Kuvendi ka miratuar, mes kaosit të shkaktuar nga opozita, me 74 votat e maxhorancës projektligjet e rendit të ditës. Edhe këtë të enjte, opozita pamundësoi zhvillimin normal të punimeve të Kuvendit. Për rreth një orë e 30 minuta, kryetari i PD, Lulzim Basha mbajti të bllokuar foltoren e Kuvendit. 

Kjo situatë solli ndërprerjen e seancës nga Ruçi për tre herë me radhë, ndërsa po aq herë iu ndërpre fjala edhe Bashës. 

Në kushtet kur Basha dhe deputetët e opozitës nuk lëshuan foltoren e Kuvendit, Ruçi hodhi në votim pr/ligjet e rendit të ditës, ndërsa paralelisht Lulzim Basha vijonte transmetimin në Facebook të fjalimit të tij. Në mbyllje të punimeve të Kuvendit, mesazhi i Ruçit për opozitën ishte: "Projektligjet i votuam. Vijoni shfaqjen në Facebook tani"!

Basha bllokoi foltoren për 1 orë e 30 minuta, Ruçi ndërpret tre herë seancën
"Pezullo seancën, të vijnë këtu Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj". Kjo ka qenë kërkesa e Lulzim Bashës drejtuar kryeparlamentarit Gramoz Ruçi, pasi në punimet e seancës mungonin kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Kreu i PD e quajti papërgjegjshmëri mungesën e tyre, duke shtuar se duhet të vijnë dhe të japin llogari për akuzat e opozitës në ngarkim të tyre.

Pezullo seancën, të vijnë këtu Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj. Nëse kanë vendosur të mos vijnë, le ta çojnë deri në fund. Në seancë mungojnë Rama dhe Xhafaj, kërkesa e kreut të grupit të PD-së (Edmond Spaho) është e qartë dhe e kuptueshme për ju, kjo seancë nuk duhet të vazhdojë pa praninë e këtyre të dyve këtu, llogaridhënia e të cilëve në këtë moment kyc është një detyrim moral dhe politik. Nëse kanë vendosur të mos vijnë më të largohen sot e të çlirojnë vendin nga aleanca e krimit me pushtetit që është pengesa numër 1 për integrimin e vendit.

Lulzim Basha, kryetar i PD

Ruçi i ndërpret fjalën Bashës: Bëni kërkesë për interpelancë me Ramën
Por kreu i Kuvendit i ndërpreu fjalën Bashës pasi kërkesa e tij ishte jashtë rendit të ditës dhe në shkelje me rregulloren e Kuvendit. Sipas tij, opozita duhet të bëjë kërkesë me shkrim për interpelancë me kryeministrin, siç e parashikon rregullorja e Kuvendit. 

"Bëj kërkesë me shkrim për interpelancë me kryeministrin dhe Kuvendi do ta shqyrtojë. Thirreni në mocion".

Gramoz Ruçi, kryetar i Kuvendit

Për një moment kjo solli irritimin e deputetëve demokratë të cilët u mblodhën në foltore duke përsëritur të njëjtin skenar si katër javët e fundit, por këtë herë Basha i largoi opozitarët, duke qëndruar i vetëm në foltore. Insistimi i Bashës për të mos u larguar nga foltorja, bëri që Ruçi të ndërpresë punimet e Kuvendit deri në rikthimin e normalitetit. Edhe rinisja e seancës nuk solli normalitetin në Kuvend. Ruçi i ndërpreu sërish fjalën Bashës duke ndërprerë punimet e Kuvendit edhe dy herë të tjera. 



Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:58
FOTO/Rama ulet pranë Majkos në Kuvend, Berisha: Mos u fshih pas Pandeliut...

Pas insistimit të Lulzim Bashës, kryeministri Edi Rama mbërriti në Kuvend. Përpara se të ulej në vendin e tij, siç duket edhe nga kjo foto, kreu i qeverisë ka takuar për disa çaste ministrin e Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko. 

Ky moment nuk është kaluar pa u komentuar nga kryeministri Sali Berisha i cili i është drejtuar Ramës: "Mos u fshih pas Pandeliut"