Opozita kundër dialogut politik me Serbinë

Opozita kundër dialogut politik me Serbinë
Subjektet polike opozitare në Kosovë e kundërshtojnë idenë e krijimit të një Ekipi të Unitetit për bisedimet politike me Serbinë, që janë paralajmëruar të nisin në tetor të këtij viti, shkruan e përditshmja Koha Ditore.

Sipas deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish - ministrit të Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, konsensusi politik për çështjet shtetërore do të sillte rezultate pozitive. Mirëpo, shkruan më tej Koha Ditore,  Hyseni e sheh të panevojshme që në kuadër të konsensusit të krijohet një trup mbi institucionet e Kosovës për dialogun me Serbinë.

“Të kërkosh konsensus nuk do të thotë të krijosh trupa mbiinstitucionalë, sepse sot Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe ka institucionet e veta dhe ka organet që marrin vendime. Ka qenë çështje tjetër para shpalljes së pavarësisë, kur Kosovës i është dashur një trup mbipartiak përtej ambicieve individuale politike dhe është bërë si është bërë”, ka thënë Hyseni për “Express”.

Çështja kyçe, që sipas tij duhet të definohet para se të hyhet në bisedimet me Serbinë, është ajo si po hyhet në dialog.

“Deri më tani ka pasur dialog ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, por jo Republikës së Kosovës me Republikën e Serbisë”, shton ai. “Unë shpresoj që Qeveria e Kosovës do të jetë mbushur mend dhe do të ulet ta rishikojë komplet çështjen e dialogut”.

Të gatshëm për konsensus politik janë shfaqur edhe zyrtarë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Sipas Burim Ramadanit, vendi më i përshtatshëm për arritjen e këtij konsensusi është Kuvendi i Kosovës. Por, opozitarët nga Lëvizja Vetëvendosje kanë një qëndrim krejt ndryshe. 

Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë i nismes qytetare Vetëvendosje, Xhelal Sveçla, të parën ndër kërkesat  e ka radhitur njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë.

“Ndryshimi i Kushtetutës serbe në pjesën ku thuhet se Kosova është pjesë e Serbisë, kërkim falje Kosovës për krimet ndaj shqiptarëve përgjatë gjithë shekullit XIX e XX. Serbia duhet të na i dorëzojë kriminelët serbë të luftës, të na i kthejë trupat e rreth 1800 të pagjeturve, të na i paguajë dëmet e luftës dhe të okupimit, ta ndërpresë dhunën sistematike, diskriminimin, shtypjen dhe terrorin ndaj shqiptarëve autoktonë në Luginë të Preshevës, ta pushojë financimin e strukturave të saj në Kosovë, t’i kthejë depozitat bankare të qytetarëve të Kosovës, fondin pensional, librat kadastralë dhe ata të amzës, artefaktet kulturore, që të gjitha këto të plaçkitura, si dhe t’i kapë ata dhjetëra mijëra kriminelë serbë të luftërave të viteve ´90 që shëtitën të lirë e të pacenuar nga prokuroria e shtetit”, ka thënë Sveçla.

Në rast të mosplotësimit të tyre, Vetëvendosjet ka paralajmëruar kundërshtime të ashpra të bisedimeve me Serbinë.  

/rg/shqiptarja.com/

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Dedikim për vajzën që do të vijë në jetë, Bardhi: Emrin do ta zbuloj te kënga

Dedikim për vajzën që do të vijë në jetë, Bardhi: Emrin do ta zbuloj te kënga