Për mungesën e lirisë dhe 
​mungesën e pushtetit

Për mungesën e lirisë dhe <br />​mungesën e pushtetit
Ata që merren me proceset zgjedhjore në botë, institute studimore e politologë, kanë përcaktuar kalimin e zgjedhjeve në tre stade zhvillimi: entuziazëm, tension dhe reagim. Vrehet se këtij rregulli partitë opozitare shqiptare po i vijnë nga fundi për të dalë në krye, pra, në fillim reagim për të kaluar te tensioni. Reagimi u shfaq përmes protestës që filloi më 18 shkurt e po vazhdon deri në momentin kur të krijohet klima për precedentin, me gjasa ndonjë veprim i pamatur i policisë së shtetit. Parashikojnë dhe deklarojnë hapur se entuziazmi do vijë i fundit, bashkë me pushtetin në tavolinë, të cilit i kanë zgjedhur dhe emrin, “Qeveri teknike”. Të protestosh e të kërkosh për një shoqëri ku nuk ekziston lirija, është detyrë e çdokujt për t’u ngritur jo vetëm përmes protestash por duke shfrytëzuar dhe çdo mjet që i shërben rrëzimit të një diktature shtypëse të lirisë dhe paqes. Për lirinë politike arritja e qëllimeve justifikon çdo mjet. Të protestosh se nuk je në pushtet, se e ke humbur atë përmes votimeve demokratike dhe ndjen se pa të pozitat e tua janë në rrezik, përbën një shpërdorim të të drejtës demokratike të protestës.
 
Kur mungon liria
Kriza që po rreken të nxisin nuk është politike. Ky është vetëm qendrimi i krerëve të opozitës. Lindi fillimisht si kërkesë teknike për zgjedhje elektronike, me qëllim që më pas, të bindur se kërkush s’do ishte në gjendje të organizonte zgjedhje të tilla për tre-katër muaj, ta shndëronin në kriz:e politike. I ke gjithë të drejtat “e Zotit” të protestosh kur të mungon lirija dhe paqja, për shkak të pengesave kushtetuese e ligjore. Nëse del në protestë se mendon që zgjedhjet tek ne nuk kanë qenë demokratike, nuk ke gjetur argumentin e përshtatshëm sepse ligjin për zgjedhjet i keni bërë sëbashku, kur ke qenë në pushtet. Afërmendsh që zgjedhjet tona nuk mund të jenë të përsosura, por lirija e votimit, pavarësisht ndonjë dukurie negative që vrehet si rrjedhë e infrastrukturës, terrenit e patrialkalizmit, ka qenë e pëlqyeshme, përfundim ky edhe i përfaqësuësve ndërkombëtarë, OSBE-së dhe shoqërisë civile. Mungesa e plotë e besimit ndaj njëri-tjetrit në procesin e votimit ka sjellë pasojën që numërimi të bëhet i bashkërenduar dhe i përqendruar, me mundësi teknike e vizive të kontrollit të palëve. Lirija dhe qetësia në procesin e votimeve pararendëse ka qenë e plotë dhe e prekshme. Ajo për çka Partia Socialiste u ngrit në protestë ishte jo për lirinë në zgjedhje por për procesin paszgjedhor e që lidhej me veprimin e komisionervëve. Mbështetur jo vetëm në dyshime, atëbotën e 2010-ës u kërkua që të hapeshin e rinumroheshin kutitë e votimit dhe riadministrimin e materialeve zgjedhore, ku dyshohej se ishin manipuluar rezultatet në proces-verbal. Kërkesa mbështetej mbi precedentin e vitit 2005, kur Partia Socialiste kish rënë dakort për rikontrollin e materialeve zgjedhore të disa kutive. Në 2010-tën, kohë kur në pushtet ishte Partia Demokratike, kutitë, pavarësisht protestës së stërzgjatur, jo vetëm nuk u hapën por u dogjën shpejt e shpejt, si për t’i treguar Edi Ramës se protesta e greva e urisë kish rënë në vesh të shurdhër. Nuk është e sigurtë nëse atë kohë Edi kish dieni mbi thënjen e të ndjerit Namik Hoti për kalorësin e hypur mbi kalë!
 
Kur të mungon pushteti
Vuajtjet që ka pësuar Shqipëria jonë, ngase të përkëdhelurve nga pushteti në një moment, përcaktuar nga zgjedhjet, ai u ka ikur, kanë qenë dukuri shoqëruese e jetës politike e shoqërore. Kjo ngase pushteti i popullit ka qenë dhe vazhdon të mbetet një utopi, pavarësisht gjepurave të krerëve të PD-së se këtë radhë pushtetin e do që t’ja japi popullit. Mësuar me sundimin, kastat politike në pushtet i kanë parë zgjedhjet si çështje të rrethanave të tyre personale. Për atë janë gati që vendin ku jetojnë dhe kanë vënë pasurinë ta rendisin në listën e vendeve të pasigurta, t’ja cënojnë paqen sociale. Këtu e gjen shpjegimin kërkesa e Bashës drejtuar tubuesve në protestë, shoqëruar në sfond gjatë fjalimit me kolanën muzikore luftarake të filmit “Skënderbeu”, “...a jeni gati për të luftuar së bashku”. Është një rebelim që s'ka lidhje me lirinë e as të drejtat kushtetuese, por vetëm me synimin për të marrë pushtetin qoftë edhe përmes dhunës, gjë që ska gjasa të ndodhë sa kohë jemi pjesë e aspiratave europiane. Dështimi do ketë fytyrën e Berishës, Bashës, Mediut, Palokës, Ristanit, Spahos e gjithkujt tjetër të lidershipit opozitar, që përdorin si argument në paditurinë e tyre, skenarin rumun. Askush nuk mund të marrë pushtet pa votat e shumicës. Se kush e ka shumicën, këtë e tregojnë vetëm kutitë e votimit?
 
Kultura e protestës dhe ajo e çadrave
Në lirinë e munguar, sapo diktatura ra, protesta përfshiu çdo kënd, madje dhe ata pa të cilët pushteti totalitar nuk mund të mbante pushtetin politik. U përhap si epidemi, përfshiu partitë, sindikatat, institucione, klube sportive, familje, fshatra, shoqata kulturore e shoqëri letrare. Nga protesta në rrugë te kalimi në grevën e urisë nuk u deshën më shumë se dy muaj nga koha kur u shpall pluralizmi. Kjo e fundit u përhap kaq shumë sa, në kushtet e mungesës së informimit të vjeshtës së vitit 1991, kohë kur nuk kishte as shtyp, dikush nga “qendra” gjeti të futur prej javësh në grevë urie një grup banorësh në një fshat të Elbasanit. Të mjerët, vetëm pasi ky u tha se askush s’kishte dieni për grevën e kërkesat e tyre, të sfilitur morën rrugën drejt banesave. Protestat përmes grevave të urisë ende janë të gjalla dhe në modë tek ne. Një e tillë është duke u zhvilluar aktualisht në fshatin që Bankersi i bëri ç’deshi, mbi e nën dhè e një tjetër po konfigurohet në bulevardin Dëshmorët e Kombit. Gjithësesi, ato ndikuan mjaftueshëm për t’i vënë kufizime fuqisë qeverisëse.
 Protestat në Shqipëri, si kjo e tanishmja, nuk e kanë nismën nga poshtë, prej të cilave vërtet duhet të druhesh e t’i vësh gishtin kokës. Nxitja e tyre kërkohet dhe organizohet nga lart e duket se kjo po i ndodh edhe protestës “më të madhe”. Ajo në thelb është pjesë e lojës politike, ku luhet me idenë e disfatës të kundërshtarit dhe fitores tënde. Kultura e protestuesve në çadra tek ne ka lidhje kryesisht me pushtetin. Çadrat e vendosura nga Partia Socialiste në bulevardin para kryeministrisë patën argumentin se “zgjedhjet janë vjedhur” ndërsa këto që sapo vendosi Partia Demokratike do shërbejnë për protestën se “zgjedhjet do vidhen”. Zgjedhja e mjetit çadër bën pjesë në strategjinë e madhe për marrjen e pushtetit përmes ndryshimit.
 
Demokracia thelbësore dhe demokracia formale
Fjalori armiqësor e zhargoni fyes që opozita e krerët e saj përdorën në fjalime, kapërxente tërë caqet e një marrëdhenjeje të dy partive të mëdha të një vendi. Në një demokraci thelbësore, cilatdo qofshin mendimet për tjetrin, kushdo qoftë në pushtet, nuk ndodh që të humbasë respekti për kundërshtarin, nuk e zhveshin veten nga dinjiteti, duke përdorur fjalor rruge. Ndodh kjo, siç ndodhi, se këta as e kanë idenë se si funksionon demokracia. Kjo skotë politikanësh mendon se demokraci është legjislacioni demokratik e cila më së shumti mund të përfaqësojë vetëm demokracinë formale, madje dhe kjo vetëm kur njihet. I ashtuquajturi revolucin demokratik që i ndodhi Shqipërisë në fillim të viteve ’90-të, kjo demokraci që i solli ekzistonte brenda një supozimi formal, pa brendinë e thelbit shoqëror. Nëse kandidati për kryeministër i thotë kryeministrit palaço, bandit, kriminel, drogmen, hajdut, s’bën gjë tjetër përpos se dobëson shtetin dhe demokracia nuk është në krizë politike por është krizë e një qytetërimi në kalbëzim, i një qytetërimi të mangët që sjell rreziqe. Është provuar se aventurierëve politikë populli ua gjen shpejt vendin. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?