Lorenc Vangjeli: Opozita kundër Presidentit me dyfek që qëllon nga qyta

Lorenc Vangjeli: Opozita kundër Presidentit me dyfek që qëllon nga qyta

Gazmend Bardhi e Lulzim Basha në parlament, 14 shtator 2023

Ka shumë beteja në politikë që do ta kishin të garantuar suksesin nëse nuk do të shpalleshin fare. Ka të tjera që shpallen vetëm e vetëm sepse fitore konsiderojnë justifikimin e hunbjes. Në të dy rastet, mekanizmi që vë në punë ndeshjen ndërtohet sipas parimit “Lëvizja gjithçka, rezultati asgjë!”.

Sfida që shpalli demokrati Gazmend Bardhi të enjten e Kuvendit kundër Presidentit të Republikës për të dërguar në Gjykatën Kushtetuese dekretin për ministrin e ri të financave e mban paradhënie në xhep edhe disfatën, edhe shpjegimin pse ndodh disfata: Gjyqtarët kushtetues i ka blerë Rama! Do t’u japë me ligj 35-40 mijë euro në vit në bordero, për çdo vit të mandatit të tyre.

Ka shumë kohë tashmë që kaosi në opozitë e ka shmangur atë nga detyra themelore e ekzistencës së saj që është qortimi i qeverisjes. Edhe kur e bën, e bën në mënyrë lineare e kaotike, duke barazuar pabesueshmërisht ne një ditë edhe ndeshjen në familje për kreun e grupit parlamentar, edhe retorikën për rrogat e gjykatësve kushtetues, edhe dekretet e presidentit, edhe makthin antiSpiropali, duke anashkaluar, për shembull, debatin real për sistemin e pensioneve. Qoftë dhe një e enjte e vetme në parlament e jep të qartë rreshtimin e opozitës në transhe duke përdorur dyfekë që qëllojnë nga qyta, që në çdo rast, viktimat i lënë sërish në të njëjtën llogore.

Edhe këtë herë, opozita ka zgjedhur shënjestrën e gabuar në funksion të një shënjestre të ligjshme. Në këtë sfidë të re, të shpikur nga hiçi i formalitetit, në thelb, sulmohet presidenti Begaj, por synohet Rama.

Opozita premtoi se do të kërkojë përputhshmërinë me Kushtetutën në gjykatë për emërimin e ministrit të ri të financave. Pretendimi i ngritur është se zyra e presidentit ka gabuar me dekretimin e Ervin Metes si ministër sa kohë ai ishte kryetar i Autoritetit të Mbikqyrjes Financare. “Ministri nuk mund të ushtrojë asnjë veprimtari tjetër shtetërore…”, neni kushtetues i cituar duket se i jep fishekun e duhur dyfekut të betejës së radhës, por ai është i pamjaftueshëm për të dhënë goditjen fatale sepse ky nen duhet të lexohet në harmoni me të tërën. Neni tjetër që përcakton se “Para fillimit të detyrës… ministrat betohen para Presidentit të Republikës”, dëshmon momentin që individi merr realisht funksionin e ri. Shkaqet që do ta vendosnin ministrin e financave në kushtet e papajtueshmërisë me funksionin e ri, do të ishin të njëjta me ato të deputetëve, siç urdhëron kushtetuta dhe detyra e kreut të AMF-së, nuk bën pjesë ndër to. Për më shumë, pothuaj një vit më parë, vetë Gjykata Kushtetuese është shprehur se “Kur nuk ka shkaqe që ndalojnë dikë të bëhet ministër, Presidenti do ta bëjë emërimin që i kërkohet nga Kryeministri, ndryshe Presidenti do të përfshihej në jetën politike”.

Ky është vetëm një shpjegim i pjesshëm juridik sepse argumenti politik e nxjerr edhe më zbuluar kotësinë e një akti të tillë. Të frustruar nga kaosi brenda partiak dhe të yshtur nga ideja e një opozicioni reaktiv të llojit: çdo gjë që vjen nga kundërshtari është e gabuar, opozita gabon në zgjedhjen e shënjestrave të saj në luftën totale e pothuaj gjithmonë kuturu që bën në të përditshmen e saj. Presidenti i Republikës është rasti i klasik i armikut në dispozicion vetëm sepse opozita refuzoi të ishte vitin e shkuar bashkaksionere në zgjedhjen e identikitit të kreut të shtetit. Vota socialiste për doktorin Begajn, gjeneral në spaleta, i hapi rrugë komplekseve për të parë armiq edhe në zyrën që normalisht do të duhej ta shihnin si pikë ekuilibri mes pushteteve legale dhe morale në vend, ku ata mbeten miniramce tronditëse Egzaktësisht e njëjta gafë që socialistët bënë dikur me ish-presidentin Nishani që në fillim mohuan ta njohin dhe më pas i shkuan në zyrë jo thjesht për kafe, por për nevojë.

Një mendje e urtë do të duhej që të paktën politikisht, në mos do të vendoste paqe të përkohshme, do të refuzonte të qëndronte në gjendje të përhershme lufte me gjithkënd, përfshi edhe zyrën e Presidentit të Republikës. Në të kundërt, herë duke trokitur nga larg në derën e Begajt për ta bërë me zor opozitar, herë duke i kërkuar të jetë dora për të nxjerrë hallet e tyre nga zjarri dhe herë duke pritur që t’u hapet dera që e gjuajnë kot më më kot me gurë, opozita nuk ka të qartë as funksionin dhe as përfitimin konkret që do të kishin nga një zyrë që është gati e obsesionuar të ruajë paanshmërinë e saj ndaj palëve politike.

Nuk ka mallkim më të madh për një ushtri në kaos, ende në kërkim të komandatit legjitim, sesa të shpallë beteja të reja, ku i vetmi sukses i garantuar është shpjegimi i humbjes për shkak të “hiles” së kundërshtarit që nuk mundin dot. Gazmend Bardhi është ndoshta nga të vetmit opozitarë që ka një bilanc real në ndeshjen me maxhorancën, por kësaj radhe ka gabuar adresë. Viktimë e suksesit të tij, fiks në ditën kur Berishën e tij të rigjetur e quajtën snajper të marrë me qera, ai zgjodhi të qëllojë mbi presidencë me një dyfek që qëllon nga qyta. Që nuk dëmton shënjestrat e premtuara, por vetë pushkatarin e nxituar.

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë