Qytetarët e Orikumit në Vlorë të mbështetur nga Partia Demokratike protestuan sot lidhur me premtimet e pambajtura nga qeveria. Sipas qytetarëve qeveria i ka mashtruar dhe të gjitha kanë qënë gënjeshtra dhe nuk ka investime. Zona e Orikumit, sipas tyre ka probleme me dritat dhe ujin, edhe pse është një zonë turistike dhe e frekuentuar nga shumë turistë.Banorët kanë akuzuar kryetarin e bashkisë së Vlorës Dritan Leli, për neglizhencë të qëllimshme ndaj Orikumit.
Qytetarë dhe simpatizantët e PD mbanin në pankarta me mbishkrimet 'Turizmi do ujë, drita dhe rrugë', 'Dritan ktheji sytë nga Orikumi' dhe 'Orikumi zero lekë në tre vite'. Ata kanë hedhur tymuese, ndërsa kanë bllokuar rrugën për disa minuta. Në mbështetje të banorëve ka qenë deputetja e Partisë Demokratike për qarkun e Vlorës Nada Mecorrapaj dhe drejtuesit e degës.
Por, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri ishte sot për inspektim në Orikumi në kantierin e hapur ku tanimë, sipas tij është drejt përfundimit nënstacioni i ri elektrik.
Nënstacioni do bëjë të mundur përmirësimin e furnizimit me energji të të gjithë zonës së Orikumit ku efekti do të jetë i menjëhershëm me lidhjen që do të ketë rrjeti 35 kV. Janë investime të nevojshme për këtë zonë turistike.
Damian Gjiknuri, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë