OSBE: Reforma territoriale të
garantojë pavarësinë e vendoritPDF-Raporti i OSBE për Shqipërinë

TIRANE- Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Florian Raunig, paraqiti sot, në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së në Vjenë, raportin për gjendjen në Shqipëri dhe veprimtarinë e Prezencës, për periudhën shtator 2012 – tetor 2013.

Raporti i përbërë nga 14 faqe vëren se zgjedhjet e 23 qershorit ishin të qeta dhe kalimi relativisht i qetë i pushtetit shënuan një përparësi domethënëse në Shqipëri megjithë mjedisin e vështirë ekonomik dhe politik ku ndodhet Shqipëria. Raporti vëren se qeveria e PS-së dhe LSI-së erdhi në pushtet me një program ambicioz duke i shpallur luftë korrupsionit dhe krimit.

Megjithëse atmosfera mosbesimi mes dy forcave politike njollosi mjedisin politik  raporti përfundimtar i misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve i Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR)doli në përfundimin se zgjedhjet “ishin konkurruese, me pjesëmarrje aktive qytetare gjatë gjithë fushatës dhe respekt të mirëfilltë për liritë themelore”.
OSBE vëren se dialogu konstruktiv qeveri-opozitë është domethënës për integrimin dhe se Shqipëria duhet të vijojë reformën në administratën publike.

REFORMA TERRITORIALE TE GARANTOJE PAVARESINE
”Qeveria e re e ka renditur reformën territoriale dhe administrative si një përparësi kryesore, ndonëse kjo do të kërkojë konsultim të gjerë publik për të zhvilluar një vizion strategjik dhe plan veprimi të dakordësuar dhe një metodë për matjen e përparimit. Në vijë me Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore të Këshillit të Evropës, reforma duhet të garantojë pavarësinë politike, administrative dhe financiare të qeverive vendore. Më tej, është thelbësore që të merren masa që procesi i vendimmarrjes për këtë reformë të jetë transparent, gjithëpërfshirës dhe konsensual. Mekanizma konsultimi mes qeverisë vendore dhe shoqërisë civile rreth hartimit të politikave po zënë fill, sikurse dhe transparenca në procesin
vendimmarrës. Njësitë e qeverisë vendore përballen me sfidën e ushtrimit të funksioneve të transferuara pa përgatitje dhe me burime financiare shumë të kufizuara. Sfidat më të mëdha
kanë të bëjnë me zbatimin e politikave kombëtare në lidhje me planifikimin territorial, menaxhimin e ujit dhe mbetjeve dhe mirëqenien sociale."

QEVERIA RAMA NE DETYRE ME PROGRAM AMBICIOZ
"Qeveria e re mori detyrën më 15 shtator, me një axhendë ambicioze. Megjithëkëtë, qeveria e re përballet me sfida të konsiderueshme, të cilat duhen trajtuar në një mënyrë të pjekur dhe gjithëpërfshirëse. Është pozitive që shumica e re ka shfaqur interesin e saj të fortë për të ecur përpara me reformat shumë të nevojshme dhe është zotuar të punojë bashkë me opozitën në këtë drejtim. Shpresohet që opozita do të përgjigjet në një mënyrë të favorshme për arritjen e përparimit në axhendën e reformave të vendit. Prezenca dhe bashkësia ndërkombëtare më gjerë kanë vijuar t’u theksojnë të gjitha palëve nevojën për t’u angazhuar plotësisht në institucionet demokratike të vendit. Klasa politike shqiptare ka rastin që të përqafojë një stil të freskët politik për të përballuar sfidat thelbësore dhe për të përmbushur aspiratat e qytetarëve të saj. Këto aspirata dhe vlerat që ato mbartin janë edhe të OSBE-së
dhe Prezenca në Shqipëri ka një rol të spikatur për të luajtur në avancimin e tyre, duke ofruar përkrahje dhe partneritet"- thuhet në raport.

28 NENTORI, PATI RRITJE TE RETORIKES NACIONALISTE
“Periudha përpara festimeve të100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 2012, ndërkohë që shënoi një pike kulmore në bashkimin dhe krenarinë kombëtare për qytetarët e Shqipërisë, u shoqërua nga një rritje e retorikës nacionaliste, duke krijuar shqetësim te disa prej fqinjëve të Shqipërisë dhe te bashkësia ndërkombëtare. Bashkë me partnerët ndërkombëtarë, Prezenca i nxiti udhëheqësit politikë që tëmbanin parasysh se Shqipëria, në pjesën më të madhe të dy dhjetëvjeçarëve të fundit, ka luajtur një rol konstruktiv dhe stabilizues në rajon. Si përfundim, nacionalizmi nuk e ndikoi ndjeshëm fushatën dhe nuk u pasqyrua në rezultatin e zgjedhjeve.”

U RRIT FOKUSI NE LUFTEN E KRIMIT POR DUHET BERE ME SHUME
“Policia e Shtetit ka rritur fokusin e saj në luftën kundër grupeve kriminale të përfshira në një mori veprimtarish kriminale, si në trafikimin e drogës, automjeteve dhe armëve, sidomos kundëra tyre që prodhojnë dhe trafikojnë kanabis sativa brenda Shqipërisë. Për rrjedhojë, policia ka mundur të asgjësojë një numër të konsiderueshëm bimësh dhe të sekuestrojë një sasi të madhe hashashi. Rritja dramatike, siç raportohet, në sekuestrimin e heroinës dhe kokainës më 2012 është pozitive, por nxjerr në pah shkallën e problemit. Shumë mbetet për të bërë për të zvogëluar dhe goditur grupet kriminale të organizuara transnacionale, të cilat kalojnë mallra të paligjshme përmes Shqipërisë, si dhe për të çrrënjosur qendrat e njohura të prodhimit vendas”.

 QEVERIA E RE I KA SHPALLUR LUFTË KORRUPSIONIT
"Në luftën kundër korrupsionit, me gjithë angazhimin e qeverive të një pas njëshme dhe reformën ligjore përgjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit, perceptimi I korrupsionit në terren është rritur, sipas Transparency International. Gjatë vitit të shkuar u vërejt përgjithësisht një përparim i kufizuar në çështjet kundër korrupsionit. Në një hap për t’u përshëndetur, Kuvendi miratoi, në shtator 2012, një paketë ndryshimesh kushtetuese që kufizon imunitetin e përgjithshëm nga ndjekja penale të deputetëve, gjyqtarëve dhe zyrtarëve të tjerë të lartë. Megjithë se ndryshimet e miratuara nga Kuvendi hoqën një pengesë madhore për hetimin e rasteve të supozuara të korrupsionit, procedurat hetimore ende kërkojnë qartësim. Sfida mbetet për t’i shndërruar angazhimet në zbatim efektiv, me nivelin e duhur të transparences dhe llogaridhënies dhe një bilanc bindës, përfshirë procedime të nivelit të lartë.
Qeveria e re e ka shpallur luftën kundër korrupsionit një përparësi kryesore dhe ka çuar për hetim dhe ndjekje penale disa zyrtarë për akuza korrupsioni. Qeveria gjithashtu ka thënë se do të hartojë një strategji të re kundër korrupsionit dhe plan veprimi përkatës. Organet shtetërore që merren me korrupsionin nuk janë ende plotësisht të mbrojtura nga presioni politik dhe vuajnë nga kufizimi i burimeve njerëzore dhe financiare. Prezenca po i ndihmon autoritetetkombëtare që të zhvillojnë një kuadër institucional më efektiv për të parandaluar dhe luftuarkorrupsionin dhe pastrimin e parave. Rrjedhimisht, ka pasur përmirësime në komunikimin dhe bashkëpunimin mes institucioneve qendrore, si dhe një shtim të numrit të rasteve të denoncuara në prokurori, megjithëse rezultatet mbeten për t’u pare. Në bashkëpunim meInspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive(ILDKP) dhe Institutin eTrajnimit të Administratës Publike, mbi 200 zyrtarë publikë dhe të zgjedhur vendorë u trajnuan për etikën, konfliktin e interesit dhe antikorrupsionin për të siguruar një zbatim efektiv të masave dhe mekanizmave kundër korrupsionit. Për më tepër, Prezenca mbështeti hartimin dhe botimin e një manuali për pikat fokale të ILDKP-së në institucionet publike, për të përmirësuar parandalimin dhe hetimin e hershëm të rasteve të konfliktit të interesit."

RICIKLIMI I MBETJEVE
"Problemi i menaxhimit të mbetjeve është pranuar gjerësisht dhe numri i kompanive ricikluese në Shqipëri u rrit vitin e fundit, kjo nuk ka sjellë ende një përmirësim të menaxhimit të mbetjeve të ngurta në nivel kombëtar. Në një lëvizje që u përshëndet nga mjedisorët, por u kritikua nga industria ricikluese, Kuvendi shfuqizoi, më 10 tetor, importin e plehrave në Shqipëri, duke e nxjerrë kështu të panevojshëm referendumin për këtë çështje, të planifikuar për më 22 dhjetor."

MEDIA
Ligji i medias, i cili rrinte pezull prej shtatë vjetësh, u kalua, më në fund, nga parlamenti, në mars 2013. Rekomandimet e Prezencës për të depolitizuar organin e mbikëqyrjes së medias
audiovizive dhe transmetuesin publik, fatkeqësisht, nuk u morën parasysh, duke krijuar kështu rrezikun që të dyja institucionet të bëhen vegla politike të shumicës qeverisëse, sikurse
vuri në dukje edhe Përfaqësuesja e Lirisë së Medias, fill para miratimit të ligjit. Qeveria e re ka sinjalizuar përkushtimin e saj për të siguruar pavarësinë e rregulluesit të transmetimeve
audiovizive dhe për të ristrukturuar transmetuesin publik, për të siguruar një menaxhim profesional dhe politikisht asnjanës. Procesi i dixhitalizimit vijoi të vonohet, megjithatë, duke
vështirësuar mundësinë e Shqipërisë për të përfunduar kalimin në transmetimet numerike brenda afatit të qershorit 2015. Konferenca e këtij viti për Median në Evropën Juglindore,
bashkorganizuar në Tiranë, në shtator 2013, nga Përfaqësuesja e Lirisë së Medias dhe Prezenca, i kushtoi një seminar të posaçëm disa aspekteve të dixhitalizimit, nga ekspertë të
njohur të fushës.

REFORMA NE ADMINISTRATE, DO E MBIKQYRIM
Një hap pozitiv dhe i rëndësishëm lidhur me reformën e administratës publike u hodh përmes miratimit nga ana e Kuvendit, në maj 2013, pas një kohe të gjatë, të ligjit “Për nëpunësin civil”. Ligji i ri pritet të formojë bazën për një administratë publike meritokratike dhe transparente, ndër të tjera përmes parashikimit të procedurave konkurruese të punësimit, të bazuara te meritat, për të frenuar punësimet dhe pushimet nga puna për motive politike e personale. Më 30 shtator, pas konsultimeve me bashkësinë ndërkombëtare, Këshilli i Ministrave vendosi ta shtyjë me gjashtë muaj fillimin e efekteve të ligjit, nga hyrja në fuqi e ligjit më 1 tetor, deri më 1 prill 2014. Qeveria e paraqiti shtyrjen si opsionin më të mirë për të shmangur një boshllëk ligjor, që do të ishte krijuar nëse efektet e ligjit do të fillonin në mungesë të akteve të nevojshme nënligjore për zbatimin e tij. Këshilli i Ministrave përdori një “akt normativ që ka fuqinë e ligjit”, sipas nenit 101 të Kushtetutës, i cili lejon marrjen e masave të përkohshme në rast nevoje dhe urgjence. Ky akt normativ, siç e kërkon Kushtetuta, u miratua më pas nga Kuvendi. Partia kryesore e opozitës bëri publik shqetësimin e saj për shtyrjen, duke shprehur frikën e spastrimeve të mundshme në administratën publike. Më 3 tetor, ligjvënësit e opozitës iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për shfuqizimin e aktit normativ. Prezenca pati bërë komente mbi projektligjin, duke vënë në dukje, veçanërisht, rëndësinë e një Komisioni të Shërbimit Civil të pavarur dhe duke rekomanduar mbajtjen e këtij institucioni. Si pasojë, institucioni u ruajt, por Komisioni do të transformohet në Komisionerin për Mbikëqyrjen e  Shërbimit Civil. Institucioni do të vijojë të mbikëqyrë zbatimin e legjislacionit për shërbimin civil nga institucionet shtetërore të përfshira në sistemin e shërbimit civil, numri i të cilave do të rritet ndjeshëm me fillimin e zbatimit të ligjit.

OSBE RAPORTON PER GJYQIN E GERDECIT DHE 21 JANARIN
“Dy procese gjyqësore të bujshme, të cilat Prezenca i ndoqi nga afër, mbetën në qendër të vëmendjes së publikut. Në çështjen e Gërdecit, lidhur me shpërthimin në një punishte
çmontimi municionesh, që vrau 26 njerëz në 2008-n, Gjykata e Apelit e Tiranës, në shkurt 2013, mbajti në fuqi shumicën e dënimeve të dhëna nga gjykata e shkallës së parë. Apelet e
paraqitura nga prokuroria dhe nga disa prej të pandehurve u hodhën poshtë nga Gjykata e Lartë, në korrik 2013. Në një gjyq tjetër për të njëjtën ngjarje, megjithëse Gjykata
Kushtetuese e udhëzoi Gjykatën e Lartë të rishikonte paditë penale private të ngritura nga familjet e viktimave, gjyqi nuk u zhvillua, për shkak të amnistisë së dhënë me rastin e 100-
vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Në proceset penale pas ngjarjeve të dhunshme të 21 Janarit 2011 mes protestuesve dhe policisë, të cilat sollën katër të vdekur dhe disa të
plagosur, Gjykata e Rrethit Tiranë, pas 41 seancash, në shkurt 2013, shpalli të pafajshëm dy pjesëtarët e Gardës Kombëtare, të akuzuar për vrasjen e tre protestuesve. Gjykata e Shkallës së Parë e Tiranës vendosi se akuza e ngritura nga prokuroria për vrasje me dashje nuk mund të vërtetoheshin dhe se gjykata nuk ishte në gjendje të bënte një cilësim të ndryshëm juridik të fakteve. Gjykata e Apelit e Tiranës e ndryshoi vendimin për shpalljen të pafajshëm të dy të pandehurve dhe, në shtator 2013, dha për ta masa relativisht të shkurtra me burgim për vrasje pa dashje, duke argumentuar se, megjithëse vrasja me dashje nuk mund të vërtetohej, gjykata e shkallës së parë duhej të kishte ndryshuar cilësimin juridik të fakteve. Prokuroria, e cila kishte kërkuar dënime me 21 dhe 23 vjet për të pandehurit, e apeloi vendimin në Gjykatën e Lartë.”
 
ZHVILLIM POZITIV NE TE DREJTAT E NJERIUT
“Roli gjithnjë e më i fortë dhe aktiv i institucioneve kombëtare të të drejtave të njeriut, veçanërisht i Avokatit të Popullit, në rritjen e ndërgjegjësimit për shkeljet e të drejtave të
njeriut dhe promovimin e mbrojtjes së të drejtave, mund të shihet si një zhvillim shumë pozitiv. Megjithatë, Avokati i Popullit ende vuan për t’u dëgjuar nga institucionet; me
shpresë, shenjat për një hapje dhe mbështetje të re nga Kuvendi, në veçanti, do të çojnë në marrjen parasysh të rekomandimeve të Avokatit të Popullit."
 
PERGJIGJE E PAMJAFTUESHME PER TE DREJTAT E KOMUNITETIT ROM

“Ndonëse përgjithësisht korniza e të drejtave që sigurojnë mbrojtjen nga aktorët shtetërorë ekziston, ashtu si në vitet e kaluara, pak përparim u shënua në mbrojtjen e të drejtave të grupeve në nevojë, veçanërisht të pakicave rome dhe egjiptiane.
Veçanërisht shqetësues ishte numri në rritje i nxjerrjeve nga banesa dhe zhvendosjes së familjeve rome, në mungesë të një strehimi alternativ, si dhe përgjigjja e pamjaftueshme nga autoritetet përkatëse. Rasti më serioz ishte situata e 37 familjeve rome, të përbëra nga 96 fëmijë dhe 114 të rritur, të detyruara të lënë banesat në Tiranë për shkak të një projekti ndërtimi privat, të cilat, më pas, e ngritën kampin buzë një rruge kryesore. Avokati i Popullit, i mbështetur nga Prezenca, bëri thirrje për përgjigje institucionale dhe organizoi disa tryeza për të diskutuar zgjidhje afatshkurtra dhe afatmesme. Përgjigjja proaktive e Ministrisë së re të Mirëqenies Sociale, e mbështetur nga Prezenca me këshillim teknik dhe ligjor, për t’u gjetur një strehim alternativ këtyre familjeve dhe përkushtimi i saj i shprehur për të kërkuar zgjidhje afatgjata për rastet e ngjashme, është një zhvillim shumë pozitiv.
 
 RREZIK PER 90 TONE MUNICIONE TE TEPERTA
Së bashku me  Ministrin ë e Mbrojtjes, Prezenca po jep mbështetje në çmilitarizim për të ulur rrezikun e shpërthimit apo rrjedhjes kimike aksidentale që kanoset nga rreth 90 tonë municion i tepërt dhe 80 tonë lëndë të dëmshme, që ruhen ende në kushte keqësuese. Falë pajisjeve të siguruara nga Prezenca përmes një projekti jashtë buxhetor,proceset për çmontimin e municionit tani mund të ecin në vijimësi. Për më tepër, ka nisur faza e parë e një  projekti për asgjësimin e të gjitha stoqeve të lëndëve kimike në repartet ushtarake

BURGJET, MBIPOPULLI U ZVOGELUA
“Pas zhvillimit të një studimi në 11 nga 22 burgjet e vendit, gjendja e përgjithshme e kushteve në burgje është përmirësuar, veçanërisht mbipopullimi është zvogëluar, kryesisht për shkak të një amnistie dhe të hapjes së mjediseve të reja të paraburgimit. Sistemi i ri i monitorimit elektronik të të dënuarve filloi nga puna në mars 2013 dhe pritet ta ulë edhe më mbipopullimin. Prezenca mbështeti hartimin e kornizës së duhur ligjore për këtë sistem, si dhe ngritjen e një mekanizmi pilot të monitorimit elektronik.
 
Shërbimi i Provës ka vijuar të  njohë përmirësime, përfshirë rritjen e mëtejshme të numrit të personelit. Prezenca trajnoi punonjësit e rinj të shërbimit të provës, si dhe ofroi trajnim për punonjësit socialë lidhur më çështjet e shërbimit të provës.
 
 REFORMA NE DREJTESI PER TE MITURIT KA NGECUR
"
Reforma në drejtësinë për të mitur ka ngecur që në 2009-n. Prezenca është e shqetësuar për pasojat për të drejtat e njeriut që sjell fakti se burgimi mbetet metoda e parapëlqyer e trajtimit të të miturve që shkelin ligjin. Kjo është një temë që do të ketë nevojë për vëmendje dhe rëndësi të veçantë të vijueshme në të ardhmen e afërt.”

.MBROJTJA E FEMIJEVE, E PAMJAFTUESHME
“Ndërsa korniza ligjore për mbrojtjen e fëmijëve ekziston, bashkërendimi mes aktorëve të ndryshëm, të përfshirë në mbrojtjen e fëmijëve, mbetet i pamjaftueshëm dhe shumë njësi për
mbrojtjen e tyre ende nuk funksionojnë. Veçanërisht shqetësuese mbetet çështja e dhunës së përhapur në familje, siç tregon edhe shifra e vrasjeve në banesë – 28 në 2012-n, sipas statistikave të policisë.
 
SHQETESIM RIINTEGRIMI I ISH TE PERNDJEKURVE
“Riintegrimi i plotë në shoqëri i ish-të përndjekurve politikë mbetet shqetësim. Në kuadër të qëllimit të përgjithshëm të edukimit për të drejtat e njeriut”

QENDRUESHMERIA E REFORMAVE VAREN NGA VULLNETI POLITIK
OSBE vëren se qeveria ka paraqitur një program ambicioz për arritjen e standardeve demokratike, shtetin e së drejtës dhe zhvillimin ekonomik dhe se kontributi konstruktiv i opozitës është i domosdoshëm për konsolidimin e mëtejshëm të demokracisë shqiptare. “Prezenca do të vijojë të jetë në kontakt të baraspeshuar dhe të ngushtë me të gjithë aktorët politikë, si dhe do të vijojë të punojë me të gjitha palët për të zhvilluar më tej kapacitetet e Kuvendit.”
 Prezenca parashikon një kalim të vëmendjes nga ndërtimi i institucioneve, në fushat ku sfidat janë më të mëdha: zbatimi i njëmendtë dhe i paanshëm i ligjit, funksionimi efektiv dhe i mirëfilltë i institucioneve dhe një marrëdhënie besimi me qytetarët e mes kundërshtarëve politikë. 
”Sfidat që mbeten për konsolidimin e demokracisë dhe integrimin e mëtejshëm ndërkombëtar janë të brendshme, në mendësi dhe në funksionim: trajta e ardhshme e vendit, shpejtësia, efikasiteti dhe qëndrueshmëria e reformave varen shumë nga vullneti dhe përkushtimi i të gjithë aktorëve politikë në Shqipëri.”


 

vijon

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale