Drafti/ Opozita parlamentare draft për ndryshimet kushtetuese: Lista të hapura dhe jo koalicione parazgjedhore

Drafti/ Opozita parlamentare draft për ndryshimet kushtetuese: Lista të hapura dhe jo koalicione parazgjedhore

Opozita Parlamentare e cila kushtëzon votimin e reformës zgjedhore hedh hapin e radhës duke propozuara një projektligj për ndryshime kushtetuese.

Në draftin e siguruar nga Report tv opozita e re kërkon lista të hapura të kandidatëve, një prag prej 5% të votave, që forcat politike duhet të marrin, para se të përfitojnë mandate parlamentare, si dhe ndalimin e koalicioneve parazgjedhore.

Kërkesa është paraqitur si e mbështetur nga tre grupet opozitare në Kuvend, por jo të gjithë deputetët e pakicës kanë qenë dakord. Disa prej tyre nuk kanë pranuar ta firmosin shkresën, duke pasur rezerva për pragun prej 5% si dhe ndalimin e koalicioneve parazgjedhore.

Në thelb të kësaj kërkese janë ndryshimet kushtetuese për ndryshimin e sistemit. Kryeministri Edi Rama pas takimit me opozitën parlamentare tha se kërkesat e tyre janë legjitime pasi mbështeten edhe nga një pjesë e qytetarëve.

Edhe përfaqësuesi politik i mazhorancës në këshillin politik Damian Gjiknuri premtoi se në një moment të dytë mund te diskutohet sistemi politik që kërkon ndryshime në kushtetutë.

Mazhorancës i duhen edhe 9 vota nga opozita parlamentare për të kaluar reformën zgjedhore të firmosur me PD dhe LSI.

Ndërsa kreu i partisë demokratike Lulzim Basha ka thënë se është pro ndryshimit të sistemit, por pa ndërmarrë asnjë hap konkret. 

Qëndrimi i opozitës parlamentare nuk ka qenë i unifikuar.

Drafti i plotë i opozitës parlamentare depozituar në Kuvend

PËR DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 8417, DATË 21.10.1998, “KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 83, pika 1, dhe 177, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e më shumë se një të pestës së anëtarëve të Kuvendit,

KUVENDI I

REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI:

Në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998, “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:

Neni 1

Neni 64 ndryshohet si vijon:

“1. Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur sipas një sistemi zgjedhjesh proporcional me konkurrim rajonal.

2. Numri i mandateve të deputetëve që i takojnë çdo rajoni zgjedhor përcaktohet në bazë të numrit të popullsisë së regjistruar në regjistrat shtetërorë. Në shpërndarjen e mandateve marrin pjesë partitë që në rang vendi kanë fituar jo më pak se pesë për qind të votave të vlefshme.

3. Kriteret dhe rregullat për zbatimin e sistemit zgjedhor, për caktimin e zonave zgjedhore dhe për numrin e mandateve për secilën zonë përcaktohen në ligjin për zgjedhjet. Zgjedhësit gëzojnë të drejtën për të dhënë votë parapëlqyese për kandidatët e listave shumëemërore, sipas përcaktimeve të ligjit për zgjedhjet.”

Neni 2

Paragrafi 1 i nenit 68 ndryshohet si vijon:

“1. Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike dhe nga zgjedhësit. Nuk lejohen koalicionet parazgjedhore. Një kandidat mund të paraqitet vetëm për një nga subjektet propozuese, sipas kësaj pike. Rregullat për regjistrimin e kandidatëve për deputetë përcaktohen në ligjin për zgjedhjet.”

Neni 3

Ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

RELACION PËR PROJEKTLIGJIN PËR DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 8417, DATË 21.10.1998, “KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR

Amendamentet e propozuara, synojnë shndërrimin e sistemit zgjedhor nga ai aktual që bazohet në sistemin proporcional me konkurrim rajonal me lista te mbyllura në një sistem i cili në vlerësimin e propozuesve, referon më mirë dhe në format më demokratik vullnetin e votuesit. Për këtë qëllim amendamentet parashikojnë që detajimi aktual Kushtetues i konkurrimin rajonal me lista të mbyllura të hiqet nga Kushtetuta. Ai detajim sanksiononte lista të mbyllura dhe shprehja që formatonte sistemin u vendos në Kushtetutë megjithëse nuk e kish vendin aty, por sepse qëllimisht palët donin të mbyllnin me forcën e Kushtetutës çdo diskutim lidhur me listat e hapura.

Sistemi i propozuar është ai proporcional me konkurrim rajonal.

Kodi zgjedhor do të duhet që të bëjë më pas detajimin e sistemit të propozuar dhe identifikimin e sistemit për sa i takon listave të cilat duhet të jenë të hapura ose pjesërisht të hapura. Që kjo të ndodhë duhet që Kushtetuta ti paraprijë ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, nëpërmjet garantimit për votuesit të të drejtës për të dhënë votë parapëlqyese për kandidatët e listave shumemërore.

Në vlerësimin e propozuesve, kriteret dhe rregullat për zbatimin e sistemit zgjedhor, duhet të parashikojnë atë pjesë të listës që do të jetë e hapur.

Në vlerësimin e propozuesve:

-           sistemet me listat e hapura fuqizojnë votuesit duke i lejuar ata të zgjedhin kandidatët individualë të partisë sipas zgjedhjes së tyre duke votuar direkt për ta sesa për lista partiake të kandidatëve në tërësi;

-           fuqizimi i votuesit mund të zvogëlojë fuqinë e drejtuesve të partive për të imponuar kandidatët e paracaktuar në elektorat. Efekti i dëshiruar është që kandidatët të jenë më shumë të përgjegjshëm ndaj votuesit dhe më pak para drejtuesit të partisë;

-           Krahasimi midis sistemeve elektorale tregon një marrëdhënie pozitive midis listës së hapur dhe qeverisjes së mirë (antikorrupsionit).

-           Vendet më të zhvilluara demokratike kanë sisteme me lista të hapura ku votuesit mund të përzgjedhin kandidatët (Islanda, Letonia, Monako, Norvegjia dhe Zvicra); vendet me një sistem të hapur përzgjedhje d.m.th. ku votuesit mund të përziejnë kandidatët nga listat e partive të ndryshme (Lihtenshtajni, Luksemburgu, Monako dhe Zvicra) dhe vendet që përdorin sistemin me vota të vetme të transferueshme (Irlandë dhe Maltë);

-           Listat e hapura do të favorizojnë kandidatët më të kualifikuar duke qenë se përzgjedhja e tyre do të varet nga elektorati;

-           Listat e hapura favorizojnë programin e kandidatit dhe fushatën e këtij të fundit dhe që janë më të angazhuar me zonën dhe elektoratin ku do të kandidojnë

Amendamentet parashikojnë pragun 5% të votave të vlefshme, si kusht  për përfshirjen në shpërndarjen e mandateve për partitë që kanë marrë pjesë në zgjedhje dhe edhe për shkak të modelit të sistemit të propozuar Kushtetuta duhet të parashikojë ndalimin e koalicioneve parazgjedhore.

Drafti i plotë i opozitës parlamentare depozituar në Kuvend

I.K/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Arbëri: 12/06/2020 18:30

    Shpresojë të zoti se nuk do të dorzoheni që t’i fshini me fshes të gjithë kta kriminel hajdut e flliqësira nga politika, nese ia aerobics qëllimit me ndryshuar sistemin!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja