Orët e fundit të aktores Drita
Pelinku, rrëfimi i së bijës, Orës

Orët e fundit të aktores Drita<br />Pelinku, rrëfimi i së bijës, Orës
TIRANE- “Mbrëmë ka kujtuar rolet, ka recituar dhe ka bërë humor. Kisha katër muaj që nga sëmundja e mamasë pa qeshur ashtu, dhe pastaj ra e lodhur në gjumë duke vazhduar të flejë për të mos u zgjuar dot më pas orës 10.00 të mëngjesit”, rrëfen Ora me lot në sy. E bija e aktores Drita Pelingu për katër muaj rresht i shërbente nënës së vet, duke renduar spital më spital, por nuk ia dolën dot, sepse në orën 10.00 të mëngjesit të së mërkurës, më 2 tetor, aktorja e madhe Drita Pelinku ndërroi jetë.

Në shtëpinë e aktores gjej të bijën Ora. Kanë ardhur dy vëllezërit dhe motra se “Drita mbaroi!”. Nisin telefonatat. Një barrë e madhe është për të bijën Ora që t’u kthejë pareshtur përgjigje në telefon përmes dhimbjes që ndjen. Përtej valëve telefonike dëgjohen të qara të miqve, nipërve, mbesave, të ndjekur vëmendshëm nga sytë e përlotur të Orës.

Nuk ka kaluar pak minuta nga frymëmarrja e fundit e Drita Pelinkut dhe lajmi mori dhen. Ende pa shkuar ora 11.00 telefonoi në shtëpi për ngushëllime kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pastaj aktorja Margarita Xhepa, drejtori i teatrit Kristaq Skrami, aktorja Tinka Kurti, personalitete të politikës, të artit dhe kulturës, më tregon e bija.

dritaDhe ja pak kohë më pas kryeministri Rama shkruan në facebook-un e tij: “Një tjetër xhevahir u shkëput nga kurora e trashëgimisë sonë skenike! Drita Pelingu u largua përgjithnjë duke lënë pas shkelqimin e saj...” Aty në shtëpinë e Drita Pelinkut nisën ndërkohë të tjera telefonata që përziheshin me zërat e ngashëryer të nipërve dhe mbesave nga motrat e nga vëllezërit, të cilët ishin larg në mërgim. Aty nga ora 12.00, e bija, Ora, gjendej me telefon në vesh.

Atmosfera e përcjelljes gjithë mirësi për nënën, miken dhe aktoren e madhe Drita Pelinku ishte emocionuese. Askush nuk i kontrollonte dot më lotët në atë lloj atmosfere. “Kam frikë se ajo nuk kuptoi që do të ikte”, -thotë e bija, ndërsa tregon aty në raftet e shtëpisë librin “Duke biseduar me Drita Pelinkun” që sapo ka dalë nga shtypi. “Madje ditët e fundit i pinte ilaçet gjithë zell, që të kishte fuqi e të arrinte promovimin e librit”, tha Ora.

Me një ndjenjë ndrojtjeje se mos nuk ishte rasti, i kërkova ta shihja. “Do të doja ta kishe me dedikimin e saj”, thotë Ora me lot në sy, por po ta dhurojë unë. Më ngeli peng që nuk arriti të ishte në promovimin e librit dhe të mblidhej me miqtë”, shtoi ajo. “-Po lajmin që doli nga shtypi e mori vesh?”, -e pyes. “-Po, po, e pa dhe prisnin që të bënim një promovim”. “-La ndonjë amanet”, -e pyes Orën.

Sikur ta parandieja përgjigjen, sepse arrita ta njihja shumë mirë karakterin stoik të Drita Pelinkut, dëgjova nga e bija të më thotë: “Jo, ajo e dinte që nuk do të zgjaste shumë. I ka lënë të gjitha më parë. Kemi biseduar bashkë për të gjitha dhe kam në kujtesë të gjitha ato gjëra që ajo kishte merak, amanetet”.

Sytë e mi më kot kërkojnë ta shoh për herë të fundit Drita Pelinkun, ndërsa dëgjoj në telefon sërish zërin e Orës, që i përgjigjet dikujt se ceremonia e varrimit do të bëhet nesër, nga ora 11.00 deri në orën 1.00 në Teatrin Kombëtar”.

Pra, sot do të përcjellim Drita Pelinkun nga dera e Teatrit Kombëtar, ku ajo shkriu gjithë talentin e saj, forcën, energjinë. Tashmë kam në dorë librin ku të gjithë kolegët e mi gazetarë e kanë intervistuar, kanë biseduar me të.

Janë edhe bisedat dhe opinionet më të fundit kur ajo ngjiti në skenë rolin e fundit të saj Zarinën te “Përjetësisht dashuria”. “Drita nuk i kishte qejf intervistat, sepse i dukej sikur konsumohej në media”, thotë Ora.

“Në të vërtetë intervistat e saj kanë qenë shumë të mirëpritura nga lexuesi, kot ka qenë e shqetësuar për këtë”, -i them.

Të flasësh më shumë, të duket sikur i lëndon të afërmit e aktores, por ja duke parë fotot e saj, ku në njërën foto rrezaton bukuri e feminilitet, mirësi e dashuri, e në tjetrën sheh një portret ekspresiv sipas rolit që ka luajtur, bëhesh kurioz të dish se çfarë barre i ka rënë së bijës në shtëpi gjatë kohës kur Drita Pelinku punonte me orë të zgjatura për rolet në skenë. U nguta ta bëjë një pyetje të tillë, duke parë edhe karakterin e fortë dhe energjinë e së bijës, Orës.

Mendova diçka të tillë se barra e shtëpisë duhet t’ju ketë rënë vajzave që fëmijë ..., por jo, u zhgënjeva. “Ku të linte ajo barrë në shtëpi. Mami ishte zonja i bënte të gjitha. As unë vetë nuk e di si arrinte t’i bënte edhe punën, edhe rolet, edhe të mbante shtëpinë dhe fëmijët”.

Ora nisi të kujtojë disa mbresa nga fëmijëria, që në atë kohë kur tortat nuk ishin aq të bukura si sot, Drita Pelinku bënte torta të mrekullueshme. “Më vjen keq që atëherë nuk kishte kaq zhvillim teknologjia dhe t’i kishim fotografuar disa për kujtime”.

Dhe kështu, Ora tregonte se Drita bënte zakonisht torta për festat e familjes, se ajo si rrallë tjetër organizonte festa familjare dhe i zbukuronte ato. Shija, mençuria, delikatesa e kanë shoqëruar aktoren edhe në kuzhinë, jo vetëm më skenë.

Drita Pelinku ka qenë një punëtore e jashtëzakonshme edhe në rini, edhe në orët e fundit të jetës së saj. Pastaj aty në shtëpinë e saj, ku pesha e fortë e lajmit të vdekjes së saj më kishte çuar në kohë të papërshtatshme, familjarët nisën të qanin, dhimbja e humbjes së Drita Pelinkut nuk mund të përballohej.

Mora librin, tek i cili pritej edhe për pak ditë që të kisha dedikimin e Drita Pelinkut, duke marrë me vete dhe pengun e saj fundit që nuk e promovoi dhe largova duke iu lutur Zotit që të ishte e vërtetë ajo që mendonte e bija, “të mos ta kishte kuptuar vdekjen”, duke ikur ashtu me kujtimin e fundit të roleve, për të cilat Zoti e krijoi, duke i dhënë Drita Pelinkut dritë dhe talent.
 
Edi Rama: “Pelinku u largua përgjithnjë duke lënë pas shkëlqimin e saj...”
 
Nuk kanë kaluar pak minuta nga frymëmarrja e fundit e Drita Pelinkut dhe lajmi mori dhen. Ende pa shkuar ora 11.00 telefonoi në shtëpi për ngushëllime kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, pastaj aktorja Margarita Xhepa, aktorja Tinka Kurti, personalitete të politikës, të artit dhe kulturës dhe pak kohë pas telefonatës kryeministri shkruan në facebook-un e tij: “Një tjetër xhevahir u shkëput nga kurora e trashëgimisë sonë skenike! Drita Pelingu u largua përgjithnjë duke lënë pas shkëlqimin e saj...

Shkrimi u publikua sot (03.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)­

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Itali/ Vdekja e 18-vjeçarit shqiptar Samuel Tafçiu dhe binjakeve Esposito, arrestohet 38-vjeçari! Akuzohet se shkaktoi shpërthimin në fabrikën e lëndëve plasëse (FOTOT)

Itali/ Vdekja e 18-vjeçarit shqiptar Samuel Tafçiu dhe binjakeve Esposito, arrestohet 38-vjeçari! Akuzohet se shkaktoi shpërthimin në fabrikën e lëndëve plasëse (FOTOT)