Opozita s'liron zyrat e bashkive, Lleshaj: Uroj që të mos çmenden, Prefektët të konstituojnë këshillat (VIDEO)

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj mblodhi sot në një takim prefektët duke u dhënë porositë për konstituimin e organeve të reja të pushtetit vendor pas zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit. Në kushtet kur opozita ka deklaruar se përfaqësuesit që janë zgjedhur nga radhët e tyre nuk do të lirojnë zyrat, pasi nuk e njohin 30 Qershorin, Lleshaj tha se do të zbatohet ligji.

"Zyrat janë të shtetit dhe nuk janë të askujt, të gjithë jemi të përkohshëm dhe kohën na e përcakton ligji dhe në rastin e të zgjedhurve vendorë e ka përcaktuar vetë Kushtetuta. Nëse ne të tjerët rrimë në bazë të ligjeve dhe akteve, në rastin që flasim e ka përcaktuar vetë Kushtetuta. Ne urojmë që askush të mos çmendet për të zaptuar zyra që nuk i takojnë. Mandati është 4 vite i dhënë nga Kushtetuta, ndërkohë që në 30 Qershor kanë ndodhur zgjedhje të certifikuara nga të gjitha. Uroj që të kemi situata të kësaj natyre dhe njerëz të caktuar të dalin nga binarët ligjorë" tha ai.

Prefektët kanë rol në konstituimin e këshillave bashkikë, por Lleshaj dha edhe disa udhëzime të tjera, ndërsa shtoi se në gusht nuk do të bëjnë pushime. "Konstituimin e organeve te reja te dala nga zgjedhjet vendore. Ekziston rreziku i uljes se performacës. Të gjithë strukturat do të marrin pushimet pas shtatorit sidomos të administratës së bashku dhe prefekturës. Nuk ka hapsirë për heqje nga puna për punonjësit e bashkive duke respektuar statusin e nënpunësit civil. Prefektët kane një rol kyç përsa i përket konstituimeve në lidhje me bashkite por ligji parashikon disa. Prefektët të intesifikojnë kontrollet për shërbimet për qytetarët, si ndaj administratës së bashkive, por edhe degëve të pushtetit qendror që të dyja këto struktura të.

Pas përfundimit të konstituimit të organeve të zgjedhura të pushtetit vendor duhet nga prefektët të merren të gjitha masat. Në këtë proces shumë të rëndësishëm, Prefektët kanë një rol kyç. Mesa po shohim procesi do të ketë ndërlikime për arsye të ankimeve, proceseve gjyqësore, kontestimeve, por ligji parashikon disa momente të qarta kur hyjnë në rolin e tyre prefektët. Kjo ka të bërë me konstituimin e këshillave, pasi të jenë marrë të gjitha vendimet gjyqësore, në përfundim të tyre duke respektuar kushtetutën që përcakton mandatin, të organizojnë punën për të bërë konstituimin e organeve të reja, që do të bëhet sipas ligjit me masat që parashikon ligji.

Kushdo që dorëzon detyrën ta dorëzojë me dinjitet dhe ai që e merr ta marrë me dinjitetin e nevojshëm. Duhet komunikim mes stafeve që dorëzojnë dhe atyre që marrin detyrën. Që tani në moderimin e prefektëve të vendosin kontakte që procesi të ndodhë i rregullt, i organizuar dhe qytetar që të arrihet që të përcillen mesazhet duhura. Duhen akte dorëzimi dhe marrje në të gjithë bashkitë. Nuk mund të presim perfeksion në këtë punë, por qëllimi do të jetë ky" tha ai

Gjatë fjalës së tij ai e vendosi theksin te niveli i shmangies nga taksat kërkoi ndërhyrje energjike e të gjithë Task Forcave, por edhe zaptimit të hapësirave në plazhe duke shigjetuar bashkitë e drejtuara nga PD-ja në Shkodër dhe në Lezhë.

Fjala e plotë e ministrit Sandër Lleshaj në takimin me Prefektët e Qarqeve
Takimin e sotëm e zhvillojmë në funksion të punës që duhet të organizohet dhe të kryhet nga të gjithë strukturat kryesisht të prefekturave, për të vijuar procesin dhe për të kompletuar gjithë procedurat, që kanë të bëjnë me konstituimin e organeve të reja të qeverisjes vendore, të cilat kanë dalë pas zgjedhjeve të datës 30 qershor. Ky është një proces shumë i rëndësishëm, kushtetues ligjor, i cili meriton vëmendjen dhe angazhimin e qartë e të fortë të gjithë strukturave të prefekturave dhe strukturave të tjera të administratës vendore.

Përpara se të shkojmë tek konstituimi i organeve të reja të qeverisjes vendore, me rëndësi të madhe mbetet funksionimi i pandërprerë i punës së administratës vendore, e cila ndodhet në një fazë tranzicioni dhe ekziston risku i një lloj shkrehjeje në punën e disa strukturave. Ndaj edhe sot kam mbledhur prefektët, por kam ftuar edhe mediat, për të përcjellë një mesazh shumë të rëndësishëm për gjithë administratën vendore, e cila duhet të jetë në krye të detyrës.

Për të qenë në krye të detyrës, së pari në krye të detyrës do të jenë gjithë prefekturat e vendit të cilat do t’i fillojnë pushimet e vitit 2019, pas datës 1 shtator. Ky është lajm i mirë apo i keq, këtë do ta merrni secili sipas preferencës, por ky është lajmi i parë që do t’ju them. Të gjitha strukturat e prefekturave do të jenë në punë gjatë muajit gusht, për arsye se muaji gusht është muaj vendimtar për të përmbushur procesin e konstituimit të të gjithë strukturave të pushtetit vendor në Shqipëri.

I njëjti mesazh vlen edhe për të gjithë strukturat e tjera të bashkive, ndaj të cilave nuk kam fuqi të drejtpërdrejtë urdhri, por kam fuqi për t'u kërkuar që të jenë në krye të detyrës me qëllim që të mundësojnë tranzicionin normal të pushtetit nga kryetarët ekzistues, tek kryetarët e rinj, që kanë dalë pas zgjedhjeve të datës 30 qershor. Është me shumë rëndësi që punonjësit e administratës së bashkive të vendit të kuptojnë që në një pjesë të madhe të tyre janë nëpunës të administratës publike dhe u nënshtrohen detyrimeve të legjislacionit përkatës.

Bashkë me këtë dua t'ju përcjell një lajm të rëndësishëm të cilin edhe Kryeministri e ka përcjellë, por dua ta ritheksoj, një mesazh të qartë ndaj gjithë administratës së bashkive, e cila nuk ka arsye për t'u trembur si zakonisht, në rastet e ndryshimeve të kryetarëve të bashkive. Ne nuk kemi ndërmend të aplikojmë standarde, që janë aplikuar fatkeqësisht në vendin tonë në të kaluarën, kur ardhja e kryetarëve të rinj të bashkisë, është shoqëruar me një lloj tërmeti administrativ. Kjo nuk do të ndodhë, pra nuk ka hapësirë për ndryshime masive. Çdo punonjës i bashkive të vendit duhet të kuptojë që vijimin e mëtejshëm të detyrës së tij, ose ndërprerjen, e ka kryesisht ai vetë në dorë me sjelljen, me respektimin e legjislacionit të standardeve profesionale dhe etike. Ndaj është me shumë rëndësi që ky mesazh të përcillet edhe nga ju në mënyrë të drejtpërdrejtë me gjithë administratën e bashkive të vendit për të thënë që të nderuar punonjës të administratës angazhohuni maksimalisht për përmbushjen e detyrave tuaja në shërbim të qytetarëve, për arsye se është kjo administratë e cila ofron shërbim ndaj qytetarëve dhe shërbimet ndaj qytetarëve nuk do të njohin asnjë lloj tranzicioni. Për këtë duhet që ata të respektojnë statusin e tyre të nëpunësit civil dhe të angazhohen për t’i thelluar më tej të gjitha shërbimet, të cilat janë aq shumë të domosdoshme sidomos në këtë periudhë, e cila është jo vetëm periudha e tranzicionit të pushtetit vendor, por dhe një periudhë që lidhet me sezonin turistik, ku një pjesë e madhe e qytetarëve ose kryejnë pushime, ose presin dhe trajtojnë vizitorë të shumtë të ardhur nga gjithë anët e vendit, të rajonit e më gjerë.

Krahas angazhimit maksimal të prefekturave, të  administratave të prefekturave, të administratës të bashkive, është me rëndësi të madhe që po me këtë nivel angazhimi, të përgjigjen edhe degët territoriale të pushtetit qendror, të cilat janë të përfaqësuara në nivelin e qarqeve, bashkive të ndryshme. I gjithë ky kontigjent i administratës shtetërore duhet të jetë po ashtu në lartësinë e detyrës dhe në lartësinë e kërkesave që ka ky moment i rëndësishëm. Kërkohet nga të gjithë impenjim i madh për të mos ceduar asnjë milimetër në shërbimet që u ofrohen qytetarëve në të gjitha aspektet. Por nga ana tjetër kërkohet impenjim për të mundësuar me perfeksion dhe me precision të lartë, gjithë tranzicionin dhe konstituimin e organeve të reja të pushtetit vendor.

Që të ndodhin këto duhet që nën drejtimin e prefektëve, të intensifikohet kontrolli i vijueshëm mbi performancën e të gjitha institucioneve që ofrojnë shërbime për qytetarët në territorin e RSH. Si ndaj administratës së bashkive, ashtu dhe ndaj administratës së degëve territoriale vendore, në mënyrë që të dyja këto struktura të performojnë si në ditën e tyre më të mirë, me seriozitetin më të lartë dhe në mënyrë që asnjë shërbim ndaj qytetarëve dhe sidomos ndaj pushuesve, mos të cedojë aspak. Dhe kjo është përgjegjësia e drejtpërdrejtë e juaja, e cila duhet të realizohet nëpërmjet kontrollit dhe masave të pa kompromis në çdo rast që evidentohen shkelje, apo pakujdesi, apo mos ushtrim i detyrës nga çdo punonjës i administratës qoftë asaj vendore, qoftë asaj qendrore që funksionon nëpër qarqet e vendit. Dhe kjo është çështja e parë.

Sa i përket çështjes së dytë që ka të bëjë me përfundimin e konstituimit të organeve të zgjedhura pra si të përfaqësuesve ekzekutivë, apo organeve të tjera të pushtetit vendor, duhet që nga prefektët të merren të gjitha masat që parashikohen në legjislacionin e vendit. Dihet që në këtë proces shumë të rëndësishëm prefektët kanë një rol kyç, i cili është i përcaktuar qartazi në legjislacionin përkatës të vendit. Sigurisht që mesa po shohim, procesi do të ketë ndërlikimet e veta për arsye  të ankimeve, proceseve gjyqësore, kontestimeve të caktuara gjë që është e natyrshme por besoj që në këtë rast do të jenë të pranishme. Megjithatë ligji parashikon disa momente të qarta ku hyjnë në punë prefektët, hyjnë në rolin e tyre prefektët dhe kjo ka të bëjë së pari me konstituimin e këshillave.

Konstituimi i këshillave është një ndër momentet kyçe ku prefektët, - pasi të jenë ezauruar të gjitha etapat përkatëse të parashikuara në ligj, pasi të jenë marrë të gjitha vendimet përkatëse të organeve të parashikuara nga ligji, qofshin ato organet zgjedhore, qofshin edhe organet gjyqësore, në përfundim të gjithë këtyre, por duke respektuar gjithsesi afatet kushtetuese, të cilat parashikojnë mandatat e përfaqësuesve të pushtetit vendor, - të organizojnë punën për të bërë konstituimin e organeve të reja të pushtetit vendor. Konstituim, i cili duhet të bëhet në përputhje me ligjin, me kushtetutën, me dinjitetin e nevojshëm, me ceremonialin e nevojshëm, dhe me të gjitha ato masa, të cilat vetë ligji i parashikon, në mënyrë që kushdo që dorëzon detyrën, ta dorëzojë atë me dinjitet, kushdo që merr detyrën ta marrë po ashtu me dinjitet dhe me seriozitetin e nevojshëm përballë qytetarëve.

Në shërbim të kësaj është me rëndësi vendosja e komunikimit midis stafeve të ngushta, pra kabineteve të kryetarëve të bashkive që dorëzojnë detyrën, dhe kryetarëve të bashkive që marrin detyrën. Eshtë shumë e rëndësishme që midis tyre që tani, nën koordinimin dhe moderimin e prefektëve, të vendosën kontakte në mënyrë që i gjithë procesi të ndodhi ashtu siç duhet të ndodhë, i rregullt, i organizuar, ligjor, etik, qytetar, në mënyrë dhe me qëllim që të arrihet të përcillen dhe mesazhet e duhura ndaj qytetarëve, ndaj publikut, ndaj njëri-tjetrit.

Sigurisht që dorëzimi dhe marrja duhet të kryhet me akt dorëzimi dhe marrja e detyrës duhet të kryhet me akte të cilat të pasqyrojnë se cila është gjendja, problematika, detyra që janë në ndjekje, projekte që janë në ndjekje, që kanë rëndësi për t’u mbajtur në konsideratë nga kryetarët apo këshillat e rinj. Eshtë shumë e rëndësishme pra që të shmangemi pak nga tradita jo e mirë në këto rastë, sepse tradita në këtë fushë jo domosdoshmërisht është shembullore. Kështu që duhet të realizohet kjo gjë: akte dorëzimi dhe marrje të detyrës në të gjitha bashkitë.

Sigurisht, ndoshta nuk mund të presim perfeksion në këtë punë duke pasur në konsideratë edhe sensibilitete të caktuara politike,  por qëllimi do të jetë ky dhe e rëndësishme është që prefektët t’u ofrojnë mundësinë që të gjithë ata që arrijnë ta kuptojnë rëndësinë e këtij momenti, të kenë mundësinë që ta ushtrojnë. Në qoftë se do të ketë nga ata që s'arrijnë ta kuptojnë, është një gjë tjetër. Por ama është e rëndësishme që nga prefekturat dhe nga prefektët personalisht të ofrohet mundësia dhe të kërkohet realizimi i një tranzicioni të dokumentuar të zyrës nga ai që e dorëzon te ai që e merr.

Sa i përket çështjes së tretë të cilën dua ta diskutoj shkurtimisht gjatë pranisë së mediave është ajo që ka të bëjë me mbarëvajtjen e sezonit turistik në vend. Me gjithë përpjekjet e mëdha, ende rezulton që nevoja për përmirësim është e pranishme, madje e madhe. Lajm dhe fakt i mirë është ai që ka të bëjë me flukset turistike të cilat nuk janë dekurajuar nga klima e ngarkuar politike. Ne po regjistrojmë në pikat tona të kalimit kufitar rritje të ndjeshme të numrit të turistëve të cilët kanë zgjedhur Shqipërinë si destinacionin e tyre edhe për vitin 2019. Ka flukse të shtuara në të gjitha pikat tona kufitare, tokësore, detare, ajrore, gjë që aq sa është lajm i mirë, është edhe sfidë e madhe për të gjithë ata që merren me menaxhimin e këtyre flukseve. Por mbetet ende shqetësim niveli i përgjigjes me masa pritëse, organizuese, koordinuese nga strukturat e pushtetit vendor.

Ende, sipas raportimeve të fundit, ka shumë sektorë ose stacione në plazhet e vendit, të cilat nuk janë të legalizuara.

Pra që ende ka persona, të cilët kanë zaptuar praktikisht sektorë të caktuara në plazhe të caktuara të vendit, pa asnjë miratim nga bashkitë përkatëse, gjë e cila paraqet një situatë jonormale, jolegale dhe që duhet marrë nën kontroll të menjëhershëm nga ana e prefekturave, në bashkëpunim me strukturat tjera, duke përfshirë Policinë e Shtetit, inspektoratet dhe zyrat e tjera të shtetit me qëllim dhe synim që të mos kemi asnjë segment të bregdetit shqiptar, i cili është i zaptuar nga kushdo qoftë në mënyrë ilegale. Edhe për faktin që bashki të caktuara thjesht kanë hezituar të kryejnë detyrën që iu jep, iu ngarkon ligji.

Dhe këtu kemi problematikë veçanërisht shqetësuese në bashkitë që merren me segmetin Velipojë-Shëngjin, Shëngjin e në jug deri në Rodon, ku niveli i paligjshmërisë është i konsiderueshëm dhe ku detyra për prefektin mbetet e qartë për t’u marrë me të gjithë forcën e ligjit, në mënyrë që gjithçka të vendoset në parametrat e tij, pra të vendoset në parametrat e ligjit. Nuk mund të lejohet asnjë cm2 i bregdetit të Shqipërisë, edhe njëherë e përsëris, që të jetë praktikisht i zaptuar nga persona që s’kanë asnjë tagër, asnjë autoritet për ta bërë këtë punë. Ende keni mundësi që t’i riktheni në legalitet struktura të tilla duke kërkuar bashkëpunimin  e strukturave përkatëse të bashkive. Nëse do ta kenë’ nëse nuk do ta kenë këtë vullnet, atëherë duhet të aplikoni sanksione, të cilat ligji i parashikon qartë.

Çështje tjetër, po aq e rëndësishme, ka të bëjë me masat që duhen marrë për të garantuar sigurinë në tërësi në plazhe, sigurinë  për qytetarët ose për pushuesit që futen në ujë, sigurinë ushqimore veçanërisht, e cila duhet mbajtur në kontroll të pandërprerë, për të garantuar jo vetëm sigurinë  e atij produkti, që shitet nganjëherë dhe me çmime të kripura, por për të garantuar edhe korrektesën e shërbimeve, për arsye se siç vihet re nga raportime jo të pakta, niveli  i abuzimit i operatorëve të ndryshëm turistikë nëpër plazhet e vendit është i konsiderueshëm; çmime absurde, të pajustifikuara.

Niveli i shmangies nga taksat e të tjera me radhë është po ashtu problematik dhe këtu kërkohet ndërhyrje energjike e të gjithë Task Forcave, të cilat janë në drejtimin tuaj, ku përfshihen të gjithë zyrtarët përkatës të inspektorateve të ndryshme dhe të agjencive të tjera shtetërore, me qëllim  që në plazhet e vendit të mbizotërojë siguria jo vetëm në ujë por dhe në tokë, dhe veçanërisht siguria në lokalet që ofrojnë shërbim dhe ushqim.

Po ashtu administrimi fiskal ka rëndësi të madhe. Nuk duhet që në përpjekjen e shumë institucioneve për të garantuar dhe për të ofruar shërbime më të mira dhe më cilësore për qytetarët, të abuzojnë tregtarë të ndryshëm, të cilët ose u shmangen tatimeve, ose luajnë me çmimet, ose abuzojnë me pushuesit, sidomos me të huajt, të cilët nuk janë të familjarizuar me nivelin  normal të çmimeve në këtë vend, dhe shumë fenomene të tilla, të cilat duhen marrë nën kontroll të qartë dhe të gjitha rastet e atyre, që abuzojnë me të drejtën që iu është dhënë, për të operuar në këtë treg, të jenë të qarta.

Dhe e fundit, është një çështje që ka të bëjë me masat për të evituar zhurmat e panevojshme, sidomos në plazhet e vendit. Për arsye se në plazhe përveç pushuesve ka dhe qytetarë që jetojnë, ka banorë, ka të tjerë që jo domosdoshmërisht janë të entuziazmuar nga zhurma dhe muzika e lartë.

Kështu që është shumë e rëndësishme që në këtë rast të verifikohet mirë zbatimi i legjislacionit, të angazhohen mirë strukturat vendore për të vendosur rregulla; se ka dhe raste ku strukturat vendore nuk kanë vendosur qartësisht rregulla, për këtë fushë, dhe pastaj duhet kontrolluar dhe duhet ndërhyrë pa asnjë lloj mëdyshjeje në rastet kur zhurma bëhet problem për qetësinë dhe për jetën normale të qytetarëve.

Këto janë çështjet kryesore që desha të trajtoj në praninë e medias, ne do ta vazhdojmë diskutimin, po meqenëse është media këtu mund t’i jap mundësinë, në qoftë se ka ndonjëri pyetje.

Gazetari: Si do të veprohet me kryetarët e bashkive që kanë deklaruar se nuk i njohin zgjedhjet e zhvilluara dhe prandaj nuk lëshojnë mandatin, duke mbajtur edhe zyrat përkatëse?

Ministri Lleshaj:  Së pari zyrat janë të shtetit dhe nuk janë të askujt.

Të gjithë jemi të përkohshëm në zyrat ku jemi. Të gjithë, - dhe kohën na e përcakton ligji. Në rastin e të zgjedhurve vendorë të kryetarëve të bashkive në fakt këtë e ka përcaktuar vetë kushtetuta. Në qoftë se ne të tjerët rrimë nëpër këto zyrat që jemi, në këto pozicione ku jemi në bazë të ligjeve të caktuara, akteve pra që janë që janë poshtë Kushtetutës, në rastin që flasim këtë e ka përcaktuar vetë Kushtetuta. Ne urojmë që askush të mos çmendet, për të zaptuar zyra që s’i takojnë.

Normalisht mandatet janë qartësisht të përcaktuara. Është 4 vjet, e dhënë nga kushtetuta mandati, koha e ushtrimit të funksionit nga një i zgjedhur vendor. Ndërkohë që në datën 30 qershor kanë ndodhur zgjedhje në Shqipëri, të cilat janë zgjedhje të certifikuar tashmë nga të gjitha autoritetet përkatëse që kushtetuta dhe ligji shqiptar njeh. Kështu që kushdo është në drejtën e tij të bëj zgjedhje por uroj që të mos kemi situata të kësaj natyre ku njerëz të caktuara të dalin nga çdo binar ligjor.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Tralala zura nje gale: 15/07/2019 13:03

    Ata i marrin urdherat nga Lulzim Bashovini dhe Aleksander Karpushini

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen