HUNGARI - Kryeministri Berisha, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Hungari, zhvilloi një takim tet a tet me Kryeministrin e Hungarisë Viktor Orban, takim i cili u vijua më pas nga bisedimet mes dy delegacioneve respektive.
Sipas deklaratës së shpërndarë nga zyra e shtypit e kryeministrisë, Orban e ka cilësuar Berishën si luftëtar të demokracisë. NJë prej temeva te biseduara ka qenë edhe arsimi dhe rritja e bursave për studentët shqiptarë.

Sa i takon integrimit të Shqipërisë, kryeministri hungarez ka deklaruar se demokracia në vendin tonë ka shënuar arritje.
“Në qoftë se ka ndonjë shtet apo person që të vihet kundër Shqipërisë, sepse ka probleme të brendshme, pra në politikën e brendshme, unë mendoj që kjo bën keq, sepse çështjet e politikës së brendshme i takojnë vetëm një shteti dhe po të shikosh demokracinë në Shqipëri, ajo nuk le asgjë për të dëshiruar. Unë mendoj se në të ardhmen Shqipëria do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian”, tha Orban.
Kryeministri shqiptar i pyetur nga medias vendase për reformat ka garantuar se ato do të vazhdojnë. “Ne vetë jemi të vendosur të vazhdojmë reformat. Ne jemi ndikuar nga kriza dhe nuk është se nuk kemi pasur ndikime, por nuk kemi rënë në recension dhe tani po punojmë për një paketë të re reformash, në mënyrë që të përshtatim ekonominë shqiptare në rrethanat e reja të krijuara nga globalizmi, në një botë post perëndimore”, tha Berisha.

Kryeministri vlerësoi figurën e ish mbretëreshës Geraldinë, e cila njihet për origjinën e saj hungareze.

(aq/shqiptarja.com)