Gjithë thelbi dhe strategjia e opozitës së ndërtuar nga Sali Berisha dhe të zbatuar nga Lulzim Basha duket tashmë shumë e qartë. Ata shpresojnë të kthehen në pushtet jo për merita të vetat, por për gabimet e të tjerëve, duke filluar natyrisht nga Edi Rama. Ja pse në vend që të propozojnë në Kuvend, nëpër sheshe, në media sociale apo në televizione alternativa ndaj qëndrimeve të qeverisë, vazhdojnë vetëm me sharje, akuza dhe në shumë raste edhe shpifje.
Opozita e ka për detyrë të kritikojë një qeveri, por bashkë me kritikat e ka për detyrë edhe të paraqesë propozime alternative, pavarësisht mundësive konkrete që kano apo jo për të kaluar në kuvend. Biles kjo është pikërisht arsyeja pse ajo kërkon vota dhe mbështetje nga njerëzit: Na votoni sepse kur do të jemi sërish shumicë ne do të bëjmë këtë, këtë dhe këtë.
Ndërkohë që deri më sot propozimet që po dëgjojmë nga Partia Demokratike janë komplet të ndryshme: Ta rrëzojmë Ramën sepse ai është i keq dhe kështu shkojmë ne në qeveri. Po çfarë do të ndodhë pastaj? Heshtje totale. Opozita nuk tregon asnjë strategji, për shembull, në luftën kundër krimit që është sot një emergjencë kombëtare. Ndoshta sepse është koshiente që kur ka qenë në pushtet me Berishën kryeministër dhe Bashën Ministër të Brendshëm, ata s-kanë luftuar fare bandat, më keq se sot. Pra, për të qenë të besueshëm si forcë alternative ata duhet ta nisin me një autokritikë të thellë nga gabimet që kanë bërë në të kaluarën dhe të paraqesin ide konkrete për të ardhmen. Ndryshe do të rrinë në opozitë edhe 8 vite të tjera.