Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, dhe kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, kanë rënë dakord që Turqia të jetë garantues që gazi rus të vazhdojë të rrjedhë drejt Hungarisë, tha Orban sot.

Hungaria e ka ruajtur varësinë e saj nga energjia ruse që prej fillimit të luftës në Ukrainë, pavarësisht se është përballur me kritika nga disa aleatë të vet në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Hungaria nënshkroi marrëveshje 15-vjeçare me Rusinë në vitin 2021 për të blerë 4.5 miliardë metra kub gaz çdo vit dhe e rriti sasinë e blerjeve nga Gazprom vitin e kaluar, duke importuar rreth 7.5 miliardë metra kub gaz rus përmes tubacionit TurkStream.

“Sot u pajtuam me presidentin që ju, Turqia, do të garantoni për rrugën, në mënyrë që ne të mund ta transportojmë (gazin) nga Rusia në Hungari”, tha Orban në një konferencë shtypi të transmetuar nga kanali shtetëror M1.

Orban tha gjithashtu se Hungaria ka marrë 7.5 miliardë metra kub gaz përmes tubacionit TurkStream deri më tani këtë vit.

Muajin e kaluar, Shtetet e Bashkuara e përjashtuan Hungarisë për një vit nga sanksionet amerikane për përdorimin e naftës dhe gazit rus, pasi Orbani kërkoi lehtësim gjatë një takimi miqësor me presidentin Donald Trump në Uashington.

Orban u takua gjithashtu me Presidentin rus Vladimir Putin në Moskë në fund të nëntorit. Ai tha në Facebook në atë kohë se po vizitonte Moskën "për të siguruar furnizimin me energji të Hungarisë për dimrin dhe vitin e ardhshëm"./ Reuters