TIRANE-Lorenc Goça , një tregtar armësh i cili u konstatua ortak me bashkëshorten e kreut të SHIU-t Ylli Zyla, ka themeluar në Tiranë një tjetër kompani vetëm 10 ditë më parë. Sërish objekti i kompanisë është tregtimi i municioneve, por edhe tregtimi i naftës, ndërsa kompania është krijuar fill pasi lidhjet e Zylës me Goçën çuan në dorëheqjen e kreut të SHIU-t. Më datën 18 korrik 2007 rezulton se Goça ka regjistruar në regjistrin Kombëtar të Biznesit kompaninë "RSM & RB Finance Albania". Vetë Goça kontrollon 25 përqind të aksioneve të kësaj kompanie. Thelën e luanit në këtë kompani e ka një shtetas serb i quajtur Milan Radovanoviç ndërsa 25 përqindëshin e mbetur e ka një shtetas i Kosovës i quajtur Bylbyl Miftari. Nga një kërkim i thjeshtë në internet rezulton se kompania "RSM & RB Finance Albania" është filial i një kompanie me të njëjtin emër të quajtur "RSM & RB Finance" e cila është e regjistruar në Luksemburg, por zyrat i ka në Zvicër. Nga deklarimi zyrtar i të dhënave të kompanisë mëmë rezulton se pronar i saj është shtetasi serb Milan Radovanoviç i cili në filialin shqiptar të kompanisë kontrollon 50 përqind të kuotave.

KOSOVA
Duket se kompania "RSM & RB Finance" përveç Shqipërisë ka vendosur të hapë filial edhe në shtetin e Kosovës. Madje në të njëjtën ditë dhe datë. Në të dhënat publike të regjistrit Kombëtar të biznesit në Kosovë rezulton se më 19 Korrik në Prishtinë është regjistruar kompania "RSM & RB Finance Dega Kosovë". Pronare e degës së Kosovës është filiali i Tiranës ndërsa përfaqësues të degëzimit kosovar të kompanisë është shtetasi Bylbyl Miftari por edhe një tjetër shtetas serb i quajtur Jadran Pavlovic. Ky i fundit rezulton pronar i një kompanie ndërkombëtare eksporti me qendër në Vienë ndërsa Bylbyl Miftari mësohet se është një ish efektiv i ushtrisë kosovare.

RSM
"RSM & RB Finance" ëhstë një kompani e cila është e regjistruar në shtetin e Luksemburgut por zyrat i ka në Zvicër, Beograd dhe në Moskë. Të paktën këtë sugjerojnë të dhënat e vetëshpallura nga kjo kompani. Pronari i kësaj kompanie Milan Radovanoviç ka shpallur dy numra kontakti, një numër serb që korrespondon zyrë në Beograd dhe një numër zviceran që korrespondon numër i një zyre në Zyrih. Por jo vetëm pronari Milan Radovanoviç por edhe kreu i Bordit Drejtues të kësaj kompanie shtetasi serb i Bosnjes i quajtur Milovan Vukoje ka lënë si numra kontakti numrat e dy zyrave në Beograd dhe në Zvicër. Përveç këtyre dy numrave në faqen elektronike të kompanisë "RSM & RB Finance" janë të ekspozuar edhe numrat e kontaktit të një shtetasi rus. Ai quhet Aleksej Litvinov i cili ka shpallur gjithashtu dy numra të ndryshëm telefonik për ta kontaktuar dhe prefiksi i numrave tregon se numrat i përkasin Rusisë dhe zyrat janë me seli në Moskë.

Ish kreu i Shërbimit Informativ Ushtarak Ylli Zyla paraqiti dorëheqjen disa javë më parë pasi Shqiptarja.com vërtetoi lidhjet e biznesit të bashkëshortes së tij me disa tregtarë armësh që kishin eksportuar armatim në Nigeri. Këtë armatim ortakët e Zylës e kishin porositur dhe blerë në Ministrinë e Mbrojtjes. Por nga të dhënat e fundit të hedhura në sistemin e Qendrës Kombëtare të Biznesit rezulton se bashkëshortja e Zylës përveç kompanive të zbuluara më parë ka themeluar edhe kompaninë "Dardi Security" e gjitha në pronësi të saj dhe e fokusuar kryesisht në import-eksportin e paisjeve të sigurisë por edhe në ofrimin e shërbimeve për përdorimin e paisjeve të sigurisë dhe sistemeve të ngjashme.
(sg/Shqiptarja.com)