Në buxhetin e këtij viti ishin parashikuar 626 milionë lekë të reja (4.5 milionë euro, sipas kursit aktual), për shpenzime kapitale në buxhetin e institucionit të Kuvendit të Shëipërisë. Ndryshe nga kjo shifër, për vitin 2013, qeveria planifikon fonde në masën vetëm 68 milionë lekë (diçka më shumë se 485 mijë euro).
Projekti kishte të bënte me ngritjen e një strukture gjigande në truallin që aktualisht zihet nga "Piramida", ish-muzeu i Enver Hoxhës. Edhe për prishjen e saj do të duhej një kosto e caktuar, e cila duhej të mbulohej nga fondi i investimeve. Ndërkohë, shuma e duhur për ndërtimin e strukturës së re, që, sipas negociatorit Sherefedin Shehu, të ngarkuar për bisedimet me qeveritarë të Arabisë Saudite, duhej të ishte diku rreth 100 milionë euro e që duhej të jepej falas, nuk është siguruar as këtë vit dhe vështirë se do të sigurohet vitin e ardhshëm.
Në mars të këtiij viti, është miratuar nga Komisioni i posaçëm shtetëror projekti fitues për godinën e parlamentit të ri shqiptar. Komitetit dha dritën jeshile për projektin e studios austriake "COOP HIMM-ELB(L)AU", të përzgjedhur më parë nga juria ndërkombëtare, për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar. I pranishëm në mbledhje, kryeministri Sali Berisha ka thënë se kostot varionin nga 49 deri në 100 milionë euro. "Vështirësia e përzgjedhjes ishteë shumë e madhe, por një vlerësues ndërkombëtar nga më prestigjiozët bëri një renditje në mënyrë të paanshme, objektive e të pandikuar", ka theksuar më tej Berisha, duke pranuar faktikisht varjantin më të shtrenjtë.
Kjo, duke patur parasysh se përparësitë e qeverisë shqiptare aktualisht janë krejtësisht të ndryshme nga objektiva të tilla.
Megjithatë, në buxhetin e vitit të ardhshëm, gjithsesi, parashikohen më shumë para për deputetët. Fondi kalon nga 808 milionë në 830 milionë lekë të reja, të parashikuara për shpenzime operative, ku përfshihen pagat, dietat e shërbime të tjera. Rritja është në masën afro 3 për qind në krahasim me fondin e këtij viti.
Të përndjekurit
Në buxhetin e vitit të ardhshëm duket se është pasqyruar presioni i ushtruar ndaj qeverisë prej grevistëve ish-të përndjekur: nga 1.7 miliardë lekë këtë vit, në vitin 2013 janë parashikuar 3 miliardë lekë.
10-mujori Janar-tetor, performanca më e dobët e Financave
Rezultatet e shpallura zyrtarisht ditën e djeshme nga ministria e Financave lidhur me realizimin e zërave buxhetorë për 10-mujorin paraqesin ndoshta performancën më të dobët të këtij dikasteri në vite. Gati të gjitha zërat e të ardhurave janë me shenjë negative, ndërkohë që investimet ulen e qeveria vijon të rritë shpenzimet operative e të mirëmbajtjes.
Në total, të ardhurat buxhetore janë 6.4 për qind më të ulta nga parashikimi, ku 23.5 për qind më pak janë të hyra nga tatimi mbi fitimin, 34.3 për qind më pak janë taksat vendore, 11.5 për qind më të ulta të ardhurat nga akciza dhe 6.4 për qind më pak ato nga të ardhurat personale të të punësuarve.
Taksat doganore kanë sjellë në arkën e shtetit 9.1 për qind më pak fonde se ato të parashikuarat për periudhën në fjalë, ndërkohë që edhe të ardhurat që janë mbledhur nga pagesat e legalizimeve, në favor të pronarëve të tokave të zëna, janë 12.6 për qind më të ulta.
Totali i shpenzimeve ka, gjithashtu, një ulje prej 3.1 përqindësh, por këtu zëri i pagave është 1.3 për qind më i lartë se ai i parashikuar, ndërkohë që shpenzimet operative e ato të mirëmbajtjes janë 11.6 për qind më të larta, ndryshe nga investimet, që kanë shënuar një ulje në masën 12.2 përqindësh. Ndërkohë, pagesa e papunësisë është rritur me 2.9 për qind dhe ajo për ndihmën ekonomike është tejkaluar 6.2%.
Deficiti buxhetor është 54.4 për qind më i lartë se parashikimi, ku rritja e huamarrjes brenda vendit shënohet me shifrën +578.5 për qind.
Shkrimi u botua sot në gazetën e SHQIPTARJA.com
(eç/shqiptarja.com)