Mbyllja e një portali të PD-së që ishte hapur ditët e fundit për të sulmuar qeverinë “Rama”, ka alarmuar Komisionin e Medias. Deputetët demokratë thonë se ky portal prodhonte humor dhe u mbyll me urdhër të kryeministrit Edi Rama.
Portali rezultonte anonim dhe i pa regjistruar duke binjakëzuar faqen zyrtare të qeverisë shqiptare e cila ishte në strukturë dhe emër të ngjashëm por me përmbajtje të ndryshme. Faqja e mbyllur ka acaruar ligjvënësit në komision të cilët e quanin mjaft të rëndësishme për aksionin opozitar pasi drejtuesit anonimë sulmonin veç qeverinë.
Në seancë ishte thërritur për të dhënë sqarime edhe kreu i AKEP, Ilir Zela ku sipas demokratëve ai ka marrë urdhër nga Rama për të bllokuar fjalën e lirë.
Ndërkohë, mësohet se portali nuk rezultonte i regjistruar në bazë të rregullores.
Ndërkohë, në bazë të regullores së publikuar nga Agjencia Kombëtare për Sigurinë Kompjuterike parashtrohet se çfarë mund të sjellë mbylljen e aksesit të një faqeje me përmbajtje të paligjshme. Më poshtë neni 9 shkruan:
“1. Institucioni i autorizuar, i cili sipas legjislacionit ka për detyrë ose mund të kërkojë mbylljen e aksesit të një faqe Interneti me përmbajtje të paligjshme, përditëson në portal listën që përmban këto faqe dhe njëkohësisht publikon aktin e tij me anë të të cilit kërkon mbylljen e këtyre faqeve.
2. Mbyllja e aksesit të një faqeje me përmbajtje të paligjshme bëhet vetëm pasi institucioni i autorizuar, në zbatim të detyrimeve të ngarkuara nga ligji apo aktet nënligjore, ka identifikuar një faqe Interneti e cila për nga përmbajtja shkel rendin juridik.
3. Kjo rregullore nuk i mohon asnjë subjekti ofruesi të shërbimit të aksesit në Internet (ISP), të kundërshtojë në rrugë administrative apo gjyqësore aktin që vendos mbylljen e një faqeje Interneti”, nënvizohet në nen./TemA/
Komente
