Ornela Canaj, kjo motër 
është simboli ynë i këtij 8 Marsi

Ornela Canaj, kjo motër <br />është simboli ynë i këtij 8 Marsi
TIRANË - Imagjinoj Ornela Canajn në vitin 2001 kur Marjan Rroku i vrau motrën 16 vjeçare, Aldën, dhe nënën, Mbarimen. Ornela ishte 21 vjeçe. Mendoj një familje të përgjysmuar, të vrarë nga dhimbja por edhe me strukturat më të forta të shtetit kundër: Policia, SHISH. Imagjinoj dhimbjen e saj të madhe dhe dëshirën për drejtësi.

E vetme, niset drejt Shteteve të Bashkuara, kërkon ndihmën e Shtetit që atje është shtet, dhe realizon atë që deri më tani as që mendohet të realizohet në Shqipëri: identifikimin e më pas arrestimin nga policia federale amerikane të vrasësit Marjan Rroku dhe dënimin e tij me burg të përjetshëm. Ornela Canaj dhe familja e saj nuk bëri vetëgjyqësi, siç shumë shqiptarë do të mund ta mendonin dhe realizonin.

Shoh te Ornela Canaj gjithë dëshirën e të gjithë të brishtëve të Shqipërisë për të vënë në vend të drejtën e që kurrë nuk janë asistuar ashtu siç një shtet duhet ta bënte. Për ne të Shqiptarja.com Ornela Canaj është motra, gruaja e këtij 8 Marsi edhe pse veprimi i saj është më shumë se 8 Marsi për Shqipërinë. Eshtë dhe Drejtësi. Më duket sikur tek Ornela, te përpjekjet e saj mbinjerëzore, është simbolizuar edhe e gjithë përpjekja për drejtësi e të gjithë atyre që nuk kanë pasur "të fortin" e radhës me pushtet për të bërë atë që kanë dashur me pjesën tjetër të popullsisë: në vrasje, në rrëmbime pronash, në çdo kusari.
 
Një motër heroinë
Realiteti, ndodh, të kapërcejë çdo imagjinatë për të keqen dhe veprimin e saj mbi jetën. E tillë është historia e Alda Canajt, nxënëses 16 vjeçare të shkollës së mesme të Gjuhëve të huaja “Asim Vokshi” dhe e mamasë së saj Mbarime, të dyja të vrara në vitin 2001 pas përndjekjes të ish-funksionarit të SHIK, Marjan Rroku. Sot në burg përjetë pas tentativave të gjata për fshehje identiteti dhe azilimi deri në Shtetet e Bashkuara.
 
Alda sot nuk jeton dhe në mendjet tona, për kë nuk e ka njohur nga afër, do të mbetet kjo fotografi, dëshmi e brishtësisë se saj, por edhe e dashurisë për librat. Një e re që në sfond të fotos së saj ka zgjedhur këtë librari mbushur plot.
 
Historia e harruar e Aldës së vrarë, erdhi në vëmendjen e opinionit publik pasi showmeni Ardit Gjebrea i Tv kombëtar Klan, vendosi të intervistojë i përlotur në burg, pikërisht, Marjan Rrokun. Gjebrea jetoi 24 orë me të, hëngri me të, fjeti me të, psherëtiu me të, u përlot për djalin e Rrokut, të cilit i mungon i ati... Gjebrea bëri thirrje që Rroku të mund të dilte nga burgu sepse është penduar për atë që ka bërë. Gjebrea, në asnjë fjali nuk shprehu keqardhje për nënën dhe vajzën e saj të vrarë, nuk kundërshtoi edhe deklaratat hapur kontradiktore.
 
Kjo intervistë ka hapur shumë debate në opinion dhe pikërisht nga këto reagime dhe nga intervista që sipas Ornelës ishte “një vrasje të dytë për motrën time të vogël dhe mamanë time”, ajo shfaqet në publik. Ornela hap për herë të parë një profil dhe flet në FB dhe në skype nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për gazetaren Rudina Xhunga për të treguar se Marjan Rroku po gënjente përsëri dhe risolli me forcë para gjithë shqiptarëve të vërtetën e ngjarjeve, rrugëtimin e saj në SHBA në ndjekje të Rrokut, deri në zbulimin e tij dhe arrestimin nga federalët amerikanë, duke vënë të paktën në vend një pjesë të drejtësisë që kurrë nuk do t’i kthejë dot motrën.

Një plan për lirimin e Rrokut? 
Rroku pas arrestimit në SHBA u ekstradua në Tiranë, ku vetëm dy javë para intervistës në TV Klan ka kërkuar të rishqyrtohet dënimi i tij në Gjykatën Kushtetuese. A ishte intervista e Ardit Gjebresë pjesë e një plani për ta nxjerrë nga burgu Marjan Rrokun? Këtë nuk do ta mësojmë dot, nëse strukturat shtetërore nuk bëjnë detyrën. Por një gjë është e vërtetë: Marjan Rroku, gjatë intervistës së Gjebresë përloti shumë vetë në Shqipëri, ndoshta përloti edhe një pjesë të drejtësisë alla shqiptare, por ajo intervistë shërbeu të rikthejë në vëmendje këtë histori me gjithë detajet e tmerrshme.

Kështu mësuam se si SHIK dhe policia u rreshtuan në anën e e vrasësit të Alda dhe Mbarime Canajt, por jo vetëm kaq. Të dy këto struktura shtetërore penguan e zhdukën çdo denoncim që kjo familje kishte bërë me persekutimet e vazhdueshme e kërcënimet me armë dhe me jetë të vajzës 16 vjeçare.

Por një motër, një bijë e etur për drejtësi (dhe jo për vetëgjyqësi) ndonjëherë mund të bëhet më e fortë se një shtet i korruptuar. Ornela gjeti drejtësi në Shtetet e Bashkuara, por ne tani, Shteti shqiptar,  të mos bëjë të pamundurën që të rrëzojë gjithçka dhe që përfundimisht ta vulosë Shqipërinë si një vend ku fiton gjithmonë i keqi!


Redaksia Online
(E.Ç./shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Debati në ‘Frontline’/ Baçi: Rama përdor drejtësinë për të goditur PD! I kthehet Lita: Gjyqtarët që dënuan Salianjin iu dhanë vulën

Debati në ‘Frontline’/ Baçi: Rama përdor drejtësinë për të goditur PD! I kthehet Lita: Gjyqtarët që dënuan Salianjin iu dhanë vulën