TIRANE - Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka hedhur poshtë akuzat e Partisë Demokratike lidhur me kreun e OSHEE-së në Lushnje Dine Aliaj se vazhdon të mbajë këtë post pavarësisht abuzimeve, duke bërë publike edhe vendimin për largimin e tij nga puna.

Përmes një komunikate për shtyp, OSHEE thekson se Dine Aliaj është larguar nga detyra e kreut te Njësisë së OSHEE në Lushnje që më 21 Nëntor 2014, duke i cilësuar deklaratat e PD mashtrime.

Siç thuhet në komunikatën për shtyp në funksion të transparencës dhe informimit sa më të saktë të publikut, është vënë në dispozicion i gjithë dokumentacioni që tregon largimin nga detyra të Dine Aliaj me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe shkelje të rëndë të disiplinës në punë.

Sipas dokumentacionit të bërë publik, më 21 Nëntor 2014 është bërë pezullimi i marrëdhënieve të punës me Aliaj. Shkresa në fjalë i është dërguar  Drejtorise Rajonale në Berat ku theksohet se “në vijim të denoncimeve të ardhura në emër të Z. Dine Aliaj lidhur me ushtrimin e detyrave të tij, ju komunikojmë si me poshtë: Pezullimin e marrëdhënieve të punes për z. Dine Aliaj (drejtor i Njësisë Lushnje në Drejtorine Rajonale Berat). PDF - Pezullimi nga puna i Dine Aliaj

Më pas, mbeshtetur në procedurat e largimit nga detyra, të parashikuara në Kodin e Punës, është bërë edhe shkresa për njoftimin e fillimit të procedurave të zgjidhjes së marrëdhënieve të punës, te lidhur me këtë person.  PDF - Zgjidhja e marrëdhënieve të punës me Aliaj

Në këtë shkresë renditen edhe arsyet e largimit të tij nga puna të cilat janë shkelja e rëndë e disiplinës në punë, duke mos paguar faturat e energjisë elektrike ndaj shoqërisë, ku rezulton debitor për dy kontrata të furnizimit me energji elektrike.

Një tjetër arsye është edhe shpërdorimi i detyrës nga Aliaj pasi ka lejuar ndërhyrjen në sistemin matës me qëllim uljen e konsumit të energjisë elektrike për të dy kontratat e furnizimit me energji elektrike.

Bazuar në arsyetimet e mësipërme OSHEE i bën thirrje Partisë Demokratike që të heqin dorë nga deklaratat e pavërteta dhe të mbështesin akionin kundër vjedhësve të energjisë.  

Opozita nga ana e saj denoncoi kreun e OSHEE-së në Lushnje Dine Aliaj se nuk ka paguar faturat e energjisë në vlerën prej 1.6 milionë lekësh të biznesit në pronësi të tij. 

dine aliaj me logo
(Në foto: Ish-kreu i OSHEE-së në Lushnje Dine Aliaj)

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)