OKB/ Osmani prezanton të mbijetuarat e luftës: Serbia e ka tejkaluar agresionin ndaj Kosovës! Vuçiç: Qytetarët në Veri po diskriminohen

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç janë përballur në Këshillin e Sigurimit në OKB një ditë pasi dështuan zgjedhjet në Veri të Kosovës për shkak të bojkotit të serbëve.

Fajtore Osmani bëri qeverinë e Serbisë e cila tha se po u bën presion serbëve në Kosovë. 

“Tashmë janë të qarta përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për të penguar procesin e integrimit të serbëve në Kosovë, duke përdorur taktika kriminale dhe terroriste për të fituar kontroll dhe për të përhapur frikë, dhe kështu, njëkohësisht duke minuar sigurinë dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”.

Serbët e integruar në institucionet e Kosovës sipas Osmanit janë detyruar të japin dorëheqje për shkak të presionit të kryer prej strukturave ilegale serbe, sulmeve në pronat e tyre, shkatërrimin dhe rrezikimin e jetëve të tyre, me vetëm një qëllim: t’i detyrojnë ata të ikin.

“Vetëm imagjinojeni një politikan serb që ka vendosur lule para varrit të një vajze shtatëvjeçare gjatë kohës së luftës, i cili është arrestuar menjëherë dhe është torturuar në burgjet e Serbisë”.

Presidentja e Kosovës solli shembullin e politikani serb, i cili ishte arrestuar në Beograd vetëm pse vendosi lule në varrin e një 7-vjeçareje shqiptare të vrarë në kohën e luftës, duke treguar kështu presionin e serbëve ndaj vetë serbëve. 

Sy më sy, Osmani tha se Serbia e ka tejkaluar  agresionin ndaj Kosovës, duke përmendur rrëmbimin e policëve në veri, sulmin ndaj gazetarëve dhe sulmin në Banjskë.

“Përpjekjet nga Serbia për destabilizim janë aktive. E ka eskaluar agresionin fillimisht me kidnapinimin e policëve, sulmin ndaj gazetarëve e sulmin terrorist ndaj Kosovës në shtator. Pas këtij sulmi, Shtëpia e Bardhë ka thënë se Serbia ka përdorur prani të madhe ushtarake të artilerisë me tanke e njësi të mekanizuara...Serbia bën përpjekje për të prishur integrimin e serbëve në Kosovë...Serbët në Kosovë janë nën trysni, por jo nga Kosova po nga Qeverisë e Serbisë”, është shprehur presidentja Osmani.

Përballë Osmanit, Vuçiç pretendon se nga 8 shkurti kur edhe u mbajt seanca e kaluar e KS të OKB-së është shtuar shtypja ndaj komunitetit serb në Veri të Kosovës.

“16 sulme me motive etnike ndaj serbëve, përfshirë edhe sulmet me armë ndaj banorëve në Graçanicë dhe tek të kthyerit në perëndim të Kosovës, dhuna policore e heqjes së tabelave të veturave dhe komunave”, tha Vuçiç.

Pretendimet e tij janë për “keqtrajtime të serbëve në Kosovë”, teksa tha se ka “aspirata hegjemoniste drejt Shqipërisë së Madhe”. Kritika ka pasur edhe për ndalimin e dinarit, nga Qeveria Kurti.

“Ndalimi i dinarit paraqiti kulmimin e kampanjës sistematike po vazhdon."

E shoqëruar nga katër të mbijetuarat e luftës që i mori me vete Osmani foli edhe për ndërhyrjen e NATO-s 25 vite më parë ku deklaroi se “u shënua kthesa në historinë e vendit tonë, por edhe në historinë e njerëzimit”. 

Ndërsa tregoi historitë Elhame Muqollin, Vasfije Krasniqi-Goodmanin, Shyhrete Tahiri-Sylejmanin dhe Fahrije Hotin, Presidentja Osmani ngriti zëron duke thënë se nuk ka asnjë të dënuar nga Serbia për dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Pjesëmarrja e të mbijetuara në këtë mbledhje të Këshillit të Sigurimit nuk është mirëpritur aspak nga Presidenti i Serbisë, i cili tha se ato nuk e kanë vendin në korin diplomatik apo në ekipin këshidhënës të Osmanit.

“Kjo është një farë teatri politik dhe kurth për delegacionin serb. Ajo që e dëgjuam deri tani ishte sikur një proces i krimeve të luftës kundrejt servbëve për diçka që ka ndodhur  25-vjet më parë. Nuk u tha asnjë fjalë e vetme për raportin, asnjë fjalë për gjashtë muajt e fundit. Pse nuk na keni informuar se kush do të ishte pjesë e secilit prej delegacioneve?”, ka thënë Vuçiç.

Kjo përballje e Osmanit dhe Vuçiç vjen një ditë pasi në veri të Kosovës dështoi referendumi për shkarkimin e 4 kryetarëve, për shkak të bojkotit masiv të serbëve. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:27
Dy kërkesat e Zvicrës në Këshill të Sigurimit: Serbia të mos bllokojë Kosovën, Kosova të themelojë Asociacionin

1713807049_zvicer.jpg

Përmbushja e premtimeve nga Serbia dhe Kosova ka qenë kërkesa e Përfaqësues së Zvicrës në Këshillin e Sigurimit në OKB. Në fjalën e saj, ajo i bëri thirrje Serbisë të mos e pengojë Kosovën në anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

“I bëjmë thirrje Serbisë që të heq çdo paqartësi në lidhje me përkushtimin e saj ndaj marrëveshjeve dhe të përmbahet nga kundërshtimi i anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare”, tha përfaqësuesja e Zvicrës.

Po ashtu, ajo i kërko Kosovës “themelimin e Asociacionit pa vonesa”.

“Të dy palët ndajnë përgjegjësi për uljen e tensioneve. Eskalimet si ajo e Banjskës duhet të shmangen me çdo kusht dhe përgjegjësit duhet të sillen para drejtësisë”, deklaroi ajo.

Ora 19:12
Mbledhja e Këshillit të Sigurimit, Franca: Duhet të organizohen shpejt zgjedhje në veri të Kosovës

1713806101_nicolasderiviereokb.JPG

Ambasadori francez në Kombet e Bashkuara, Nicolas de Riviere, i pranishëm në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ka thënë se në veriun e Kosovës duhet të organizohen shpejt zgjedhje, me pjesëmarrje të të gjitha komuniteteve, për t’i zgjedhur kryetarët e rinj të katër komunave me shumicë serbe.

“Franca rikujton se tërheqja e kryetarëve të zgjedhur me vetëm 3 për qind të votave, do të ishte mënyra më e shpejtë për rivendosje të demokracisë përfaqësuese në katër komunat në veri, dhe do të jetë shenjë e shtensionimit të situatës”.

Deklarata e tij vjen një ditë pas mbajtjes së një votimi në katër komunat në veri të Kosovës, për të larguar apo jo kryetarët atje.

Ora 18:44
SHBA: Serbia asnjë përpjekje për të gjetur autorët e sulmit në Veri të Kosovës! Vërejtje të dyja palëve: Ka veprime që vonojnë progresin

1713804646_shba.png

Në seancën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara zëvendëspërfaqësuesi i Përhershëm i SHBA-së në OKB Robert Ëood tha se Serbia nuk ka ndërmarrë asnjë përpjekje për t’i gjetur përgjegjësit e sulmit në Banjskë të Kosovës shtatorin e vitit të kaluar.

“Liderin e proklamuar të serbëve Milan Radoiçiq. Është kritike që Serbia të punojë me KFOR-in për ta parandaluar edhe një sulm tjetër sikur ai i shtatorit të vitit 2023”, tha ai në fjalimin e tij.

“Jemi të shqetësuar me mungesën e lirisë së lëvizjes për qytetarët e Kosovës që po hynin në Serbi, përfshirë edhe serbët që shërbejnë në Policinë e Kosovës”, tha Ëood.

Gjatë debatit për situatën në Kosovë Ëood ka thënë se rajoni ka bërë progres por ka përmendur “veprime eskaluese dhe të pakoordinuara nga të dyja palët, Serbia dhe Kosova që e vonojnë atë”.

Ora 18:22
OKB, Vuçiç dhe përfaqësuesi rus ankohen për pjesëmarrjen e të mbijetuarave të luftës së Kosovës! Osmani: Janë pjesëtare të kabinetit tim

1713803125_rusi.jpg

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç dhe Përfaqësuesi i Përhershëm rus në Këshillin e Sigurimit në OKB janë ankuar në fjalën e tyre për shkak të pranisë së grave të mbijetuara të luftës në Kosovë që Vjosa Osmani i mori si pjesë e delegacionit të Kosovës. Bëhet fjalë për Elhame Muqollin, Vasfije Krasniqi-Goodmanin, Shyhrete Tahiri-Sylejmanin dhe Fahrije Hotin.

Përfaqësuesi rus Vasily Nebenzya ka thënë se gratë nga Kosova edhe nëse janë lejuar të hyjnë ati duhet të ishin ulur më larg.

“Kjo është shkelje e procedurës pavarësisht kush e ka bërë”, ka thënë Nebenzya.

“Dhe ajo që dëgjuam deri tash, ishte si një proces i krimeve të luftës kundrejt serbëve për diçka që ka ndodhur para 25 vjetësh. Asnjë fjalë e vetme për raportim, asgjë për 6 muajt e fundit. Pse nuk na informuan se kush do të ishte pjesë e secilit prej delegacioneve? A besoni vërtet se nuk ka gra të dhunuara serbe në Kosovë gjatë kësaj periudhe?”, tha Vuçiç.

Në reagimin e saj Osmani ka thënë se Hoti, Krasniqi, Muçolli edhe Tairi përveçse përfaqësojnë histori të trishta të luftës, janë edhe pjesë e kabinetit të saj.

“Sa i përket çështjes procedurale, përceçse janë avokate të shkathta për drejtësinë, po ashtu janë pjesëtare të kabinetit tim, të emëruara si të tilla. Kështu që janë në kapacitet këshillues, sese ato punojnë për kauzat që i kanë për zemër, për gratë që kanë përjetuar dhunë seksuale dhe përkrahjen e familjeve të këtyre grave”, tha Osmani.

Përfaqësuesi rus reagoi sërish.

“Zonja Osmani mund të besojë se ka një kabinet ministrash, këshilltarësh e kështu, mirëpo sipas pikëpamjes sonë ajo nuk ka kabinet dhe nëse beson se ka, ajo është ftuar si person privat”, tha ai.

Ora 18:10
Osmani prezanton në OKB të mbijetuarat e luftës në Kosovë: Zero të dënuar nga Serbia për dhunën seksuale

1713802565_osmani.png

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në New York, mori me vete katër heroina të Kosovës: Elhame Muqollin, Vasfije Krasniqi-Goodmanin, Shyhrete Tahiri-Sylejmanin dhe Fahrije Hotin. E para e mbijetuar e masakrës së Poklekut shkoi për të treguar se si forcat serbe kishin vrarë dhe djegur edhe foshnje për së gjalli në tmerrin që ajo i mbijetoi.

Osmani tregoi në OKB se si në sy të Elhame Muqollit forcat serbe ia ekzekutuan familjen e banorë tjerë brenda shtëpisë ku jetonin.

"Kujtimet e luftës ende janë në mendjet dhe shpirtërat tanë”, tha Osmani, duke treguar se me vete i ka marrë edhe Fahrije Hotin, Vasfije Krasniqin e Shyrete Tairin të cilat kanë pësuar rëndë nga lufta e fundit në Kosovë në forma të ndryshme.

Këto kujtime, Osmani tha se i ndajnë edhe “gratë, burrat, të rinjtë dhe pleqtë që janë me ne nga shtëpitë e tyre”.

“Para 5 ditësh kemi shënuar 25 vjetorin e masakrës nga regjimi i Millosheviqit. Elhame Muqolli, që është me mua sot ka qenë vetëm 14 vjeçare kur shtëpia e saj është sulmuar nga forcat policore serbe. 53 civilë, shumica nga ta fëmijë, fillimisht janë qëlluar me armë dhe i kanë mbledhur në një dhomë të vetme. Përderisa policia ka shkuar që të furnizohej, Elhamja ka kërcyer nga dritarja dhe ka ikur, edhe pse ka qenë e plagosur me plumba. Shkurt, më pas policia është kthyer me furnizime shtesë për t’i vënë në zjarr të gjithë 53 civilët”, tha Osmani.

“Elhamja asnjëherë s’do të mund të harrojë klithmat e disa prej fëmijëve që ende kanë qenë të gjallë përderisa janë djegur e shkrumbuar. Nëse kjo s’ka qenë e mjaftueshme, policia prapë ua ka vënë zjarrin. Fëmijë të vogël, edhe 6 muajsh, 10 muajsh janë djegur në përpjekjen për t’i zhdukur nga faqja e dheut vetëm sepse kanë qenë shqiptarë”, tha presidentja.

“Por numri i rasteve që Serbia i ka vënë prapa grilave autorët e përdhunimit të kohës së luftës është ZERO”, shtoi Osmani në fjalën e saj.

Ora 18:01
Osmani në Këshill të Sigurimit: Serbët në Veri të Kosovës le të 'falenderojnë' Vuçiçin që kanë kryetarë shqiptarë

1713801861_osmani.pngPresidentja e Kosovës Vjosa Osmani në fjalën e saj para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit ndër të tjera ka folur edhe për dështimin e zgjedhjeve në Veri. Ajo ka thënë se bojkotimi i zgjedhjeve ndodhi për shkak të ndërhyrjeve të Beogradit dhe Listës Srpska.

“Pavarësisht këtyre sfidave, Kosova iu përmbajt vlerave të saj, demonstroi maturi politike në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare. Nëse ka kryetarë shqiptarë ende në zyrtat e tyre në komunat e Veriut, serbët e Kosovë duhet ta falënderojnë Vuçiçin. Tutje ajo ka përmendur edhe rastin e politikanit serb Nikola Sanduloviq që kishte vënë lule mbi varrin e vajzës 7 vjeçare në Prekaz të vrarë nga forcat serbe, i cili pas kthimit në Serbi  ishte arrestuar dhe torturuar  në burgjet serbe. Ky është fati i secilit serb që nuk i mbahet linjës së këtij njeriu”, tha Osmani.

Ora 17:46
Vuçiç në OKB: Po të krijohej para 11 vjetësh Asociacioni do ndodhte pajtimi historik ndërmjet komuniteteve

1713801161_vucic.png

Në seancën e Këshillit të Sigurimit në OKB ku po diskutohet për situatën në Kosovë Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç ka folur për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe duke thënë se “Prishtina po refuzon ta zbatojë zotimin më të rëndësishëm në dialog”.

“Ky zotim konsiston në zbatimin e Asociacionit siç është dakordësuar në marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, si mekanizëm për mbrojtjen e të drejtave kolektive dhe individuale dhe si bazë për procesin e normalizimin të plotë. Nëse Asociacioni do të krijohej para 11 vjetësh, jam i sigurt se do të krijonte kushtet për dialog të vërtetë dhe pajtim historik ndërmjet komuniteteve. Sidoqoftë ata që janë në pushtet në Prishtinë s’e duan këtë", shtoi ai.

Vuçiç tha se kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka “aspirata hegjemoniste drejt Shqipërisë së Madhe”.

Ai përmendi se Kurti s’po merr pjesë në këtë takim sepse “është i ngarkuar duke vënë në pah stabilitetin regjional duke udhëhequr fushatat e tij në Maqedoninë e Veriut”.

Ora 17:41
Seanca për Kosovën në OKB, Osmani: Ndërhyrja e NATO-s, pikë kthese në historinë e njerëzimit! Autorët e sulmit në Banjskë enden të lirë në Serbi

1713800674_osmani.JPG

Gjatë fjalës së saj në Këshill të Sigurimit të OKB-së Presidentja Kosovës, Vjosa Osmani, përballë presidentit serb, Aleksandër Vuçiç foli për ndërhyrjen e NATO-s 25 vite më parë.

 "U shënua kthesa në historinë e vendit tonë, por edhe në historinë e njerëzimit”, tha ajo.

“Themelet e OKB-së vendosin ambiciet për një botë më të mirë, me një politikë që në qendër ka njeriun. Para 25 viteve intervenoi NATO, ku u shënua kthesa në historinë e vendit tonë, por edhe në historinë e njerëzimit. Mbrojtën shenjtërinë e llojit njerëzor. Shënoi atë që kur dikush kërcënon me tirani, kërcënohen të gjithë...pas 25 viteve Kosova shkëlqen si sukses i të drejtave të njeriut dhe vend multietnik. Kemi përparuar shumë, dhe po transformohemi. Jo vetëm që kaluam gërmadhat e luftës...por shenjat tona në sport e teknologji në botë po zmadhohet çdo ditë e po bëhet historike. Këto arritje janë esenca e një populli të rilindur", shtoi Osmani.

Ajo ka folur edhe për sulmin në Banjskë të 24 shtatorit vitin e kaluar duke theksuar se personat përgjegjës enden të lirë në serbi.

Ora 17:36
Vjosa Osmani përballë Vuçiç në KS: Serbia testoi dronët iranianë në kufi, ky është mesazhi i tyre

1713800246_osmani.JPG

Presidentja e vendit Vjosa Osman e cila po flet përballë Vuçiqit në Këshll të Sigurimit në OKB, ka përmendur testimin e dronëve iranian nga Serbia. Sipas saj, ky është mesazhi që Serbia poi u dërgon fqinjëve.

Ndërsa sipas saj në Kosovë mbrohen e avnacohen të drejtat e serbëve

“Pretendimet e Serbisë për spastrim etnik janë të rreme dhe të motivuara politikisht. Struktura ligjore e Kosovës i mbron dhe i avancon të drejtat e serbëve. E kundërta është e vërtetë. Rreth 500 mijë serbë janë larguar nga Serbia gjatë sundimit të Vuçiqit, e thotë EUROSTAT.

Serbia mblodhi prani të paprecedentë ushtarake pranë kufirit tonë në fund të shtatorit. Ditë më parë testuan dronët iranianë në kufi. Kjo është mesazhi që u japin fqinjëve...”

Ora 17:30
Shefja e UNMIK-ut, Ziadeh: Vazhdoj të theksoj kërkimin e përgjegjësisë për incidentin në Banjskë

1713799856_okb.jpg

Shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, në raportimin e saj gjashtë mujor për Kosovën në OKB , ka folur për agresionin në Banjskë duke kërkuar drejtësi.

“Vazhdoj ta theksoj kërkimin e përgjegjësisë për incidentin në Banjskë që është një incident shumë serioz i sigurisë. Kjo është edhe çështje gjyqësore, por edhe domosdoshmëri politike, në mënyrë që t’u ikim rasteve të tilla që më të mos përsëriten”, ka thënë Ziadeh.

Ziadeh ka thënë se zgjidhja e probleme që po ndodhin në Kosovë është formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Thirrjet për themelimin e Asociacionit duhet të merren parasysh me këtë do të tejkalohen elementet e sigurisë për komunitetin serb që përfshin edhe çështjet e administrimit lokal. Implementimi i plotë i marrëveshjeve të dala nga dialogu është një prioritet i madh për t’iu ikur krizave që na kanë dalë, me rëndësi është që të dyja plaët të jenë të angazhuara”, ka thënë Ziadeh.

 

SI.E./B.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Një nga ne/ 'Ndenja 16 vite vetëm', prek i moshuari: Ndjeva një boshllëk, më mirë në azil me shokë

Një nga ne/ 'Ndenja 16 vite vetëm', prek i moshuari: Ndjeva një boshllëk, më mirë në azil me shokë