Në historinë e kulturës shqiptare ka disa figura që edhe sot është e vështirë ta besosh se përse kanë mbetur të rrethuara me të njëjtën distancë heshtjeje si atëhere kur ishin gjallë, si sot. Kam parasysh jo vetëm këtë figurë, por edhe Vexhi Buharanë, Hafiz Ibrahim Dalliun, fjala vjen, të cilët janë të pranishëm me emrin e tyre, por jo me veprën e plotë. Kanë kaluar rreth tridhjetë vjet dhe askush nuk mund të justifikohet se përse vepra e këtij studiuesi, por edhe e të tjerëve, nuk është botuar e plotë, por ka mbetur e shpërndarë në dorëshkrime e në periodikë të ndryshëm.
Akademia e Shkencave ka meritën se ka filluar të tregojë interes edhe për këto figura dhe kështu ka çelur hullinë që tradita e albanologjisë të vijë sa më e plotë.
Në veprimtarinë e zhvilluar për nder të Osman Myderrizit, që u drejtua nga akademik Pëllumb, Xhufi diskutuan prof. Seit Mansaku, prof. Ferit Duka, akademik Albert Doja dhe mbesa e tij Dr. Anika Abazi. Akademik Xhufi vlerësoi ndihmesën e tij në lëmin e historiografisë e sidomos mendimet e tij origjinale për Kryengritjet fshatare të vitit 1914-1915. Prof. Duka përmendi ndihmesën e tij në shqipërimin e teksteve letrare e historike me alfabet arab, sepse Myderrizi ishte një njohës i shkëlqyer i osmanishtes së vjetër dhe arabishtes. Akademik Doja ka disa kohë që, në publikimet e fundit mbi këtë figurë, ka vënë theksin në një argument të panjohur sa dhe si duhet. Është fjala për ndihmesën e Myderrizit në përcaktimin e vijimësisë së emrit nga ilir – arbër, epirot – shqiptar. Albert Doja ka hetuar se Myderrizi u ka paraprirë teorive perëndimore të krijimit të identiteteve kombëtare të përpunuara sidomos nga antropologu norvegjez, Fredrik Barth. Siç dihet, albanologjia shqiptare dhe dijetarët që e kanë ushqyer atë nuk
e kanë zgjidhur ende enigmën e kalimit të emrit nga « arbër » në « shqiptar ». Osman Myderrizi, përmendet edhe nga prof. Çabej e prof. Sh. Demiraj për shpjegimin e tij se fjala « shqiptar » mund të ketë ardhur nga nevoja për t’u diferencuar prej pushtuesit apo tjetrit dhe për të shënuar kufijtë etnikë përmes simbolikës së gjuhës, fesë, kulturës, etj., : pra « shqip » në fillim mund të ketë pasur kuptimin : Fol qartë, shqip !, fol gjuhën që kuptojmë ne, ashtu si në frëngjisht, « Parle franc ! » e që këtej mund të jetë kaluar në emrin që shenjon ata banorë që flasin këtë gjuhë, pra «shqiptar». Dhe kjo mund të ketë ndodhur në kohën e pushtimit otoman nga popullsia që përqafoi islamin, e cila kërkonte të dallohej nga identitetet e tjera si ai otoman fjala vjen. Këto përfundime, Osman Myderrizi i ka arritur që në vitet ’30 e më pas edhe në vitet ’50-’60.
Në fakt evoluimi dhe shpjegimi i emrit të shqiptarëve vetëm me anë të gjuhës dhe ndjekjes së evoluimit të saj historik, duket se nuk e kënaq argumentin, pra kalimin nga « arbër » në « shqiptar ». Kjo qasje e Myderrizit, që është rimarrë edhe nga akademik Doja, çel një hulli të re dhe e pasuron traditën e antropologjisë kulturore shqiptare dhe atë të gjenezës së emrit të këtyre banorëve. Aq më tepër që, siç thotë zoti Doja, ai vetë ka arritur në atë përfundim pa e njohur më parë ndihmesën e zotit Myderrizi.
Këtu është rasti të përmendim se tradita e studimeve albanologjike shqiptare gjatë viteve të diktaturës njohu arritje të jashtëzakonshme me personalitete si Çabej, Demiraj, Buda, Frashëri, Domi, Kostallari etj., por këta, gjithsesi, ishin të kufizuar në metodologjinë e kërkimit dhe mjaft të përmendim që arritjet e strukturalizmit, fjala vjen, në studimet antropologjike që u përpunuan sidomos nga Levi Stross nuk u përdorën dhe nuk u lejuan të futen në këto studime. Hulumtimet e thella në lëmin e evoluimit të gjuhës, pra në fushë të gjuhësisë historike, e mbajtën këtë traditë në kuadër të gjuhësisë filologjike më shumë, pa mundur që problemet e gjenezës së gjuhës dhe të shqiptarëve të rrokeshin edhe nga disiplina të tjera të dijes humane. Për fat të keq, në ato dije ishte e përcaktuar korniza materialiste e kuptimit të jetës që nuk mund të tejkalohej. Ajo kishte mbetur peng i kuptimeve të Engelsit e Marksit dhe shërbente si digë për të ndaluar prurjet e kërkimeve të reja. Gjithë dija e ashtuquajtur
formaliste dhe strukturaliste që u zhvillua në fillim të shekullit të kaluar, në Shqipërinë diktatoriale jo vetëm që nuk mbërriti, por u anatemua. Ndaj rivlerësimi i kontributit të Myderrizit, por edhe i të tjerëve si ai, hap hullinë që kjo qasje e drojtur edhe sot e gjithë ditën ta kapërceje traditën e stidimeve filologjike në të cilën është mbërthyer edhe sot dija mbi historinë, gjenezën dhe evoluimin e shqipes dhe shqiptarëve.
Në fillim të këtij shkrimi kam përmendur orientimin perëndimor të frymës që kishin studimet e Osman Myderrizit. Siç u tha edhe në këtë konferencë, vepra e tij « Gramatika e gjuhës shqipe », që ai e botoi në vitin 1944, ka një konceptim, trajtim dhe vështrim të dukurive me elementet e logjikës aristoteliane dhe përafrohet më shumë me vështimet strukturaliste.
Unë vetë kaloj çdo mëngjes pranë shkollës që mban emrin e tij dhe me vonesë e kam mësuar se ky personalitet i shquar i kulturës shqiptare ka qenë edhe një intelektual e veprimtar i dalluar. Ai ka hapur shkollën e parë shqipe pas Pavarësisë në Ndroq dhe pastaj ka liruar shtëpinë e tij te « Shallvaret » për gjimnazin e parë të Tiranës. Është intelektuali i dalluar i Tiranës e madje ka shkruar edhe një libër për qytetin e tij tw dashur. Ndërsa ndihmesa e tij për të transkriptuar dhe shqipëruar letërsinë shqiptare të shkruar me alfabet arab në shekullin XVII-XVIII është e papërsëritshme. Për fat të mirë dhe të keq, njëkohësisht, mijëra faqe transkriptim gjenden në arkivin e Institutit të Gjuhës dhe Letërsisë dhe presin të botohen.
Akademia e Shkencave ka nisur përgatitjet për mbajtjen e Kuvendit të madh të Studimeve Shqiptare dhe, me këtë rast, të gjithë studiuesit që merren me gjuhën, letërsinë, kulturën, antropologjinë dhe gjithçka shqiptare do të kenë rast që të sjellin në këtë kuvend të madh sidomos ato figura e argumente që nuk kanë qenë sa dhe si duhet në vëmendje të kulturës shqiptare, në mënyrë që kështu të plotësohet sa më mirë paradigma e këtyre studimeve të cilat, për arsye të shtypjes ideologjike në vitet e diktaturës e patën deformuar deridiku dijen albanologjike.
Jo vetëm Osman Myderrizi, por edhe Hoxhë Tahsini, Dora D’istria e të tjera figura komplekse mund të ndriçohen më mirë për të kuptuar dhe vlerësuar gjithnjë e më mirë të shkuarën e pasur të kulturës shqiptare.