Organizimi i Policisë së
Shtetit, struktura e re

Organizimi i Policisë së<br />Shtetit, struktura e re
TIRANE- Zbardhet struktura e re e Policisë së Shtetit, ku janë evidentuar të gjitha lëvizjet në tërë piramidën drejtuese të saj. Pas Gardës hiqet dhe reparti i “Shqiponjave”, ndërsa janë shkrirë postet e dy zv.drejtorëve të Policisë së Shtetit. Zbulohet organigrama.

Organigrama e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit është dyfishuar, në përpjestim të drejtë dhe me rritjen e numrit të krimeve në familjeve, vrasjeve, vjedhjeve me dhunë, trafiqeve të paligjshme të drogës dhe të qenieve njerëzore. Dhe paralel me këtë ishin rritur dhe numri i departamenteve dhe funksioneve të larta menaxhuese, bashkangjitur respektivisht me 5 zv.drejtorë të përgjithshëm që menaxhonin 4-5 drejtori vartëse. Në informacionin e një burimi të brendshëm të Policisë, thuhet se sipas studimit, një fryrje e tillë është bërë me të vetmin qëllim që personave të caktuar t’u jepen pozicione të larta në strukturë e për pasojë dhe grada të larta.

Ndaj u kërkua të shkrihen 5 departamentet dhe të mbeten dy zv.Drejtorë të Përgjithshëm ndërsa të tjerat duhet të zbresin në nivele drejtorish, që është bërë. Sipas raportit, me organigramën e re të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit janë thjeshtuar departamentet ekzistuese. U parashikua shkëputja nga organigrama e drejtorisë se Përgjithshme të strukturave që merren me krimin e organizuar, trafiqet, terrorizmin e drogën sikurse dhe me korrupsionin duke krijuar Drejtorinë Kundër Krimeve të Rënda.

Te kabineti i Drejtorit të Përgjithshëm, shtohet zyra e Marrëdhënieve me Publikun e Median. Por shkrihet sektori i Auditit pasi është detyrë që e kryen Ministria. Por dhe drejtoria e Qëndrës së Përpunimit e Mbrojtjes së të Dhënave, për shkak të misionit, përgjegjësive, kompetencave ligjore do të kalojë në Ministri, ndërsa drejtorisë së Burimeve Njerëzore i shkrihen dy sektorët e saj që dublohen me sektorët e formimit, trajnimit e pranimit, që janë në Akademinë e Policisë. Ndërkohë ndryshon struktura e drejtorive të policive në qarqe.

Me vendim të Këshillit të Ministrave ndryshoi struktura vertikale e Drejtorisë së Policisë, duke shkurtuar një pozicion zv.drejtori, atë të sigurisë publike dhe rendit. Pas shkrirjes së Gardës janë shkrirë dhe patrullat “Shqiponja”, të Policisë së Tiranë. Në strukturën e re, për herë të parë do jetë edhe Byroja Kombëtare e Hetimit që do varet nga Drejtori i Policisë së Shtetit. Shkrihet posti i zv.drejtorëve për Sigurinë e Rendin në të 12 drejtoritë në qarqe. Ky funksion do asimilohet. Ndryshimet prekin dhe njësinë elitë “Shqiponja” në Drejtorinë e Tiranës që shkrihet, kalon në varësi të komisariateve. Reparti “Shqiponjat” është ringritur në dhjetor të 2012, pas shkrirjes së bërë më 2006. Ishte strukturë brenda Patrullës së Përgjithshme por që varej nga shefi i këtij sektori në Policinë e Tiranë.
 
Struktura e policisë së qarkut

Pas krijimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit Drejtoritë e Policisë së Qarqeve, marrin funksione parësore në parandalimin e zbulimin e krimeve të hapura. Në organigramën aktuale, drejtoritë e policisë së qarqeve funksionojnë me dy zv.drejtorë. Në projektin e strukturës së re, do vendoset struktura e Shefit të Policisë së Qarkut(zëvendësdrejtor)në varësi të së cilit të jenë të gjitha strukturat policore të qarkut. Drejtori ka në varësi seksionin e administrimit të dokumentave e përfaqësimit ligjor, seksionin e shqyrtimit të kundravajtjeve e apelimet, sektorin i shërbimeve mbështetese e financës, policinë shkencore, sektorin operacional e kërkimimin.

Shefi i Policisë së Qarkut do ketë në vartësi sektorin policisë kriminale e hetimin e krimeve të hapura të gjitha figurat e krimeve me përjashtim të atyre që ngelen në Departamenin e Krimeve të Rënda. Hetimi, si një fazë proceduriale delikate, pasi gjithnjë vihet në diskutim procesi i te provuarit, ndaj duhet të përqendrohet në sa më pak duar të afta, ndërsa veprimtaria informative duhet të zgjerohet në sa më shumë burime. Kështu do ruhet sekreti i hetimeve e do zoterohet më shumë informacioni policor, pra do njihen më mirë situatat operative, shkruhet në strukturë.
 
Krimet e hapura

Drejtoria e Policisë Kriminale e Hetimit të Krimeve të Hapura do ndjekë të gjitha veprat kriminale të ndodhura në bazë territori.
 
Informacioni policor
Në çështjet e informacionit policor ndërhyrje në rregullimin strukturor, për të bërë të mundur ngritjen e veprimtarisë informative të policisë në drejtim të ndërtimit dhe marrjes së informacionit policor. Sektori i rendit, patrullat, objektet, dhe ketu të futet edhe drejtimi i të miturve. Shefat e komisariateve të kenë vartësi nga shefi i Policisë së Qarkut.
 
Rrugorja
Sektori i Policisë Rrugore, do ketë dy sektorë. Struktura aktuale e Policisë Rrugore të “komisariateve të menaxhimit të trafikut interurban” e “komisariateve të policisë së trafikut” do riorganizohet në nivel sektori pranë drejtorive të policisë nëpër qarqeve, sektorin e Policisë kufitare e migracionit e sektorin e teknikës speciale.

Shkrimi u publikua sot (11.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, a duhet hetimet të shkojnë përtej mjekëve?



×

Lajmi i fundit

Letërsia shqipe mbetet pa mbret

Letërsia shqipe mbetet pa mbret