Ornela Vorpsi, mes amësisë dhe pasionit prej gruaje

Ornela Vorpsi, mes amësisë dhe pasionit prej gruaje

Shkrimtarja, Ornela Vorpsi

Si ndryshon dëshira kur një grua bëhet nënë? A vjen përpara dashuria për një fëmijë apo për burrin që kemi zgjedhur? Përse tradhtohet, kur dashnorët duhen vetëm për të kujtuar dashurinë për burrin? A i përmbys pasionet lindja e një fëmije? Shkrimtarja Ornela Vorpsi heton misterin e amësisë në librin e saj më të ri,“ Udhëtim rreth mëmësisë”.

Është një udhëtim rreth nënës, libri i ri i Ornela Vorpsit, botuar nga “Nottetempo”. Lindur në Tiranë, i kreu studimet në Akademinë e Brerës, fotografe dhe piktore, tani banon në Paris, shkrimtarja ka zgjedhur gjuhën italiane për debutimin e saj “Vendi nuk vdes kurrë”, zgjedh frëngjishten për të vazhduar hetimin e saj mbi emocionet dhe mbi letërsinë; që është thelbësore dhe e mprehtë si ajo e Grace Paley-t. Nuk tërhiqet përballë një argumenti jo të rehatshëm: si ndryshon seksualiteti me mëmësinë.

Për ta bërë, zgjedh një personazh pa paragjykime dhe të lirë deri në papërgjegjshmëri. Me një tjetër nënë të bezdisshme pas shpatullave është një ngarkesë kompleksiteti. Rezultati është një udhëtim rreth gruas.

“Ka një kohë për gjithçka”përsërit në libër. Predikuesi është edhe më i qartë: “Ka një kohë për të përqafuar dhe ka një kohë për t’iu larguar përqafimit”. A ka një moshë për t’i mbajtur në fre pasionet?

Mendoj se ka një kohë për gjithçka, siç thotë edhe Predikuesi. Kam një ide të saktë të konceptit të dinjitetit kundrejt vetes. Sot ndjehem larg nga proceset si të flirtoj për një marrëdhënie kalimtare: do të ndjehesha qesharake. Sa më shumë kalon koha, aq më shumë kam të tjera botë për t’u thelluar. U ndodh shumë grave.

A ekziston mosha e përsosur e pasionit?

Nuk besoj. Edhe pse kultura perëndimore shenjtëron në qendër të pasionit gruan e bukur dhe të re, të kthyer thuajse në një idhull. E shoh tronditëse dhe shumë budallaqe.

A ka qenë amësia ajo që e ka ndryshuar marrëdhënien tuaj me joshjen?

Kam një vajzë 6-vjeçare. Por nuk është një çështje përgjegjësie, do të ishte njësoj edhe pa të. Shoh rrotull shumë gra të kënaqura nga vaniteti. Unë jetoj një epikë të gjithën për vete duke kultivuar interesa të tjerë. Përfshirë këtu edhe thellimin e domethënies së qenit nënë.

Çfarë keni zbuluar deri më tani?

Që nëna është një tokë e pafund, së cilës fëmija i besohet plotësisht. Në të beson gjithçka. Kam dashur të reflektoj se çfarë pushteti ka një mama: të shkatërrojë apo t’u japë jetë gjërave të mrekullueshme. Më godasin shumë infanticidet. Tregojnë se dashuria amësore nuk është dhënë nga natyra, por është një mësim i ngadaltë .

Kam jetuar gjatë pa ty. Mësoj të të njoh. Dashuria është, por nuk mjafton…

Dashuria nuk është një ndjenjë e dukshme, të paktën jo për të gjitha. Mamaja mund të jetë një terren i minuar. Gruaja e librit, që shkon në takim me dashnorin duke e ditur se nuk e do, i vë në rrezik të gjithë në pak minuta: fëmijën, martesën, vlerat e saj. Por nuk mundet të mos flirtojë me tragjedinë.

E keni shkruar këtë libër në gjuhën frënge. Ju në cilën gjuhë dashuroni?

Flas katër gjuhë, jetoj me luftën e vazhdueshme të epërsisë. Në pavetëdije, përpiqem të transportoj pasurinë nga njëra te tjetra. Kjo krijon disonancë, më shpronëson nga pastërtia. Gjuha ime e fëmijërisë është shqipja, më e forta. Të tjerat janë më të lakueshme. Më bëjnë të pamatur, sepse mes meje dhe tyre ka distancë.

Fantazitë, a janë gjuhë të huaja?

Burri im është italian. Fjalët më të turpshme në shqip më shqetësojnë e mund të më lëndojnë: sepse i kam mësuar ndërsa zbuloja peshën dhe fuqinë e fjalëve.

Dhe në cilën gjuhë ëndërroni?

Më vijnë ndërmend vetëm imazhe, jo në një gjuhë të caktuar. Si për një të porsalindur, perceptimet, heshtja, emocionet lënë të njëjtat përshtypje. Por ndoshta mendimi nuk ka gjuhë.

Këtu evokoni romanet francezë e ata rusë të formimit tuaj. A ka pasur edhe ndonjë lexim të rëndësishëm në italisht?

Pirandelo. “ Novelat për një vit”. Të tmerrshme, prekëse, të paharrueshme: si ajo mbi një xhuxheje që i arratiset kuvendit për dashuri dhe përfundon e zhgënjyer, prej vitesh përpiqem t’i kujtoj titullin. Lucilla ndoshta. Nga përmbledhja “Berecche dhe lufta”. Edhe pse një tjetër figurë tragjike më vjen ndërmend. Nanà, Emil Zola. E pazonja për të dashur, ose të paktën ndrojtur, fëmijën e saj.

*Marrë nga gazeta L’Espresso / Nga Sabina Minardi

 Udhëtim rreth nënës, kontradiktat e amësisë
Ajo quhet Katarina, një grua që është bërë nënë së fundi, një status për të i paimagjinueshëm duke parë që deri para pak vitesh nuk i njihte aspak fëmijët, përpiqej t’i shmangte, duke menduar për gjithçka, përveçse të kishte të sajtë. Pastaj gjërat ndryshuan dhe me ardhjen e të voglit pa të dilte në pah ajo pjesë më e brendshme dhe më e thellë e vetes, bërë prej dashurie të vërtetë në të gjithë madhështinë e saj. “Është diçka e pafund, një dashuri që rritet ditë pas dite, është pafundësia në zgjerim të vazhdueshëm”, do të thotë duke u habitur, pikërisht ajo që e besonte pafundësinë “pa kufij”. E ka të vështirë të imagjinojë se ajo që është pa kufij mund të rritet “e të vazhdojë të jetojë vetëm për të” është për të më e rëndësishme, dhurata e saj më e madhe, ajo që i kushton më shumë. Tani që i vogli ka temperaturë, duhet të zgjedhë nëse do të qëndrojë në shtëpi me të, apo ta dërgojë në çerdhe për të parë në të gjithë qetësinë dashnorin e saj të ri “një të huaj që i përket atyre qenieve, të cilëve historia u ka mohuar çdo të vërtetë, çdo rëndësi, çdo jetë”. Pastaj, mjafton t’i japë pak Tachipirina apo Lexotan “e gjithçka zgjidhet”. Apo jo? Kjo ide e vë në siklet, e bën të ndjehet kriminele, por mbi të ka një Katarinë tjetër më të mirë, ajo e fshehura, strukur në thellësi që kërkon ta sigurojë “nuk ka asgjë, çfarë do i ndodhë? Në çerdhe nuk do të ketë temperaturë dhe do të flejë, fiks në kohën e takimit të saj”. Katarina e di që dashuria është kërkuese dhe e pashpirt. “Kam mësuar nga romanet rusë dhe francezë”, e di se zemra e mbyt mendjen kur i gjithë gjaku rrjedh në të. E tmerron ideja se mund të braktiset, “do të sëmurej, do të rrezikonte të mos kthehej gjallë” dhe duhet të ndërtojë historitë e saj në mënyrë që të jetë ajo që lodhet dhe largohet e para”. E dashuron ende burrin me të cilin është martuar, fle ende me të, por nuk duron disa nga sjelljet e tij që me kalimin e viteve janë bërë gjithnjë e më bezdisëse dhe është edhe kjo arsye përse e tradhton me një më të ri. “Qysh prej takimit të tyre të parë ka njohur mërzinë, por një pjesë e saj e ka detyruar të qëndrojë”, nga ana tjetër “ajo mërzi në plotësinë e jetës është bërthama e vetë jetës”. Është përpjekur më se njëherë ta lërë të shoqin, por ai e ka bërë gjithnjë për vete, duke mos dashur kurrë t’i besojë asaj të vërtete të dhimbshme, as përballë tradhtisë më të qartë. Duke bërë kështu, Katarina e ka konsideruar gjithnjë një vrasës të aftë për ta vrarë, por në të njëjtën kohë të aftë për ta bërë për vetë çdo herë. Për të sajin dhe për martesën në përgjithësi, ka dashur gjithnjë të çmojë utopinë dhe premtimet, të njëjtat ato që nuk ka mundur kurrë t’i mbajë, të mbushura me vargonj që rëndojnë dhe që patjetër duhen mbajtur në dysh, ndryshe nuk funksionon kurrë asgjë. Kështu do i japë kënaqësi çdo lloj pasoje e nuk do të pranojë nga askush të mbërthehet, sepse ajo gjithherë është e lirë dhe e shpenguar , aq sa duhet dhe nuk i ka interesuar gjykimi i askujt. “të tjerët –i thoshte gjithmonë i ati –mund të të pengojnë, janë mediokër dhe si të tillë janë pak të prirur ndaj ndjeshmërisë”. Dhe kur je mediokër, gëzon një këmbëngulje më të madhe. E di mirë se edhe kur është “ dashuria nuk mjafton” dhe se “ duhet të mësosh të njohësh veten e të përgatitesh, të paktën me pak errësirë brenda” siç di edhe se “ të kesh nevojë për tjetrin, vë në rrezik” dhe se “ besimi i plotë në vete është sinonim i budallallëkut”. Në çdo rast, pikërisht ajo dashuri, që kërkon rini dhe bukuri, por mbi të gjitha shumë inteligjencë “ është një hir: duhet ta presësh pa e pritur”. Më shumë se njëherë ka kërkuar të ndrydhet vetëm që të vazhdonte të jetonte, por nuk ka reshtur kurrë së kërkuari: te një nënë e pranishme dhe e rëndë që ia shfaqte në mënyrën e saj ( Mos mendo se je e bukur sepse burrat të shohin”, dhe i thoshte “ të shohin sepse je e re. Për asnjë motiv tjetër. Je thjesht mish i freskët. Burrat e adhurojnë mishin e freskët”), te një baba me shumë ngjashmëri të përbashkëta, te të dashurit e shumtë, te bashkëshorti, te dashnori, dhe në fund tek ai fëmijë i papritur që është tashmë arsyeja e jetës. Është i thellë dhe prekës ky libër i Vorpsit ( përkthyer nga Ginevra Bompiani dhe Benedetta Torrani), i pari që autorja shqiptare që sot banon në Paris, ka vendosur të shkruajë në gjuhën frënge. Në pak më shumë se 100 faqe, të dhimbshme por plot me dashuri, ka arritur të pikturojë me një penel të veçantë një telajo të vogël, ku ngjyrat e ndjenjës së fajit, të frikës dhe të gabimeve të pashmangshme bashkohen dhe ngatërrohen me ato të dashurisë amësore më të pastër, shfaqur në të gjitha format e saj. Dhe rezultati nuk mundet të mos jetë i jashtëzakonshëm. Lexuesi ka përpara atë përzierje të duhur që e çon, pa e konsideruar kurrë Katarinën një njeri të keq, por një nënë të zonjën, një grua të aftë të sigurojë praninë e saj ashtu si edhe të dhurojë mungesën por, mbi të gjitha një që me mbërritjen e të birit ka vendosur të mos vdesë si grua, gabimi më i zakonshëm që shumë mama të reja e kryejnë pak pas lindjes. Ka vendosur të qëndrojë një grua se përsa i shërben së pari vetes, është një nënë që di të shkëputet nga i biri pa i lënë t’i mungojë asgjë, dhe kjo nuk mundet veçse të jetë një e mirë për të, por mbi të gjitha për djalin. “Doja të flisja për figurën e nënë dhe të qenit nënë” është shprehur shkrimtarja, që është edhe fotografe dhe piktore. “Katarina është një qenie kontradiktore, dhimbshëm njerëzore dhe viktimë e rënies në dashuri: takohet me dashnorin duke e ditur se nuk e dashuron, vë në rrezik të gjithë, në pak çaste: nga fëmija, te martesa, deri te vlerat e saj, por nuk ndjehet në faj, për të është në rregull kështu. “në fund të fundit, vazhdon, dashuria nuk është aspak një ndjenjë për t’u marrë e mirëqenë dhe duke u sjellë kështu përpiqet të kuptojë deri në ç ‘pikë mund të arrijë dhe si t’i zotërojë pasionet dhe dëshirën”. Brenda një natë dhe mbrëmjen pasardhëse ( kjo është edhe kohëzgjatja e romanit) do të jeni në anën e saj, ose ndoshta jo, por kjo pak rëndësi ka. E sigurta është se një personazh në përgjithësi vështirë të harrohet dhe fjalët e saj, thelbësore dhe të mprehta, do të mbesin brenda jush, gjatë.

* Huffington Post/ Giuseppe Fantasia

E frymëzuar nga letërsia ruse

Udhëtim rreth nënës” nga Ornela Vorpsi është një roman që zhvillohet në hapësirën e 24 orëve, në të cilën protagonistja ndjek dëshirën e saj të takimit të fshehtë me të huajin ( kështu e quan protagonistja dashnorin), moment protestues nga i cili Vorpsi zhvillon romanin e vërtetë brenda vetes, që luhet mbi të tjera plane me një shkrim që ecën pa pushim, që na ngop, ose të paktën vetëm në fund. Obsesioni ( fjala kyç) që çon në takim dhe qe tejkalohet nga frika që fëmija ët mos pranohet në çerdhe por kurrë nga një ndjenjë faji, jep një pushim. Ndërmjetësojnë në fakt, një shkëputje dhe një rimendim të vetë jetës, domethënia që ka për Katarinën mëmësia, si edhe raporti që ajo vetë ka dhe ka pasur me të ëmën, Natashën por edhe me të atin, i dalë nga jeta e saj kur ishte ende fëmijë. Katarina bijë, është e shtrënguar në një marrëdhënie të ndërlikuar me Natashën, me dashuri të thellë, totale dhe e përfshirë, që nuk lë rrugë shpëtimi edhe pse jetohet shumë kundërshti. Duhet të thuhej se Natasha është një matrioshka e madhe, imazh jo krejt rastësor i kulturës ruse, duke parë praninë e vazhdueshme në roman të personazhit Zinaida Aleksandrovna në tregimin e Turgenjevit “ Dashuria e parë”. Një grua me të cilën Katarina identifikohet në moshë të re, një lloj matrice në të cilën përfshihet një përsosmëri perverse dashurore, seksuale, amësore. Zinaida Aleksandrovna do të jetë figura me të cilën ajo do të përpiqet të lexojë botën që e rrethon: një grua prej letre, që Katarina e dallon te gratë që takon edhe rastësisht në rrugë, dhe përmes tyre, dëshiron të njohë një anë të asaj vete që nuk e ka më. Ky fiksim letrar ndeshet me një aspiratë prej tjetërkundi që është edhe e saj ( jo vetëm e të shoqit). Për këtë ndoshta, i biri është një shtojcë e pajetë, një vizion, duket gati sikur nuk është i pranishëm, të qëndruarit në sfond. Gjë që sugjeron se udhëtimi i këtij romani është i dyfishtë, pikërisht i Katarinës si mama dhe bijë, por mund të marrë- ashtu siç edhe ndodh- drejtime të ndryshme dhe duke i shumëfishuar pjesët, personazhet, mbivendos rolet dhe devijon lexuesit, përzien nivelet e leximit siç di të bëjë vetëm letërsia e mirë./The Albanian/

*Alessan Trevisan
 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Vlorë/ Drogë, thyerje mase, djegie makine dhe aksident, 2 të arrestuar, 2 nën hetim dhe një në kërkim

Vlorë/ Drogë, thyerje mase, djegie makine dhe aksident, 2 të arrestuar, 2 nën hetim dhe një në kërkim