Oskar 2013: Dhe
vota jonë shkon për...

Oskar 2013: Dhe<br />vota jonë shkon për...
TIRANE - Sa herë afron data 24 shkurt, krijohet idea e një kampionati ku tifozeria bëhet gjithnjë e më fortë. Eshtë një garë, por jo futbolli! Po aq e fortë, po aq zbavitëse dhe me po aq parashikime mbi fituesit e mundshëm!  Eshtë ceremonia e çmimeve Oskar, për nga atmosfera kaq e ngjashme me ankthin e një pragndeshjeje.

“Tifozët” janë nga të gjitha kategoritë, publiku, mediat dhe komuniteti i artistëve. Secili prej tyre përfshihet sipas mënyrës së tij, duke ndarë mendimet,  shijet dhe preferencat rreth botës së kinemasë. Nga vlerësimet më të thjeshta deri tek më të sofistikuarat, gjithçka për të nuhatur se për ku do të shkojë lavdia mbrëmjen e 24 shkurtit.

Tashmë sondazhet kanë mbushur faqet e mediave, madje diku del edhe një nga regjisorët votues të Akademisë i cili shkatërron me vlerësimet e tij, filmat më pretendues, dhe kjo padyshim që do të gjente hapësirë në faqet e Hollywood Reporter, duke u cilësuar si një “votë brutalisht e sinqertë”!

Atmosfera mban shije thuajse tërësisht amerikane,  por  këtë vit mund të ndiejmë pak aromë Oskari edhe në Shqipëri, Arsyeja? Një listë e mirë filmash që janë shfaqur në kinema dhe që janë ndër titujt më të përfolur dhe të diskutuar në median e huaj. Duke filluar me “Argo”, më pas me “Django Unchained” e “Les Miserables” , “Flight” e deri tek më i fundit mes tyre, “Lincoln” që fillon projeksionet këtë fundjavë.

Edhe ata që kanë marrë më pak nominime të rëndësishme e nuk mendohen si favoritë  si “Skyfall”, “Anna Karenina”, “Hobbit” tashmë janë ndjekur nga publiku shqiptar. Kështu për të parën herë krijohet edhe një panoramë e mirë parashikimesh shqiptare  mes atyre që e kanë kinemanë profesion apo thjesht pasion.

OSKAR, PARASHIKIM I VËSHTIRË

“Eshtë e vështirë të bësh një parashikim të saktë, sepse vitet e fundit, rreth 6000 anëtarët e Akademisë, preferojnë të jenë pak “surprizë” në vlerësimin e filmit më të mirë të vitit. Nuk vlen më rregulli që filmi më i mirë në “Golden Globe” është një indikacion që vlen edhe për çmimet Oskar. Majfton të kujtojmë një vit më parë kur “The Artist” fitoi Oskarin si filmi më i mirë i vitit.

Përsa i përket tapetit të kuq, besoj do të vazhdojë magjia, shkëlqimi dhe veshjet luksose për yjet. Parada e tyre do të vazhdojë të jetë trend mode, si gjithmonë.”- thotë Albert Dumani,  që prej vitesh drejton transmetimin direkt të Oskar-it në TvKlan.  Por edhe pse me vështirësi, të gjithë ata që kemi intervistuar dhe që brenda apo jashtë Shqipërisë kanë arritur pothuajse të shohin të gjithë filmat, të paktën ata më intriguesit në këtë garë, kanë marrë përsipër këtë “barrë”.

Disa syresh kanë një këndvështrim tjetër për Oskarin. Blerta Zeqiri, regjisorja shqiptare që korri sukses në Sundance Film Festival me filmin “Kthimi” dërgon parashikimet e saj edhe pse mendon se mund ta dalë huq.

“Shija ime është krejt tjetër prej filmave që fitojnë Oscar” –shprehet Blerta- “Eshtë shumë e rendesishme të jesh pjesë e industrisë së filmit dhe të fitosh Oskar sepse kjo d.m.th. që do të sigurosh shumë punë dhe projekte dhe fitime materiale në të ardhmen, por p.sh. kur zgjedh filma për të blerë, fakti se një film ka fituar Oskar nuk më ndihmon për përzgjedhje, përkundrazi, më bën të mendoj se nuk është edhe shumë film i mirë.”

Por diskutimi që do të meritonte një hapësirë më vete,  mbetet mënjanë kur mendon se në fund të fundit Oskari është Oskar dhe ndonëse mund të kesh rezerva nga një gare, ia vlen të bësh “tifo” për ata që mendon se ia vlen. Dhe Blerta natyrisht që jep vlerësimet e saj për filmat që duhet të fitojnë. “Ky vit ka disa nga filmat më të mirë ndër vite” shkruan Andamion Murataj skenaristi i filmit “Falja e gjakut” të përfshirë në listën e 100 filmave më të mirë të vitit 2012.

Edhe pse rruga e filmit të tij drejt Oskarit një vit më parë u ndërpre, ai është një ndjekës i rregullt i garës Oskar. Tjetër mendim ka Albi Greva, drejtues i Fondacionit Vodafon. Tepër i pasionuar pas kinemasë dhe shfaqjeve të tjera kulturore Greva thotë: ”I kam ndjekur në vite dhe krahasuar me vitet e shkuara, e gjej më të varfër garën e nominimeve për këtë edicion”.

Edhe Bledi Strakosha, një emër i njohur i gazetarisë sonë televizive jep parashikimet mbi Oskarin. Pasi dërgon mendimet e tij rreth kategorive kryesore, Strakosha shprehet se “përzgjedhja e kategorive të tjera është thjesht një "nuhatje" profane për fituesit e mundshëm”.
Por nuhatje ose jo, le të shohim me rradhë kategoritë dhe cfarë mendojnë të ftuarit e “Fundjavës” për fituesit e këtij edicioni Oskar.

FILMI MË I MIRË? “ARGO” APO “LINCOLN”


Nga vendi i saj  i punës ku po përgatit filmin “Bota”, regjisorja Iris Elezi, shkëputet nga projekti për të dhënë parashikimin e saj mbi Oskarin.  “Dhe pse ne s'duam” thotë Elezi, do të fitojë “Argo”. Për të kuptuar më shumë arsyen e këtyre fjalëve regjisorja rekomandon një shkrim të Mark Cousins ku shpaloset një tjetër këndvështrim mbi filmin e Ben Affleck.

“Argo”-n e mendon si një favorit të fortë në këtë kategori edhe regjisori Andamion Murataj teksa dërgon parashikimet e tij nga Nju Jorku. Ndërsa Albi Greva komenton në favor të filmit: “Ka shumë elementë që të bëjnë të besosh kështu: ngjarja thriller që zhvillohet në ambasadën USA në Teheran (1979) përbën një histori shumë interesante.

Filmi,  me regji të Ben Afleck është pritur shumë deri tani, me 7 nominime për çmimet e Akademisë, ka triumfuar edhe në Golden Globe me 5 çmime, si dhe është vlerësuar në çmimet e kinematografise britanike.  Personalisht pres që ky film të marrë së paku 3 prej çmimeve të Akademisë Filmi më i mirë, skenari më i mirë dhe aktori më i mirë joprotagonist)”.

Dueli mes dy filmave  favoritë vihet re edhe në parashikimet shqiptare. Anila Varfi, drejtore e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Durrës, ku marrin pjesë shumë aktorë e regjisorë të njohur nga bota, thotë:” Për filmin më të mirë duket se është një garë shumë e fortë mes dy titujsh” Argo” dhe “Lincoln”, por unë mendoj se Oskar do të shkojë për Lincoln të Spielberg”.   “Lincoln” fiton edhe nw parashikimet  Bledi Strakoshës.

“Mendoj se përveçse është historik dhe Amerika është shumë e ndjeshme ndaj asaj periudhe të historisë së saj, më duket edhe realizim fantastik i Steven Spielberg. Përzgjedhja e aktorëve më duket gjeniale dhe p.sh Sally Field është një ndër aktoret e mia të preferuara, bashkë me Meryl Streep”.

Në të njëjtin film arrin me analizën e tij edhe Albert Dumani:”Duke njohur “trendin” e Akademisë së Oskarëve do të parashikoja që filmi më i mirë shpallet “Lincoln”, sepse i përmbush kërkesat e Akdemisë, si një film i madh, historik, me temë të gjetur, flet për SHBA-të dhe ka aktorë të shkëlqyer.

Dhe një tregues tjetër që më bind: që një film të fitojë, duhet të ketë edhe regjisorin përkatës si kandidat për çmim Oskar. Kështu mbeten jashtë “Argo” apo “Zero Dark Thirty”, meqë Aflleck dhe Bigelow nuk konkurrojnë si regjisorë. Për shijet e mia personale, vota ime do të shkonte për “Les Miserables”, pse jo edhe “Life of Pi”, si filma të veçantë dhe unikë. Në lidhje me aktorët besoj triumfues do të jenë Hugh Jackman dhe Anne Hathaëay.”- përfundon ai.

Ndryshe mendon regjisorja Blerta Zeqiri e cila dëshiron që filmi më i mirë t’i jepet “Amour” ose “Beasts of the Southern Wild”. Aktori shqiptar Praq Rado, i njohur për rolin e tij në “Dreaming America” ngjit në podiumin e fitores, “Django Unchained” të Quentin Tarantinos.

Aktorët? Nga Day Lewis tek Emmanuelle Riva
“Sepse aq mirë e luan këtë rol!”. Referimi është për DenzelWËashington, që luan rolin e një piloti të alkoolizuar në dramën "Flight". Për këtë aktor Praq Rado mendon se duhet të jetë fituesi i kategorisë për aktorin më të mirë protagonist. Mendimi i tij në fakt ndryshon nga ai që kanë dhënë artistët e gazetarët që janë përfshirë në këtë shkrim. “Çmimi besoj shkon për Daniel Day-Lewis tek "Lincoln"”- vlerëson Andamion Murataj. E përforcojnë këtë alternativë edhe Iris Elezi, Bledi Strakosha dhe Albi Greva.

Në gjininë e aktoreve femra parashikimet shkojnë drejt Emmanuelle Riva aktores së “Amour”. “Megjithëse favoritja ime është aktorja më e vogël  e nominuar ndonjëherë, Quvenzhané Wallis nga "Beasts of the Southern Wild" mendoj që çmimi për aktoren më të mirë shkon për Jennifer Laërence "Silver Linings Playbook" . Por  ka shanse  edhe për Emmanuelle Riva"- shkruan Murataj.

Ndërsa Jessica Chastain me rolin e saj në  "Zero Dark Thirty" është e preferuara e Rados, i cili komenton se “aktorja  luan një karakter shumë të vështirë e me rëndësi”. Duke qëndruar në komentet e Rados ai beson se Christoph Waltz në "Django Unchained"  është një aktor shumë i mirë që të tërheq për çdo herë që shfaqet në ekran.

Por Murataj mendon se aktori austriak nuk do ta ketë të lehtë fitoren pasi duhet të përballet me kandidatura shumë të forta. Mes emrave që përmenden si fitues në këtë kategori janë Robert De Niro  dhe Alan Arkin. Në kategorinë e aktoreve femra shanset mbeten më shumti tek  Anne Hathaway.

“AMOUR” DHE STEVEN SPIELBERG


Thuajse njëzëri mendohet se filmi më i mirë i huaj do të jetë ai i regjisorit Michael Haneke. “Amour” mbetet si kadidati më i mundshëm për të fituar dhe duket se recensat i drejtojnë parashikimet drejt këtij filmi edhe kur dikush nuk ka arritur ta shohë. “Personalisht ende nuk e kam pare po kometet thone se nga lista e kesaj kategorie ky film qendron ne krye.

Si fitues i Palmës së artë në Cannes, është nominuar për 5 çmime Oskar, por mendoj se nga moria e nominimeve shanset janë që ky film të marrë dy prej tyre: Best Foreign Film dhe Best Actress in a leading role. (që duhet thënë se është një nga çmimet më të forta të Akademisë)” - komenton Albi Greva.

Debati rikthehet tek regjia më e mirë ku Murataj shpreh preferencën e tij.” Preferenca ime për këtë është Banh Zeitlin nga "Beasts of the Southern Wild", por kandiaturë e fortë është Michael Haneke "Amour".  Ndërsa regjisorja Zeqiri thotë:” "Beasts of the south..."- Kisha pasë shumë dëshirë nëse e  fitonte, sepse rolin kryesor e luan një fëmijë dhe ka arritur që ajo të nominohet për aktoren më të mirë. Kjo për mua është arritja më e madhe regjisoriale”. Pjesa tjetër e parashikimeve shkon fort për Steven Spielberg me “Lincoln”.

Shkrimi u publikua sot në Suplementin Fundjava në  gazetën Shqiptarja.com(print), 22 shkurt 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Aksident në autostradën Tiranë-Durrës, bllokohet qarkullimi i mjeteve! 8 km radhë nga Maminasi deri pranë mbikalimit të Kasharit

Aksident në autostradën Tiranë-Durrës, bllokohet qarkullimi i mjeteve! 8 km radhë nga Maminasi deri pranë mbikalimit të Kasharit