Kryeministri Viktor Orban i ka dalë në mbrojtje ish-kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski, i cili u arratis duke kërkuar azil në Hungari. Orban ka deklaruar gjatë një prononcimi se Gruevski ka ndihmuar Hungarinë gjatë fluksit të refugjatëve. Orban tha gjithashtu se Gruevski është aleat dhe mik i gjithë popullit të Hungarisë. “Pa ish-kryeministrin maqedonas, do ta kishim shumë të rëndë që të mbronim kufijtë e Hungarisë nga vala a refugjatëve edhe përkundër asaj që ne ngritëm murin. Njeriu duhet sinqerisht t’i trajtojë aleatët e tij” tha Vitkor Orban.
Kryeministri i Hungarisë vijoi më tej duke premtuar se nuk do të lejojë që ish kryeministrit Gruevski t’i ndodhin padrejtësi, pasi sipas tij është i përndjekur nga organizatat e Xhorxh Soros. Deklarata e tij lë të kuptohet se nuk do të pranojë kërkesën e Maqedonisë për ta ekstraduar ish-kryeministrin Gruevski për të vuajtur dënimin në vendin e tij. Gruevski u dënua me dy vite burg, pasi mbi të rëndojnë akuzat e shpërdorimit të detyrës për blerjen e një automjet të tipit “Mercedes” me vlerë rreth 600 mijë euro gjatë kohës së qeverisjes si Kryeministër i Maqedonisë.