisë terrenit për mosnjohje rezultati dhe rrëmuja. I dëshpëruar për të gjetur arsye dhe shkaqe të tensionojë situatën, ai dhe opozita esktremiste kapen si i mbytyri pas flokëve, sa pas të dhënave personale, sa pas atyre që zihen për të parkuar makinat. Deri në 25 prill, do dëgjoni plot nga këto. Edhe sikur, diku ndonjë nuse të zihet me vjehrrën, faji është i Ramës dhe pushtetit, që meqë ra fjala, vazhdon të vaksinojë shqiptarët.
Një opozitë që po fiton, nuk do kishte arsye të gjente shkaqe për humbjen. Vetëm katër ditë para zgjedhjeve, opozita po përpiqet të justifikojë humbjen dhe mazhoranca po mendon përtej fitores. Zgjatja e dorës për bashkëpunim nga Rama, ashtu si cdo gjë tjetër, nga media shqiptare, u keqinterpretua pa rënë ende në tokë. Diversion, ishte britma e parë. Rama po humb zgjedhjet, pasoi britmën. Nëse Rama, nuk do të ishte i bindur në fitoren e zgjedhjeve, nuk do të kishte cfarë të ofronte. Shumë herë e ka deklaruar pa hezitim, publikisht, se nëse humb, do të largohet. Por, i bindur që do të fitoje, pas 8 vitesh në pushtet dhe një periudhe të gjatë në politikë, ky është një moment reflektimi edhe për kryeministrin. Reflektim për të bërë disa gjera ndryshe. Kanë kaluar tashmë 30 vjet të vështira tranzicioni në Shqipëri, të mbushura me konflikte dhe kontestime.
Tetë vitet e Ramës në pushtet, janë edhe tetë vitet e një opozite destruktive, që mbushte sheshet dhe studiot me thirrje për luftë, qoftë edhe kur ndërtohej një park, a lulishte. Rama sot ka experiencën, pjekurinë dhe luksin, si fitues i sigurt i zgjedhjeve të 25 prillit, të kërkojë normalizimin e situatës politike në Shqipëri, ku palët janë kundërshtarë, por jo armiq. Secili në llogoren e vet, por me misionin për ti shërbyer vendit. Nuk është aspak komode, për këdo që do të ishte në pushtet, të ketë një opozitë rrugëve të Shipërisë duke nxitur trazira dhe rrugëve të Evropës, duke sharë Shqipërinë. Shqipëria ka nevojë për reforma të mëdha, që kërkojnë një shumicë parlamentare më të madhe se minimumi për të fituar pushtetin.
E tillë ishte reforma në drejtësi, e arritur vetëm pas presionit të jashtëzakonshëm të Amerikës mbi opozitën. Reformë, që Meta përbetohet ta zhbëjë, Luli hesht dhe të pozicionuarit mediatike me opozitën, keqinterpretojnë ngadalësinë dhe pengesat me dështimin. Shqipëria ka nevojë që jo vetëm reforma në drejtësi, (që nuk do të kishte filluar kurrë nëse Meta dhe Berisha do të ishin në pushtet), të vazhdojë, por reforma të tjera të mëdha të fillojnë. Shqipërisë i duhet të zgjidhë cështjen e pronave, që tërhiqet zvarrë qysh kur komunizmi u përmbys. Shqipëria ka nevojë të hyjë në BE, që është një proces jo vetëm reformash, por dhe imazhi. Shqipëria ka nevojë për normalitet, kur të zgjedhurit nga populli, i shërbejnë popullit dhe interesave kombëtare. Bashkëpunim nuk do të thotë domosdoshmërisht bashkëqeverisje. Por edhe nëse fjala vjen ministria e integrimit i lihet opozitës, nuk do të ishte fundi i botës, përkundrazi do ishte, fillimi i një bote tjetër.
Biden e ngriti gjithë fushatën e tij mbi idenë e bashkimit të amerikanëve të përcarë dhe të uljes së tensioneve. Menjëherë pasi fitoi zgjedhjet, i hyri punës për të miratur paketën ekonomike për pandeminë. Priti një muaj republikanët ti bashkoheshin. Nuk ndodhi. E kaloi paketën duke përdorur të gjitha mjetet demokratike dhe të gjitha të drejtat, që i kishte fituar me votë. Në fund të ditës, u tha amerikanëve, që po, kam shumë dëshirë të bashkëpunoj me palën tjetër, por kam ardhur për të qeverisur dhe për të mbajtur premtimet ndaj elektoratit që më dha votën. Kaq e thjeshtë është demokracia.
Presidentët amerikanë historikisht në mes të mandateve, ose qysh në fillim të tyre, mund të mos kenë shumicën në Kongres për të kaluar ligje dhe reforma, por për cështje madhore bien gjithmonë dakord. Kabineti qeveriar kërkon aprovimin e Kongresit, edhe kur shumicën e tij e ka opozita. Kabineti miratohet, sepse presidentit të zgjedhur me votë i duhet të fillojë punën. Imagjinoni sikur ky sistem të aplikohej në Shqipëri! Meta, me një rol pothuajse honorifik, pa pasur asnjë të drejtë mbi zgjedhjen e kabinetit të Ramës, lajthiti, duke mos miratuar ministrat dhe duke shkelur kushtetutën. Me sistemin amerikan, asnjë lloj qeverie në Shqipëri, nuk do të kishte mundësi të kryente asnjë punë. Edhe pa një sistem të tillë, asnjë lloj qeverie në Shqipëri, nuk e ka të lehtë të fillojë a mbarojë punët për të cilat është votuar. Opozita kundërshton, jo sepse ka në mendje të mirën e popullit dhe të atdheut, por me synimin e bllokimin të gjithckaje që bën kundërshtari.
Demokraci nuk do të thote që ti merret leje opozitës edhe për të prishur një ndërtesë që po bie. Leja i është marrë popullit, i cili ka dhënë votën dhe e ka aprovuar lejen paraprakisht. Bashkëpunimi është i domosdoshëm, por qeverisja edhe më e domosdoshme. Ndryshimi, që Basha, as i di kuptimin, as e artikuon dot, po artikulohet nga Rama, për ti ardhur në ndihmë vendit, por edhe Bashës. Opozita e të cilit sot, flet sikur do fitojë, por vepron sikur do humbasë!