Gjithashtu, ambasadori i OSBE-së, Florian Raunig, i ka dërguar kreut të Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, ku theksohet se, nëse kjo vepër penale i kalon për kompetencë Krimeve të Rënda, kjo do të sillte një hap pas në luftën ndaj korrupsionit.
“Pas një rishikimi të hollësishem të draftit të sipërpërmendur, prezenca doli në përfundimin se miratimi i pjesës qëndrore të ndryshimeve, transferimi i kompetencave Gjykatës së Krimeve të Rënda, do të thoshte, në fakt, një hap mbrapa në luftën kundër korrupsionit. Në këtë pikëpamje, dëshirojmë të theksojmë se situata aktuale në luftën kundër korrupsionit është në thelb jo edhe aq shumë një problem që lidhet me legjislacionin, por me moszbatimin e kuadrit ligjor ekzistues”, thuhet në letrën e Raunig për kreun e Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj.
OSBE bën të ditur se, vepra penale e korrupsionit nuk është e rëndë dhe nuk mund të gjykohet tek Krimet e Rënda.
“Pavarësisht kësaj, prezenca është e mendimit se transferimi i juridiksionit lëndor për të gjitha veprat penale që lidhen me korrupsionin, pavarësisht natyrës dhe shkalles së tyre, Gjykatës së Krimeve të Renda dhe rrjedhimisht, Prokurorisë së Krimeve të Rënda, nuk i shërben luftës ndaj korrupsionit”, thuhet në komentet e bëra nga OSBE.
“Njësitë që e kanë marrë një trajnim të tillë të specializuar janë Njësitë e Përbashkëta Hetimore. Njësitë e Përbashkëta Hetimore, mbledhin specialistë nga organe të ndryshme publike me ekspertizë në fusha të ndryshme si legjislacioni, financat dhe ekonomia. Njësitë e Përbashkëta Hetimore janë ngritur posaçërisht me qëllim rritjen e cilësisë se hetimit dhe ndjekjes penale të krimeve në fushën e krimit ekonomik dhe korrupsionit”, thuhet në komentet e bëra nga OSBE.
Sipas OSBE-së, “me transferimin e kompetencave nga gjykatat e rretheve, Gjykatës së Krimeve të Rënda, projektligji i transferon automatikisht kompetencat nga prokuroritë e rretheve Prokurorisë së Krimeve të Renda, duke i zhveshur, Njësitë e Përbashkëta Hetimore që drejtohen nga prokurorët e rretheve nga kompetenca e tyre për t'u marrë me rastet e korrupsionit”.
“Në mendimin tonë, kuadri ligjor aktual nuk mund të shihet si arsyeja e deritanishme e dështimit të luftës ndaj korrupsionit. Siç theksohet në ‘Raportin e Progresit të Komisionit Evropian’, problemi qëndron te mungesa e një qasjeje proaktive, si dhe tek mungesa e
burimeve dhe pajisjeve të përshtatshme”, thuhet në raportin e përgatitur nga OSBE-ja, për dy ligjet atë të Kodit të Procedurës Penale dhe ligjit Anti-mafia.
“Një luftë serioze ndaj korrupsionit do të përqendrohej së pari tek aksioni dhe jo tek reforma thjesht ligjore. Transferimi i juridiksionit siç parashikohet nga projektligji do të mbetej thjesht një reformë ligjore, nëse nuk shoqërohet nga hapa konkrete shumë specifike”, thotë OSBE.
Sipas këtij institucioni, “hapa të tillë duhet të konsistojnë të paktën në pajisjen e
çdo organi të specializuar që presupozohet të luftojë korrupsionin me burimet e nevojshme njerëzore dhe materiale. Për më tepër, duhet të garantohet llogaridhënia e atyre që e kanë për detyrë të luftojnë korrupsionin”.
Letra nga Ambasadori Rauning për z. Fatmir Xhafaj