Ka një ironi të hidhur mbi realitetin politik shqiptar, ku dikur opozita ishte thirrje dhe sot është jehonë. Partia Demokratike, që u ngrit si zë kundërshtimi, sot endet si një trupë e lodhur, e frikësuar edhe nga hija e kryetarit të saj. Pra, opozita nuk është më përballje. Ajo është kthyer në një pasqyrë të shtrembëruar ku pushteti sheh veten dhe qetësohet. Dikur e trondiste sistemin, sot thjesht po shërben ta zbukurojë atë me iluzionin e pluralizmit.

Në këtë shuarje të ngadaltë të opozitës nuk ka vetëm humbje votash, por ka humbje kuptimi. Nuk ka më ide që lindin nga brenda partisë, por vetëm përsëritje të zbehta të ideve që dikur i jepnin asaj identitet. Nuk ka më guxim për të thyer rrethin e mbyllur ku kryetari ka lidhur bashkëpunëtorët e vet, por vetëm pajtim të heshtur me një realitet që i mban të gjithë peng të së njëjtës figurë. Dhe sa më shumë ngushtohet ky rreth, aq më shumë zbehet edhe vetë opozita.

Por më e rëndë se kjo zbehje është heshtja turpëruese që e shoqëron. Një heshtje që nuk vjen nga padija, por nga llogaria; që nuk lind nga pafuqia, por nga dakordësia. Sepse kur një lider edhe i sanksionuar nga perëndimi, edhe i përballur me drejtësinë, edhe humbësi më i madh i viteve të fundit politike kandidon pa asnjë alternativë reale, heshtja nuk është më neutralitet — është zgjedhje.

Ndërkohë, mbi gjithë këtë teatër politik qëndron një e vërtetë e ftohtë. Fatkeqësia më e madhe e opozitës nuk është vetëm brenda saj, por edhe në mënyrën se si ajo po i shërben pushtetit. Sepse pushteti nuk ka nevojë për një kundërshtar të fortë; i mjafton një kundërshtar i lodhur, i parashikueshëm dhe i mbajtur në jetë si dekor i demokracisë. Një opozitë e tkurrur, edhe nëse nesër nxjerr vetëm pak deputetë, mjafton për të ruajtur fasadën e garës politike dhe vazhdimësinë e një pushteti që nuk ndjen rrezik real. Prandaj figura e vjetër kërkon të mbetet në krye pa garë: jo sepse sjell fitore, por sepse tashmë të gjithë e kanë kuptuar se vetëm humbja e opozitës është fitore për kryetarin e saj.

Por, opozitat që mbyllen rreth një njeriu shuhen bashkë me hijen e tij. Vetëm ato që hapin dyert për mendimin, garën dhe brezin e ri mund të bëhen shpresë për qytetarët. Partia Demokratike, edhe pas humbjes së rëndë të vitit 2025, vazhdon të kërkojë shpëtim tek i njëjti emër, tashmë i konsumuar politikisht dhe i rënduar nga konfliktet me drejtësinë dhe izolimi ndërkombëtar. E thënë qartë, kjo nuk është më një betejë për fitore politike. Kjo është vetëm një përpjekje për mbijetesën e një kryetari që e ka lidhur fatin e partisë me fatin e vet. Dhe kur një forcë politike humbet guximin për t’u përballur me vetveten, ajo pushon së jetuari për të ardhmen dhe nis të tërhiqet zvarrë nga nostalgjia e së shkuarës.

Kështu rrënimi nuk vjen më si krizë, por si ritual. Fjalët thuhen, por nuk peshojnë; betejat shpallen, por nuk ndodhin; koha kalon dhe rrënimi bëhet më i thellë. Pra, ndryshimi nuk shihet më si shpëtim, por si rrezik.  

Në fund mbetet një pamje e trishtë. Një opozitë që nuk është më kundërshtare, por dëshmitare e vetvetes që shuhet. Një trup që ende lëviz, por nuk jeton më. Një zë që ende dëgjohet, por nuk thërret askënd. Dhe kur historia të kthejë faqen, ajo nuk do të pyesë vetëm kush foli më fort, por edhe kush heshti kur duhej të fliste.