7 ditë pasi KQZ kërkoi propozime konkrete, për zonat në të cilat do të implementohet projekti pilot i votimit dhe numërimit elektronik, opozita ende nuk ka asnjë sugjerim

Të kontaktuar nga Report Tv, krerët e partive të vogla opozitare thonë se ende nuk kanë një propozim konkret se në cilat zona duhet të zbatohet projekti-pilot, i dakordësuar në marrëveshjen e 5 qershorit, por e shohin implementimin e votimit dhe numërimit elektronik si një garanci për zgjedhjet e 25 prillit.

Partia Demokratike, nuk ka një përgjigje ndaj interesimit të Report Tv, nëse i është përgjigjur Kërkesës së KQZ e cila, më 29 dhjetor të vitit të shkuar, i kërkoi 8 partive politike, përfshirë edhe selisë blu, si partia më e madhe opozitare, sugjerime konkrete se cilat janë zonat zgjedhore ku duhet zbatuar projekti.

Teknologjia në zgjedhje ka qenë një çështje e kërkuar me ngulm nga opozitarët jashtë parlamenti, por sa më i vonuar të jetë propozimi i tyre aq më shumë ngushtohen afatet për të bërë të mundur realizimin e kësaj risie në zgjedhjet e 25 prillit, ndërkohë që identifikimi biometrik do të shtrihet në të gjithë vendin.

Ndërkohë  partitë opozitare kanë intensifikuar takimet mes tyre për të vendosur përfundimisht sesi do të shkojnë në zgjedhje. Basha priti këtë të martë në selinë blu Fatmir Mediun e republikanëve, për të diskutuar lidhur me mënyrën sesi do të organizohet Opozita e Bashkuar në kushtet e heqjes së koalicioneve. Vendimi final pritet të merret brenda këtyre ditëve, e po ashtu shefi i demokratëve pritet caktojë drejtuesit e qarqeve dhe të nisë takimet në bazë.