Për 100-vjetorin e
Principatës së Vidit

Për 100-vjetorin e<br />Principatës së Vidit
TIRANE- “Vidi nuk është mbreti i shqiptarëve... Principata e Vidit nuk është as eveniment as festë. Është folklor, ekzotikë.”. Historiani Arben Puto shfaq një lloj revolte ndaj fryrjes artificiale që sipas tij Qendra e Studimeve Albanologjike kërkon ti bëjë 6 muajve sundim të princ Vidit në Shqipëri. Një konferencë organizohet me rastin e 100-vjetorit të principatës së Vidit nga QSA, ndërsa në media ky përvjetor ka një jehonë të gjerë, deri atje sa po tentohet që kjo ngjarje të vihet në të njëjtin plan në mos më shumë me 28 nëntorin e 1912.

Nisur nga kjo temë, zhvillojmë këtë intervistë me historianin Arben Puto, duke analizuar këtë ngjarje, vendin që i takon principatës së Vidit në historinë shqiptare, se si qëndrojnë përballë 29 korriku i 1913 (ardhja e vidit në shqipëri) dhe 28 nëntorit 1912, shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë dhe krijimi i Qeverisë së Vlorës), cili qe pozicioni i Principatës brenda vendit dhe a e kreu detyrën për të cilën u krijua, pse e kundërshtonin Ismail Qemalin Fuqitë e Mëdha dhe si e ka gjykuar ky i fundit Vidin dhe Principatën e tij...
 
Principata e Vidit është përkujtuar gjerësisht në 100-vjetorin e saj, bëhet e ditur se organizohet një konferencë që nga Qendra e Studimeve Albanologjike. Cili është opinioni juaj për Principatën?
Në fakt, ka gjetur një jehonë të gjerë në media. Qendra e Studimeve Albanologjike organizon një konferencë. Në këtë shkrim unë nuk bëj polemikë. Thjesht paraqes pikëpamjen time për këtë ngjarje sipas trajtimit që i kam bërë në veprën time historike, veçanërisht në librin mbi Pavarësinë e Shqipërisë. Është shfaqur tanimë dhe po gjen terren një orvatje për ta vënë 29 korrikun e 1913-ës, kur Fuqitë e Mëdha krijuan Principatën e Vidit, në një plan, në mos edhe më shumë, me 28 Nëntorin e vitit 1912, kur Kuvendi Kombëtar i Vlorës shpalli Pavarësinë dhe formoi Qeverinë e Përkohshme të kryesuar nga Ismail Qemali. Në thelb, Principata trajtohet si shteti i parë shqiptar i pavarur, si Mbretëria e parë. Këtë kuptim ka vendimi i Qendrës së Studimeve Albanologjike për të organizuar një konferencë shkencore.
 
Cili është vendi i Principatës së Vidit në histori?
Principata e Vidit nuk mund të fshihet nga faqet e historisë shqiptare, sikurse edhe shumë ngjarje të tjera. Por varet se si ajo do të trajtohet në këndvështrimin historik. Principata nuk ka karakter kombëtar, është sjellë nga jashtë. Rrjedhimisht, 100-vjetori i saj është një datë si mjaft të tjera në historinë e Pavarësisë. Ajo nuk mund të trajtohet si një ngjarje e madhe kombëtare. Ideja është ndjerë që vitin e kaluar më 29 korrik, që përkon me datën e vendimit të Fuqive. Kanë dalë në shtyp disa shkrime, që jo vetëm e përkujtojnë atë datë, gjë që është normale, por edhe bëhen vërejtje kritike që 100-vjetori i Principatës nuk pati atë vëmendje që pati 100-vjetori i vendimit të Kuvendit Kombëtar të Vlorës në 28 Nëntorin e 1912-ës.
 
Si qëndrojnë përballë njëra-tjetrës?
Duhen dalluar dy linja të zhvillimit të ngjarjeve, të brendshme dhe të jashtme rreth Pavarësisë së Shqipërisë. Kemi të bëjmë me dy madhësi: 28 Nëntori është vendim i një Kuvendi Kombëtar, ndërsa 29 korriku është vendimi i Fuqive të Mëdha. Kjo çështje është e lidhur me tezën e përhapur gjerësisht në historiografinë e huaj, se edhe Pavarësia e Shqipërisë edhe krijimi i shtetit shqiptar janë produkt i diplomacisë evropiane. Janë dy faktorë në zhvillimin e ngjarjeve: faktori i brendshëm dhe faktori ndërkombëtar.

Qeveria e Vlorës është faktor aktiv. Gjatë 14 muajve të qëndrimit të saj në fuqi (nëntor 1912 – janar 1914), edhe pse në një sipërfaqe të kufizuar, në një territor prej jo më shumë se 4 000 mijë metra katrorë (trekëndëshi Vlorë-Lushnjë-Berat), ajo zhvilloi një veprimtari të qëndrueshme, në radhë të parë brenda vendit, për ngritjen e hallkave të ndryshme të pushtetit. Pikërisht ky trekëndësh ka qenë baza e bërthamës së qeverisë për ngritjen e shtetit të ri. Në programin e saj parashikonte edhe krijimin e forcave të armatosura dhe të rendit publik. Në shtator 1913 parashikohej hapja e shkollave shqipe. Këto përpjekje të qeverisë raportoheshin rregullisht nga konsujt e Fuqive në Vlorë. Të gjitha Fuqitë kishin dërguar konsuj në Vlorë, pranë Qeverisë së I. Qemalit për të ndjekur aktivitetin e saj.

Qeveria pati adoptuar një akt shumë domethënës “Kanunin e përtashëm të administratës civile në Shqipëri”. Kanuni përcaktonte disa rregulla të përgjithshme mbi kompetencat e organeve të administratës. Shkurt, Qeveria e përkohshme ishte pushtet. Ismail Qemali në kujtime thotë: “Në një vend me kufi ende të papërcaktuar, kur statusi politik i premtuar nga Evropa pritej të realizohej dhe kur vazhdonte një propagandë e tërbuar për të ngjallur trazira, Qeveria ime ja doli mbanë t’i sjellë stabilitet shtetit dhe t’i sigurojë një administratë normale”.

Si i shihte Evropa këto përpjekje?
Qeveria e Vlorës zhvilloi një aktivitet intensiv edhe në fushën e marrëdhënieve të jashtme me qëllimin kryesor për t’iu kundërvënë politikës së Fuqive për copëtimin e trevave kombëtare dhe për t’u njohur prej tyre. Me këtë veprimtari, Qeveria e Vlorës tërhiqte vëmendjen e Austro-Hungarisë, e cila prirej ta shikonte si bërthamë të organizimit të shtetit të ri. Pra, organizimi i shtetit iu lihej forcave vendase, në rastin konkret, Qeverisë së Vlorës.

Vjena ka qenë për zbatimin e parimit kombëtar në organizimin e shtetit. Duhet theksuar se kjo ka qenë një nga pikat kryesore të programit të Lëvizjes Kombëtare, të cilën e ka shprehur qartë Sami Frashëri në veprën e tij “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet?”. “Në u bëftë dot Shqipëria më vehte, - shkruante Samiu, - nuk do të kemi nevojë për princër, as të krishterë, as muhamedanë, që të na pinë gjaknë”.
Nga ana tjetër, ishte Koncerti Evropian, aeropagu i Fuqive të Mëdha që merrte vendime për të ruajtur harmoninë midis tyre duke shkelur interesat e të tjerëve. Në këtë mënyrë, mbledhja e gjashtë Fuqive të Mëdha e kundërshtoi Vjenën.
 
Pse e kundërshtonin I. Qemalin Fuqitë?
Sepse I. Qemali nuk ishte gati t’u përulej planeve të tyre për organizimin e shtetit prej vetë Fuqive. Qeverinë e Vlorës e quanin instrument të Austro-Hungarisë për të realizuar pozitat dominuese në Shqipëri, prandaj nuk e njohën. Secila prej tyre donte pjesën e vet në shtetin e ri. Shqipëria do të ndahej në “sfera influence” të Fuqive. Kjo është arsyeja që ata hedhin poshtë parimin kombëtar, janë për parimin ndërkombëtar; domethënë që ta organizojnë vetë.

Pra, Pavarësia dhe Qeveria e Vlorës janë produkt i Lëvizjes Kombëtare, në të kundërt Principata është produkt i diplomacisë evropiane. Lidhur me këtë, ia vlen të citohet një shkrim i gazetës “Përlindja e Shqipniës”, pikërisht pas vendimit të 29 korrikut, në fund të gushtit. “Nuk mohohet roli i përkrahjes nga jashtë, ndihma që na dhanë sidomos dy Fuqitë e Adriatikut, por qysh mundemi të harrojmë menjëherë kaq të përgjakura, kaq të vojtura, kaq gjak të derdhun prej shqiptarit për lirinë e vatrës së vet?”.
 
Si e ka gjykuar I. Qemali Vidin dhe Principatën e tij?
Së pari, I. Qemali Vidin e ka quajtur “celebritet i panjohur” që kur u shpall kandidatura e tij. Në “Kujtime” ai shkruan: “Mbretërimi i shkurtër i Vilhelm Vidit, dallohej më shumë për episode groteske, se sa me masa që mund të shërbenin për organizimin e një shteti të ri. Ai nxori në shesh se sa pak kujdes treguan Fuqitë e Mëdha kur zgjodhën këtë sovran, për një vend, e ardhmja e të cilit varej nga një zgjidhje fatlume. Ne shpresonim, - përfundon Ismail Qemali, - se një princ me takt dhe me ment, do të mund të kompensonte humbjet territoriale që pati vendi ynë”.Mendimin e tij I. Qemali e përmbledh me këto pak fjalë: “Mbretërim” i mundimshëm dhe i kotë (Kujtimet).
 
Cili qe pozicioni i Principatës brenda vendit? A e kreu detyrën për të cilën u krijua?
Kjo ka të bëjë me qeverinë që u formua. Ajo që e përcakton pozitën e Principatës është fakti se Esat Toptani bëhet figura e dytë e regjimit të Princit. Kur dha dorëheqjen I. Qemali i kërkuan edhe Esatit të bënte po atë. Por ai vuri kushte, më kryesori i të cilëve ishte që të merrte dy poste kyçe në qeverinë e Princit, atë të ministrit të Brendshëm dhe atë të ministrit të Luftës. Me këto dy poste Esati u bë figura e dytë e regjimit të Princit. Do të fillojë menjëherë të mendojë për veten e tij, dhe u përpoq ta minonte pushtetin e Princit “kaur” duke nxitur fanatizmin islamik sidomos në zonën e Durrësit e të Tiranës. Ky ishte komplot.

U zu në flagrancë bashkë me dy agjentë italianë që komunikonin me kryengritësit me sinjale ndriçuese gjatë natës. Me një fjalë, vendin e Princit donte ta zinte vetë. Koloneli Tomson i xhandarmërisë veproi shpejt, e rrethoi në shtëpinë e tij në Durrës dhe vendosi ta nxirrte përpara gjyqit. Por ndërhyri ministri italian Aliotti që e nxori nga vendi i ndalimit dhe e zbriti në Bari. Më vonë, Esati nga njeriu i lidhur me Italinë, do të kalojë duar më duar në shërbim të kësaj apo asaj Fuqie.
 
A e ka ruajtur fuqinë Protokolli i 29 korrikut qoftë për sa i takon njohjes së Pavarësisë dhe qeverisë?
Në thelb kanë mbetur akte formale. Ato u injoruan edhe kur Fuqitë nënshkruan Traktatin e Fshehtë të vitit 1915 për copëtimin e Shqipërisë edhe gjatë Konferencës së Paqes të vitit 1919 kur Greqia nuk i ndali përpjekjet për të marrë jugun. Është e vërtetë se delegacioni shqiptar në Konferencën e Paqes paraqiti si argument Protokollin e 1913-ës që shpallte Pavarësinë e Shqipërisë dhe njohjen e qeverisë.

Çështja u shtrua konkretisht kur Shqipëria do të pranohej në Lidhjen e Kombeve. Statuti i Lidhjes vinte si kusht pavarësinë dhe njohjen e qeverisë. Pala shqiptare iu referua përsëri Protokollit të 1913-ës. Por Sekretaria e Lidhjes paraqiti një memorandum në të cilin theksohej se “projekti dështoi për shkak të luftës”, kështu që ajo nuk provonte asgjë lidhur me statusin ndërkombëtar të tanishëm të Shqipërisë dhe njohjen e qeverisë. Pavarësia e Shqipërisë u rimëkëmb efektivisht me Kongresin e Lushnjës dhe Luftën e Vlorës më 1920 dhe pikërisht në dhjetor Shqipëria u pranua si shtet sovran dhe me qeveri që kishte marrë njohjen ndërkombëtare nga qeveritë e tjera.
 
Si është trajtuar kjo çështje në literaturën e huaj?
Literatura në gjuhë të huaj ka marrë po ashtu një qëndrim kritik ndaj vendimit të 29 korrikut 1913. Profesori francez i së drejtës ndërkombëtare R. Redslob (Les principes du droit des gens modernes) shkruan: “Kur Fuqitë pretenduan të ngrinin Shqipërinë, si principatë më vete me Princ Vidin në krye, kjo ishte nga ana e tyre, një vepër pa themel. Monarkia e re nuk u krijua veçse në letër dhe në imagjinatën e diplomatëve. Ajo nuk jetoi kurrë për arsyen e thjeshtë se nuk hodhi rrënjë në popull. Shqipëria mundi të bëhej vetë pas luftës së madhe, me forcat e saj me vullnetin e saj kombëtar që është edhe e vetmja mënyrë me të cilën mund të themelohet një shtet i vërtetë”.

Megjithëse ishte shpallur e pavarur, Principata kishte në krye Komisionin Ndërkombëtar  të Kontrollit si pushtet suprem. Kështu ministri Aliotti e nxori Esatin pa pyetur njeri, as Princin. Është e vërtetë se Princit i bënin vizita diplomatë të akredituar, sidomos ai italian Aliotti dhe austro-hungarez Loventhal (edhe bullgar, rumun e ndonjë tjetër). Por këto nuk ishin vizita pune, ishin pritje e përcjellje protokollare. Politika e jashtme ishte inekzistente. Mjafton të përmendet se akti kryesor në politikën e jashtme (nëse mund të quhet kështu), ishte një akt dorëzimi. Ky është Protokolli i Korfuzit i majit 1914 që u nënshkrua nga KNK dhe u ratifikua nga Princi. Me këtë Protokoll njihej autonomia e Shqipërisë së Jugut “Vorio-Epirit” sipas kërkesës greke. Ajo krijonte një shtet brenda shtetit.
 
Si e shihni iniciativën e QSA për 100-vjetorin e Principatës?
Për mendimin tim programi për përkujtimet e QSA ka një karakter të njëanshëm, është tendencioz. Ndërsa organizohet një konferencë për 100-vjetorin e Principatës nuk bëhet fjalë për asnjë aktivitet për 70-vjetorin e Çlirimit. Unë do ta mbyllja me dy fjalë: Principata e Vidit nuk është as eveniment as festë. Është folklor, ekzotikë. Nga kjo pikëpamje paraqesin interes botimet me albume fotografike, që ilustrojnë principatën.

Në radhë të parë duhet vlerësuar libri i Artan Lames “Vidi Princi i shqiptarëve”. Është një botim i përsosur, është një vepër arti, nuk është histori stricto sensu. Hyrja është një trajtim i ngjarjes në vija të përgjithshme. Pa burime arkivore e bibliografike. Është kompilim. Këto botime plotësojnë kuadrin me materialin fotografik. Ky libër duhet të jetë në çdo bibliotekë, por është kryesisht album bibliografik që na lejon të përjetojmë ato ngjarje si 100 vjet më parë. Gjithsesi, albumet fotografike nuk mund ta lartësojnë figurën e Vidit deri në Panteonin e Kombit. Vidi nuk është princi i shqiptarëve.
 
Iluzionet e Vidit
Kuadri nuk do të ishte i plotë pa iluzionet që pati vetë Vidi. Ai u largua pas shpërthimit të luftës në Evropë, në shtator 1914. Por shpresonte se do të kthehej prapa në bazë të Protokollit të 1913-ës. Ai lëshoi një deklaratë me të cilën siguronte se edhe nga larg do të përpiqej vetëm për progresin e Shqipërisë. Ai nuk abdikoi, nuk donte të hiqte dorë nga froni, “i ruante të drejtat e tij si Princ i Shqipërisë”. Gjatë kohës së luftës u fut në radhët e ushtrisë gjermane me emrin “Konti i Krujës”. Kur A. Zogu u kthye në pushtet, e shpalli veten president, Vidi reagoi dhe tha se Shqipëria nuk është Republikë, por Monarki. Kur Zogu u bë mbret në shtator 1928, ai i shkruante autorit anglez J. Sëire se ai nuk hiqte dorë nga froni. “Do t’i qëndroj Protokollit të Fuqive të Mëdha”.

Shkrimi u publikua sot (11.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Festat e nëntorit/ Shqiptarë e të huaj mbushin hotelet! Tirana, Vlora e Korça më të preferuarat

Festat e nëntorit/ Shqiptarë e të huaj mbushin hotelet! Tirana, Vlora e Korça më të preferuarat