Opozita kundër dialogut për veriun

Opozita kundër dialogut për veriun
Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kanë garantuar lëvizjen “Vetëvendosje” që nuk do të dorëzohen kundrejt asnjë presioni ndërkombëtar për t’u bërë pjesë e bisedimeve të mundshme politike Kosovë-Serbi për t’i dhënë zgjidhje veriut të Kosovës, shkruan e përditshmja "Koha Ditore" .

Dje, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti, u ka bërë thirrje këtyre dy subjekteve që të mos bëhen pjesë e, siç e ka quajtur ai, valles për veriun.

Anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Vjosa Osmani, ka thënë se subjekti që drejtohet nga Albin Kurti nuk ka nevojë që t’i dërgojë thirrje LDK-së për punën e bisedimeve eventuale me Serbinë dhe se asnjë presion nga askush nuk mund të bëjë që kjo parti të bëhet pjesë e ndonjë trupi që do ta negocionte temën e veriut. 

“LDK-ja tashmë e ka marrë vendimin e vet, i cili është diskutuar në të gjitha organet drejtuese të partisë dhe kush kërkon nga ne që të veprojmë ndryshe ne nuk do ta ndryshojmë mendimin: nuk do të jemi assesi pjesë e koalicioneve apo grupimeve politike që do të bëjnë dialog për veriun”, është shprehur ajo për "Koha DItore".

Sipas saj Qeveria e udhëhequr nga Hashim Thaçi deri më tash ka marrë shumë vendime të dëmshme për vendin dhe se të njëjtën gjë është e mundshme që ta bëjë edhe me veriun.

Edhe anëtari i Kryesisë së AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se AAK  ka treguar që nuk e ka në plan që të hyjë në koalicion me PDK-në e as për të negociuar veriun. Ai gjithashtu ka thënë se partia ku është anëtar e ka dëshmuar në dekadën e fundit se nuk bie asnjëherë pre e presioneve.

“Qëndrimi ynë është se veriu është Kosovë dhe të gjitha koncesionet dhe të gjitha aranzhimet janë bërë me Pakon e Ahtisaarit”, ka thënë Tahiri nga AAK.

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti, të shtunën në një konferencë për shtyp ka thënë se në rast se subjektet opozitare nuk bëhen pjesë e “valles” për veriun, atëherë një gjë e tillë do t’ia vështirësonte shumë kryeministrit Hashim Thaçi që vetëm me koalicionin e udhëhequr nga Behgjet Pacolli të hyjë në negociata. 

/rg/shqiptarja.com/

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Nga kamerier në Mykonos, në mikpritës turistësh në Fishtë

Nga kamerier në Mykonos, në mikpritës turistësh në Fishtë