Regjimi iranian ka krijuar një celulë spiunazhi në ambasadën e saj në Shqipëri, kundër anëtarëve të opozitës iraniane, të njohur ndryshe me emrin Organizata Popullore Mojahedin dhe banorëve të Kamp Liberty, të cilët janë vendosur në vendin tonë.

Këtë alarm e jep Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit në faqen e saj zyrtare. Bëhet fjalë për një pjesë të anëtarëve të kësaj organizate, të cilët me ndërmjetësimin e OKB-së rreth 2 vite më parë kanë përfituar azil politik në Shqipëri.

Këshilli Kombëtar i Rezistencës iraniane shkruan në faqen e tij se krerët e regjimit dhe agjentët e tyre nuk po kërkojnë thjesht zhvendosjen e muxhahedinëve, por shfarosjen e tyre. Në kontekstin e kësaj politike, liderët e regjimit iranian kanë kërcënuar vazhdimisht disa vende që të mos pranojnë në vendet e tyre anëtarë të PMOI.

Kjo ndodhi edhe kur Shqipëria përpara 2 vitesh strehoi disa muxhahedinë. Por nuk u mjaftua me kaq. Një vit më parë, regjimi iranian dërgoi në Shqipëri nën petkun e diplomatit një nga agjentët e saj Fereydoun Zandi Aliabadi të cilin e emëron sekretar ambasade, një detyrë diplomatike që i jep mundësinë atij të kryejë i qetë punën e tij për ekzekutimin e kundërshtarëve të regjimit.



Redaksia Online
(g.f/shqiptarja.com)