Për brezin që jetoi “me zë të lartë”

Për brezin që jetoi “me zë të lartë”
Në sytë dhe mendjen shqiptare sot, distanca e 20 viteve që na ndan nga dhjetori i vitit 1990 është thelluar shumë, duke marrë trajtat e një vlerë muzeale. Ata që në dhjetor 1990 erdhën në jetë për herë të parë, sot janë votues në zgjedhje dhe janë në moshën e diplomimit universitar. Ata që në dhjetor 1990 ishin në qytetin “Studenti” në kërkim të një iluzioni rinor, sot janë prindër në moshën që duhet tu lexojnë fëmijëve përralla ose të kujdesen për shkollimin e tyre. Ata që në dhjetor
90 iu bashkuan studentëve me zemër ose fizikisht, sot janë në shumicë duke numëruar muajt apo vitet e mbetura deri në pension. Ata që ishin në anën e kundërt, në sallonet e pushtetit dhe zyrat e organeve të dhunës janë larg debateve të ditës, në pension ose të ndarë nga kjo botë. 20 vjet më pas nuk jeton më as studenti
që simbolizoi lëvizjen studentore, as lideri politik i regjimit që studentët rrëzuan. Kanë ndryshuar brezat, kanë ndryshuar njerëzit, ka ndryshuar koha dhe ritmi i jetës qytetare, dhe bashkë me to ka ndryshuar edhe sjellja e shoqërisë ndaj ngjarjeve të dhjetorit 1990. Disa i mbrojnë me nostalgji ato ditë, disa ndjenjë zhgënjim për rrjedhën e gjërave, disa e etiketojnë brezin e studentëve dhe të tjerë e ironizojnë ata dhe kujtimet e tyre, duke i krahasuar me sistemin grotest 50 vjeçar të kujtimeve partizane. Si çdo gjë e mirë në këtë vend edhe imazhi i dhjetorit u përball me vështirësitë e mëdha të tranzicionit, të cilat, gabimisht, i bëjnë njerëzit
shpesh viktima të konformizmit dhe gjykimeve emocionale që lidhen me statutin e tyre aktual social apo pritshmërinë e tyre të paplotësuar si duhet nga sistemi demokratik.
Dhjetori 90 nuk është mit, vetëm mitet nuk gjykohen. Kemi të bëjmë me një ngjarje politike të veçantë, dhe si ndaj çdo ngjarje tjetër historike cilido është i lirë të gjykojë dhe të sillet siç ai e mendon, e drejtë kjo e fituar pikërisht ato ditë të dhjetorit 90. Deri ato ditë ishte e pamundur të mendohej ndryshe, qytetarët nuk duhej të mendonin, partia mendonte për ata dhe vetë qytetarët duhej të ishin korrekt në zbatimin e çdo porosie politike të partisë-shtet. Sistemi komunist ishte një sistem brutal frike e dhune, i pashembullt në urrejtjen e tij ndaj ndjenjave dhe mendimeve të lira njerëzore, fyes dhe dhunues ndaj gjithçkaje të re, fortesë e hekurt ndaj gjithçka me burim perëndimor, - dhe kështu, mbahej në këmbë si një burg i madh qytetarësh të lindur, rritur dhe destinuar të jenë qytetarë të brezave të humbur. 20 vjet më parë ishim të rinj, shumë të rinj, ishim kandidatë potencialë për të qenë pjesë të brezit të humbur të radhës, pa shanse e hapësira ndryshimi, pa mundësi komunikimi ndryshe, të rrezuar nga një varfëri e skajshme, dhunë verbale dhe lodhje e pamasë nga vështirësitë e jetës. Me këto të dhëna shumica e atyre që patën fatin të ishin në dhjetor 90 në qytetin “Studenti” ishin kontigjent, siç i quan Hygoi, të luftonin për vdekje në duel me fatin e tyre. A ishin disidentë politikë? A ishin misionarë politikë? A ishin lajmëtarë politikë? A ishin çlirimtarë apo mjeti që sjell çlirimin? A patën një besim politik, një projekt politik, një vizion politik apo ishin pjesa e rebelosur e një shoqërie të lodhur nga izolimi e varfëria, propaganda dhe krimet? Shumëkush ndan mendime të ndryshme mbi këto pyetje. Unë e kam një mendim dhe më shumë se kaq, e kam një bindje të thellë të cilën jam i gatshëm ta mbroj. Dhjetori 90 ishte një revolucion studentor, plot idealizëm, plot virtyte, plot shpresë, plot energji, plot kurajo e guxim. Pa të nuk do të ishim sot duke kujtuar dy dekada pluralizëm. Pa të nuk mund të pranoj imponimin fiktiv të asnjë date tjetër se kur ky burg stalinist do të rrëzohej. A mund të kishim dhjetor 90 nëse aty nuk do të ishte ky brez por një brez tjetër? A mund të kishin studentë “të tjerë” të njëjtin bilanc si brezi ynë i atij dhjetori? Nuk mund të them “jo”, sic nuk mund të pranoj gjithashtu që këtij brezi ti imponohet ndjenja e “fajit” për shansin jetësor që i erdhi dhe që ata e përmbushën me më të mirën e mundshme të tyre. Në një vend e shoqëri vlerash “faje” të tilla janë merita dhe, për rrjedhojë, në ngjarje unike janë ato janë merita unike, të cilat nuk cënohen as nuk mund të vihen në dyshim nga asnjë zhvillim dytësor që mund të lidhet me sjelljet politike individuale apo vetzgjedhjen e drejtë apo të gabuar të statutit individual gjatë dy dekadave të tranzicionit. Bindja ime mbart në vetvete reflektimin mbi përjetimet gjatë 20 viteve, por edhe mbart gjykimin personal mbi atë se çfarë kam parë, dëgjuar, shikuar e përjetuar ato ditë historike midis moshatarëve të mi studentë, shumica të panjohur atë kohë. Banorët e qytetit “Studenti” vinin nga rrethet, nuk i përkisnin pinjollëve dhe as familjeve fqinje të bllokut; shumë prej atyre që ishin aktivë vinin me të drejta studimi në degë të imponuara (dorës së dytë), mbartnin me vete sakfrifica e shpresa të mëdha të familjeve të tyre. Ai brez ishte ndryshe, kishte kurajo, kishte një shtytje të madhe të brendshme për të rrezikuar, ishte mosbesues e refuzues ndaj gjithçkaje që prodhohej nga politika zyrtare, dhe kështu, përfaqësonte një shoqëri e një Shqipëri të zemëruar, të gatshme për shpërthim.
Nuk kanë rëndësi primare detajet teknike sesi lëvizja nisi, sesi protestat për dritën çuan në lëvizje politike, sesi dikush erdhi, dikush iku, dikush erdhi për të mos ikur apo sesi u zhvilluan dialogjet politike të 2-3 ditëve. Rëndësi ka që nenët e para të dhjetorit 90, aty në errësirë e në dritë, në dritare e në rrugë, pa drojë dhe frikë, 20-24 vjeçarët studentë kapërcyen ylberin duke brohoritur emra dhe parulla për të cilat gjatë 46 viteve mëse dy breza janë dënuar me burgim deri në pushkatim. Ka një thënie japoneze sipas të cilës “vizioni pa veprimin mbetet një fantazi dhe se veprimi pa vizion është një mankth”. Brezi i atij dhjetori dallon nga brezat e tjerë sepse e pati vizionin, pati aftësinë për të vepruar dhe pati kështu të gjithë elementët që lëvizja të mos mbetej as fantazi dhe as mankth. Thirrjet për Bush apo Fishtën, thirrjet për demokracinë e Shqipërinë si Europa, krahasimi i diktatroti Hoxha me Hitlerin, vargjet nacionaliste për bashkim “ja vdekje ja liri” dhe detaje të tjera që morën qytetarinë e simboleve të dhjetorit 90, ishin tërësisht të pastra, tërësisht politike, tërësisht kurajoze dhe antikomuniste. Peticioni i parë kishte 90% kërkesa politike, diskutimet dhe fjalimet e kujdo student ishin gjithashtu politike, arsyeja pse ndodheshim aty ishte politike dhe produkti, natyrisht që ka të bëjë vetëm me politikën. Një politikë minimale, por me vlerë maksimale për momentin kur ndodhi, formën sesi u imponua, shpresën, entuziazmin dhe ringjalljën e madhe që shkaktoi në gjithë shoqërinë.
Natyrisht kur flitet për zhvillime të tilla historike ekziston rreziku gjithnjë i perseritjes dhe pergjithësimit. Përsëritjes po mundohem t‘i largohem duke iu larguar detajeve dhe ditarit të hollësishëm të cilin e kam botuar në një libër dhe është ribotuar disa dhjetra herë në media të shkruara e në faqe të ndryshme interneti. Me siguri kujtimet e kolegëve të tjerë mund të sjellin më shumë risi në dhënien e detajeve personale. Sa herë më pyesin për detajet e mia personale, unë u them të njëjtën përgjigje. Po, isha aty, pata fatin të isha aty. Isha ndofta më i riu në moshë, i prirur me ndërgjegje të isha pjesë aktive dhe kjo më ndihmoi të isha dëshmitar në çdo ngjarje të atyre ditëve, dhe si një student letersie, pata fatin të mbaja ditar të hollësishëm të gjithë atyre ditëve. Prej 13 vitesh nuk është më ditar i im, është bërë publik në formën e librit, si pjesë e detyrimit tim moral ndaj gjithë kolegëve dhe brezit studentor të dhjetorit 90.
Përgjithësimi i ngjarjeve është i pashmangshëm përderisa kemi të bëjmë me ngjarje politike, me gjykime sa subjektive (si ish pjesëmarrës) sa objektive (si studiues i politikës). Gjithësesi dua të evidentoj disa elementë me rëndësi: nuk ka argument që mund të vëjë në diskutim vlerën politike dhe kombëtare të lëvizjes së dhjetorit. Ajo përbënte një akt të lartë politik (rënia e diktaturës, pluralizëm politik, Shqipëria si Europa), një akt të madh kombëtar (rikthimi në Europë, rikthimi i lirisë, rikthimi i vlerave të mohuara kombëtare, rikthimi i çështjes së Kosovës) dhe një akt elitar (lëvizja e parë në historinë shqiptare e nisur dhe e kryer nga një qëndër universitare e akademike).
Çdo përpjekje për ta cilësuar lëvizjen si diçka e improvizuar është gjithashtu fyese në sensin qytetar, spekulluese në aspektin politik, fallsifikim në aspektin historik. Nëse regjimi do improvizonte nuk ishin studentët të besurit e tij; vetë studentët nuk kërkuan kompromis politik por iu imponuan regjimit; dhuna e përdorur nuk ishte formale, ishte reagim kërcënues zyrtar; u promovuan teza e kërkesa që regjimi i ndalonte me kushtetutë, madje pak ditë më parë pasuesi i diktatorit i cilësoi „armiqësore“ për Shqipërinë. Çdo element formal dhe informal që krijon lidhje ose keqkuptime në raportet midis regjimit në ikje dhe levizjes studentore nuk lidhet me studentët, por me aktorët e tjerë civil e politikë që erdhën në qytetin „Studenti“ kur u bë e qartë se rruga e studentëve ishte pa kthim, se Shqipëria e kishte fituar pluralizmin politik. Mbi studentët u provuan të gjitha (dhuna me 8 dhe 9 dhjetor), kërcënimi ushtarak (me 9-10 dhjetor), arrestimet (8-9 dhjetor), përçarja e kundërvënia me qytetarët (ditëve të dhjetorit e sidomos në shkurt 1991), kërcënimet familjare (gjatë gjithë ditëve), presionet mediatike (në median zyrtare) për të vijuar muaj më pas edhe në „demokraci“ deri në mbylljen për herë të parë në histori të Universitetit të Tiranës. Teza se regjimi toleroi e kurseu dhunën është e stisur; ajo u përdor natën ndaj të rinjëve të pambrojtur, u përdor në mesin e Tiranës dhe në mesin e ditës me 9 dhjetor. Por frika e regjimit, siç vertetohet edhe nga dokumentet arkivore të Byrosë Politike, përballë alternativës së zhdukjes ose arrestimit të 5 mijë studentëve, ishte frikë reale, pamundësi reale dhe makth real në 1 vjetorin e ekzekutimit të diktatorit Çaushesku.
Natën e 8 dhjetorit kur thirrjet i lanë vendin veprimit konkret nuk pati hezitime, përkundrazi. Miqtë e mi më të mirë, shokët e dhomës dhe të kursit, fqinjët në godinën e arteve, minierave dhe letersisë, kolegët e mekanizës dhe elektrikes, - patën fatin të ishin atë natë pjesë e një grupi gjithnjë e më të madh studentor, i cili siç thotë Emil Zola, kishin ardhur në këtë botë për të jetuar me zë të lartë, dhe që vertetë ia doli që brenda tre ditëve t’i imponojë regjimit pranimin e pluralizmit politik dhe ndryshimin e sistemit politik shqiptar. Natyra impulsive e moshës, lidhja e fortë me njëri tjetrin, besimi se vetëm së bashku dhe vetëm atë natë mund ti ndryshonim gjërat bëri që mesnatën e 8-9 dhjetorit të ishim viktimat e fundit të dhunës zyrtare komuniste në Shqipëri. Pas asaj nate ata nuk do të ishin kurrë më të lirë të ushtronin dhunë të organizuar, e nesërmja tentoi ta provojë dhunën, por në fakt të goditurit e vertetë ishin vetë themelet e atij sistemi antihuman. Kjo u provua nga solidariteti i jashtëzakonshëm i kolegëve studentë të qytetit të Tiranës, më pas të qëndrave të tjera studentore dhe njëherësh të qytetarisë së kryeqytetit, - dhe të gjithë së bashku krijuan brenda pak orësh në verilindje të Tiranës një mini-qytet, të çliruar nga PPSH dhe dogmat e saj, të lirë për tu organizuar dhe për të marrë përsipër rënien e perdes së fundit komuniste në Europën Lindore. Rasti ynë nuk do të ishte imun ndaj rrezikut historik të identifikimit të padrejtë të lëvizjeve dhe revolucioneve progresiste me individë të veçantë, gjithësesi në memorien e kultivuar qytetare përgjithësisht ato ngjarje kanë zënë vend si një arritje e brezit të papërsëritshëm studentor të dhjetorit 90. Emrat e ish dhjetoristëve studentë? Këdo që do të përmendja e meriton, por me siguri nuk e meritojnë të mos përmenden të tjerët që mund të harroja sepse atë natë dhe ato ditë nuk ishin 5 dhe as 10, 100 dhe as 500, por disa qindra dhe më pas ndofta mijëra studentë që krijuan levizjen ose iu bashkuan asaj, me shpresën e madhe se kishte ardhur ora e ndryshimit edhe në Shqipëri. Në bibliotekat shqiptare ka botime që listojnë emrat e shumicës së protagonistëve, në dokumentet arkivore (ende të mbyllura me ligj) ka me dhjetra të dhëna të tjera nominale dhe mbi ngjarjet e atyre ditëve, në memoriet personale të ish pjesëmarrësve ka ende mijëra detaje që ende nuk janë thënë as shkruar. Të gjitha së bashku do të mund të krijonin një tabllo të plotë të „inventarit“ njerëzor të dhjetorit 90. Kjo duhet bërë, madje sa më parë. Sepse dhjetori 90 i ngjan një kujtimi në të cilin të gjithë duan të jenë, ata që kanë qenë, ata që kanë dashur të jetë po nuk kanë mundur, ata që kanë qenë aty për ta ndaluar, ata që kanë refuzuar të jenë, ata që nuk kanë qenë dhe as kanë dashur të jenë dhe madje edhe ata që ishin përballë studentëve, pjesë e nomeklaturës së lartë të regjimit. Kjo etje për çertifikatën e dhjetorit e bën këtë ngjarje sa madhështore, aq edhe të keqpërdorur në publik, në shoqëri dhe në përvjetore. Personalisht e çmoj shumë nevojën për të qenë të ndershëm me veten dhe të vertetën. Sot pas 20 vjetësh jam i trishtuar që shumë gjëra nuk shkuan ashtu siç donim e endërronim, se ideja e një Shqipërie utopike mbeti utopizëm, se vetë levizja e dhjetorit është injoruar dhe madje, është psë një lëvizje historike që ndryshoi sistemin politik e shoqëror, mbetet e vetmja ngjarje pa simbole nderimi publik. Njëherësh ndjehem mirë me veten e miqtë e mi të 20 viteve më parë që ato pak simbole ekzistuese në rrugicat e qytetit “Studenti”, në rrugën e Elbasanit, tek Kinoklubi, etj janë pjesë e punës së stafit tim të afërt gjatë vitete 93-95 në FRPD, dhe se jam njëri prej 2-3 autorëve që në mënyrë modeste rreth 13 vjet më parë kam shkruar një liber mbi gjithçka kam përjetuar në ngjarje e emra, për levizjen e dhjetorit 90. Së fundi, lëvizja e dhjetorit mbetet unike. Mund të ketë imitime, por në thelbin dhe integritetin e saj ajo mbetet unike. Kjo, jo vetëm sepse ngjarje të tilla rrallë përsëriten dy herë në jetë, por edhe se një bashkim aq energjik elitar për një çështje aq të madhe, si i tillë nuk mund të përsëritet. Në leximin historik lëvizja e dhjetorit përbën një revolucion demokratik, dhe si çdo herë të ngjashme, edhe në këtë rast koha i dha të drejtë tezës së problemi me revolucionet është se ata që i fillojnë rrallë i përfundojnë ato. Post-dhjetori ’90 u ndesh me dilemën e madhe se cila do të jetë e ardhmja, si do të ndërtohet / jetësohet ajo, sa e gjatë dhe e sigurtë do të jetë rruga për Shqipërinë e të nesërmes, Shqipërinë si e gjithë Europa. Dikush mendon se dilema është zgjidhur pozitivisht, disa ndjehen të zhgënjyer, të tjerë e quajnë një revolucion të pambaruar, - por me siguri, asnjë ish student i atyre ditëve nuk ka dilemën më të vogël në ndërgjegjen e bindjen e tij, se, nëse koha kthehej pas, nëse sot do të ishte dhjetori 90, të gjithë do të ishin edhe njëherë aty, madje më të vendosur, më të qartë, më pak utopistë e më shumë realist për tu ndarë nga gjithçka brutale dhe negative që mbarti e përfaqësoi sistemit komunist në Shqipëri. Kjo është arsyeja që sot pas 20 vitesh dhe çdo vit që kalon, „dhjetori“ na bën të ndjehemi krenar për faktin që ishim aty jo vetëm fizikisht; që nuk iu shmangëm përgjegjësisë dhe fatit, por i përdorëm ato duke guxuar së bashku të vendosim një tullë sado modeste në ndërtimin e ardhmërisë së një Shqipërie tjetër, siç dëgjohej në ballkone e shesh, „një Shqipëri si e gjithë Europa“.
* Ish student në vitin e parë, Fakulteti Histori Filologji, godina 23, qyteti “Studenti”. Nënshkrues në listën themeluese në PD në dhjetor 90 dhe pjesëmarrës në grevën e urisë së studentëve në shkurt 1991. Është autor i librit „Fundi i Siberisë shqiptare: lëvizja e dhjetorit 90 dhe e shkurtit 1991“, botim i vitit 1998.
(Shkrimi u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

Një letër për studentin e gazetarisë në kohën e marrëzisë

Një letër për studentin e gazetarisë në kohën e marrëzisë