Opozita parlamentare i ka kërkuar zyrtarisht Kuvendit zëvendësimin e Rudina Hajdarit në komisionin  për reformën zgjedhore me Myslim Murrizin. Report Tv ka zbardhur letrën  dhe firmat ku kërkohet shkarkimi i saj pasi firmosi marrëveshjen për zgjedhoren, të cilën opozita parlamentare nuk është dakord dhe në vend të saj kërkojnë të vendosin Myslim Murrizin.

Kjo nisëm e grupit parlamentar demokrat është mbështetur edhe nga dy grupet e tjera të opozitës parlamentare që drejtohen nga Nimet Musai i grupit parlamentar 'i Pavarur' dhe Edmond Stojku i grupit 'Demokraci dhe Drejtësi' në parlament.

Letra i është dërguar kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi më 11 qershor 2020, ku tre grupet parlamentare opozitare i kanë propozuar Kuvendit që në Komisionin e Posaçëm të Reformës zgjedhore  t’i përfaqësojë Myslim Murrizi.

Kjo është një tjetër 'goditje' që Rudina Hajdari merr nga grupi i saj parlament, ku pas shkarkimit si kryetare grupi, opozita parlamentare ka kërkuar që ajo të largohet edhe si bashkëkryetare e Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore.

Kjo u konfirmua dhe nga vetë Myslim Murrizi para 4 ditësh pas takimit të komisionit për reformën zgjedhore, i cili tha se Hajdari nuk mund të përfaqësojë më opozitën parlamentare pasi ka firmosur një marrëveshje që nuk janë dakord dhe nuk e votojnë në kuvend.

Opozita parlamentare kërkon lista të hapura, ndryshim të sistemit zgjedhor dhe moslejimin e koalicioneve parazgjedhore ndërsa nuk pranon që ta votojë këtë reformë po nuk u pasqyruan edhe kërkesat e saj. Megjithatë brenda opozitës parlamentare nuk kanë munguar përçarjet, ku Artur Roshi, Besnik Troplini dhe Kostaq Papa tërhoqën firmën e tyre, pasi nuk ishin dakord me pikën e moskrijimit të koalicioneve parazgjedhore, ndërsa 11 deputetë të tjerë të opozitës parlamentare të dalin me 8 propozime të reja mbi Kodin e ri Zgjedhor dhe ndryshimet në Kushtetutë.