TIRANE- Filiali i një banke në Orikum të Vlorës është grabitur mesditën e sotme. Në mbrëmje policia ka bërë të ditur se, makina me të cilën është bërë grabitja është vjedhur gjysëm ore para ngjarjes. 

Pronari i saj, Arjan Qinami është mbajtur në bagazh gjatë gjithë kohës deri kur është lënë i lirë 150 metra larg vendit ku u dogj.
 
Nga të dhënat e para mësohet se ka pasur dhe të shtëna me armë, ndërsa grabitësit, mendohet se kanë qenë 4 persona të armatosur dhe me maska.

Korrespondentët tanë në Vlorë thonë se shuma e grabitur është 500 mijë lekë të reja. Për kapjen e autorëve në Vlorë kanë shkuar Forcat Speciale ndërkohë që kërkimet po bëhen dhe me helikopter.

ORA 22:07 MAKINA E GRABITJES U VODH, DREJTUESI U MBAJT PENG
Makina e cila u përdor nga autorët e degës së bankës së grabitur në Orikum të Vlorës është vjedhur gjysëm orë para grabitjes bankës, ndërsa drejtuesi i makinës ka qenë i mbajtur peng në bagazhin e automjetit gjatë kohës që është realizuar grabitja.
 
Ky fakt është konfirmuar nga vetë drejtuesi i makinës shtetasi, Arjan Qinami, punonjës pranë një kompanie që shpërndan produkete kozmetike meshkujsh.
 
Ky i fundit është paraqitur para uniformave të policisë, ndërsa është shprehur se makina i është grabitur me dhunë gjatë ditës sotme nga persona të paidentifikur në afërsi të fshatiy Dukat.

Ndër të tjera ai ka shtuar se grabitësit e kanë lënë të lirë 150 metra larg vendit ku kanë djegur makinën. Gjithashtu grabitësit, i kishin marrë edhe armën rojes së bankës.

MBAJNE PENG ARKETAREN, PISTOLETE NE KOKE ROJES
Dy nga grabitësit kanë hyrë në bankë ndërsa dy të tjerë kanë qëndruar jashtë dhe kanë kërcënuar rojen e bankës duke i vënë pistoletën në kokë. Dyshohet se gjatë momentit të grabitjes, autorët kanë mbajtur peng arkëtaren dhe më pas e kanë liruar në momentin kur kanë dalë nga banka dhe kanë hipur në makinë. 

NJE MAKINE GJENDET E DJEGUR NE DUKAT, DYSHOHET SE ESHTE E AUTOREVE
Sipas burimeve nga policia mendohet se në grabitje janë përdorur dy automjete, të cilat më pas janë djegur nga autorët.

Njëra makinë është gjetur në pyllin e Dukatit, ndërsa tjetra është gjetur në Dukat. Njëra nga makinat, tip Volkswagen me targa Tr3816T mendohet se është e vjedhur fillisht.
  

banka e grabitur ne orikum
(Në foto: Banka e grabitur në Orikum. Foto të tjera )

DESHMITARET: FILLIMISHT KUJTUAM SE ISHTE LOJE
Disa banorë të zonës kanë treguar për A1 Report se kanë dëgjuar të shtëna me armë zjarri. Fillimisht menduam se ishte lojë fëmijësh. Autorët u larguan me shpejtësi me një makinë të bardhë. Nuk arritëm të idenfikonim autorët pasi gjithçka ndodhi shumë shpejt”