Prodhuesit e birrës artizanale duhet të paguajnë më pak akcizë, dhe të mos trajtohen njësoj si prodhuesit e mëdhenj të birrës. Ky propozim i deputetes së PD-së Jorida Tabaku u rrëzua në komisionin e ekonomisë, dhe nga mazhoranca u mbështet vetëm nga deputeti Erion Braçe.

“Sot kemi 9 birrari artizanale që prodhojnë në total 3895 hektolitra. Dhe këto takohen njësoj si prodhues të mëdhenj. Propozimi ka në bazë reduktimin e akcizës dhe kthimi në një regjim, ashtu siç ishte më parë. Regjimi mëparshëm kishte një tavan 10.000 hektolitra. Unë mund të them le ta bëjmë edhe 5.000 hektolitra, sepse të gjithë bashkë këto nuk prodhojnë më shumë se 5.000 hektolitra dhe janë produkte artizanale shqiptare që kur vjen turisti këtu kërkon pikërisht ky lloj produkti. Këto duhet të ishin baza për të rritur turizmin tonë. Fatkeqësisht kjo nuk ndodh”, thotë Jorida Tabaku.

“Aplikimi i akcizës me dy nivele ka shfaqur probleme të jashtëzakonshme më parë, për këtë arsye ne nuk e mbështesim”, tha zëvendësministri i Financave Endrit Yzeiraj.

Deri në vitin 2022 birra në vend kishte akcizë të diferencuar në 2 nivele. Për prodhuesit me më pak se 200 mijë hektolitër ishte 360 lekë për hektolitër, ndërsa ata që prodhojnë mbi këtë sasi akciza ishte 710 lekë për hektolitër. Ndërsa prej 2023-shit, të gjithë paguajnë 710 lekë hektolitër.

Bazuar në këtë ndarje deputeti i PS-së Erion Braçe thotë se me trajtimin e prodhuesve të birrës është bërë klientelizëm, ndaj kërkoi që të merrej në konsideratë propozimi i Jorida Tabakut.

“Kjo historia e birrës është edhe histori korrupsioni, edhe histori klientelizmi. Niveli ndryshoj nën 200.000 hektolitra dhe mbi 200.000 hektolitra në varësi të korrupsionit dhe klientelizmit me prodhues birrës. Kur s'kemi me vete e mbajmë regjimin. Kur s'kemi me vete e prishim regjimin. Ndodhi që ua abuzuan me vendin, që ishte vlerësuar 200,000 hektolitrave, për shkak të korrupsionit. Sepse ishte agjenci kryesore zbatuese që merrte atë inspektimin e akcizës, se bëni sikur nuk shikoni që prodhimi ishte mbi 200,000 hektolitra. Propozimi është komplet i arsyeshëm, në qoftë se nuk përton të mendosh. E dyta gjë, kjo s'ka lidhje fare me Bashkimin Evropian. Ne nuk jemi vend anëtar i Bashkimit Evropian. Ne vazhdojmë t'i shesim turizmit, birrë në italiane, birrë në greke, birrë në serbe, birrë në maqedonase, birrën malazeze”, thotë Braçe.

Pavarësisht këtyre argumenteve, projektligji për të ndryshuar akcizën nuk u miratua, dhe të njëjtin fat pati edhe propozimi i Partisë së Lirisë për të ulur TVSH-në në 5% për produktet ushqimore, që nuk kaloi pa debate në komision.

“Ulja e tatimit nga 20% në 5% për produktet e shportës, nuk është thjesht dhe vetëm një masë ekonomike, por mbi të gjitha është një akt social dhe moral në funksion të uljes së kostove të papërballueshme të jetesës”, tha Tedi Blushi.

“Si do e garantoni ju që ulja e TVSH-së nga 20 në 5%, do të reflektohet drejtpërdrejtë tek konsumatori. Si e garantoni këtë”, pyeti Braçe.

“Është koha të mbani premtimin e vitit 2013, për TVSH e produkteve ushqimore bazë”, tha Blushi.

“Unë nuk jam kundër regjimit të tatimit të diferencuar, por kam rezerva të mëdha. Pse ti me të ardhura 5-fish më të larta se pensionistët ta marrë bukën me TVSH 5%? Ndaj e kam lënë 20% që të mos përfitoj unë. Kjo kategoria e njerëzve, që kanë të ardhura mjaftueshëm s’duhet të marrë këtë TVSH 5%”, tha Braçe.

Zëvendësministri i Financave Endrit Yzeiraj paralajmëroi se brenda vitit ligji i tatimit mbi vlerën e shtuar dhe ai për akcizat do të ndryshojnë tërësisht.

“Plani i Ministrisë së Financave është që brenda këtij viti të kemi dy drafte qofte për TVSH dhe akcizat që do duhet të veprojnë në tre drejtime. Së pari do duhet të shoh se cilat janë sektorët për të cilat masat e reduktuara mund te vazhdojnë. Së dyti, do duhet të eliminojmë disa përjashtime tatimore dhe ndihmesat për shtresat në nevojë do të jepen ndërmjet drejtimeve te tjera”, tha zëvendësministri.

Ndërkohë të dy projektligjet e opozitës i janë dërguar qeverisë për opinion, dhe vendimi final nëse do të miratohen apo jo do të merret në Kuvend, pasi të shkojnë në seancë plenare.