Një nga tragjeditë më të fuqishme të teatrit botëror rikthehet në skenën shqiptare. “Otello” i William Shakespeare vjen në Teatrin Kombëtar me regji të Qëndrim Rijanit, në një version modern dhe bashkëkohor që sjell në qendër xhelozinë, manipulimin dhe ndjesinë e të qenit i huaj në shoqëri. Në skenë ngjiten aktorë të njohur si Arben Derhemi, Lulzim Zeqja, Linda Jarani, Donald Shehu, Viktor Zhusti e shumë të tjerë.

“Është një teatër i kohës. Një teatër që ndodh sonte në Tiranë, por në të njëjtën kohë ndodh edhe në Berlin, në Vjenë apo në Varshavë.”, tha regjisori Qëndrim Rijani.

Përkthimi i Fan Nolit ruan konfliktin e madh të Shekspirit, ku Otello, një gjeneral i nderuar, shkatërrohet nga intrigat e Jagos dhe dyshimi ndaj Desdemonës. Por kësaj here, regjisori e zhvendos historinë në një realitet urban e modern. Shfaqja nis me motorë, muzikë, palestër dhe ritëm qyteti, për të udhëtuar më pas drejt botës së errët të tragjedisë.

“Shfaqja fillon në kohën e sotme, me një kakofoni urbane. Dhe sa më shumë futemi drejt kanonizimit dhe patriarkalizmit, aq më shumë udhëtojmë në kohë drejt Shekspirit.”, vijoi Rijani.

Në këtë version, përplasja fetare dhe identitare e personazheve bëhet më e dukshme. Otello paraqitet si një i huaj që lufton për një shoqëri që nuk e pranon plotësisht. Aktori Arben Derhemi thotë se drama e Otellos mbetet aktuale edhe sot.

“Otello është njeriu që nuk u kuptua kurrë nga bota. Gjithkush prej nesh, në momente të caktuara, e ndjen veten të huaj në një vend për të cilin ka dhënë gjithçka.”, tha aktori Arben Derhemi, i cili vjen në rolin e Otellos.

Ndërsa Jago, personazhi që nxit tragjedinë, vjen si një figurë e errët dhe manipuluese, e ndërtuar me elementë psikopatie.

“I kemi dhënë Jagos një lloj psikopatie, sepse gjithë drama nis vetëm pse nuk u bë zëvendës gjeneral dhe më pas rrëshqet në tragjedi.”, tha aktori Lulzim Zeqja.

Përmes një skenografie metalike, korridoreve të ngushta dhe dheut në skenë, shfaqja ndërton atmosferën e izolimit dhe rrënimit moral të personazheve. “Otello” do të shfaqet në Teatrin Kombëtar më 14, 15, 16 dhe 17 maj.