Pa u shuar ende shija e festës së Flamurit dhe Pavarësisë politika shqiptare u kthye në identitet.Perifrazimet për reflektime dhe një sjellje të re në shekullin e ri shtetëror nuk patën vlerë përpara axhendës afatshkurtër të partive politike. Shefi i mazhorancës ishte i pari që përdori kartat e nacionalizmit duke provokuar me paramendim incidente diplomatike me dy vende fqinje, Greqinë e Maqedoninë. Frazat e tij për bashkim të trojeve shqiptare dhe shtrirje në kufijtë etnikë të 100 viteve më parë nuk ishin as emocionale dhe as të rastësishme.

Ato ishin të shkruara, të mirëmenduara dhe të adresuara në drejtim të kundërt nga Athina, Shkupi, apo Podgorica. Kryeministri ka nevojë për vota dhe sondazhet për një rritje të vëmendjes së elektoratit ndaj partive të reja politike, politikave dhe ndjenjave kombëtare, e shtyjnë atë të shfaqet ashtu siç nuk ka qenë, nuk është e nuk mund të jetë: politikan nacionalist dhe përfaqësues i rrymës kombëtare në politikë.

Për një politikan që ka drejtuar vendin 13 nga 22 vitet e tranzicionit, që hyri në politikë në një parti me program bashkimin me Kosovën, por si shtetar, bëri gjithçka kundër këtij angazhimi, çështja kombëtare ka qënë, është e mbetet vetëm një instrument me përdorim periodik elektoral. I njëjti politikan sa ishte në pushtet në kushtet e embargos ndërkombëtare ishte partner biznesi me regjimin e Beogradit, i njëjti që akuzonte UÇK për terrorizëm ndërkombëtar dhe arrestonte A.Jasharin, që kërkonte shkarkimin e Rugovës dhe bashkimin e Kosovës me protestat e opozitës serbe, që lidhte traktat miqësie me palën greke pa përfshirë çështjen çame, që njihte shtetin maqedon të Gligorov pa kërkuar të drejta për shqiptarët atje, që denonconte lëvizjet e shqiptarëve në Tetovë apo Ulqin si akte terroriste, dhe që sulmonte ashpër Presidentin më 2004 kur ngriti çështjen came në takim me homologun grek, sot, ashtu si përherë në karrierën e tij, vesh kostumin e shpëtimtarit të kombit dhe ia lejon vetes të prezantohet në median e kontrolluar prej tij si mesia e bashkimit.

Në fakt ai është i sinqertë kur u përgjigjet grekëve se janë keqkuptuar, pasi në politikë ka qenë, është e mbetet kryeministri që u ka dhënë më shumë se kushdo tjetër hapësirë kërkesave greke. Firma e tij zyrtare lejoi varrezat greke në Shqipëri, ndryshimin e kufirit detar në favor të Greqisë, siç edhe përshëndetjet e mbështetjet greke kanë qenë të vazhdueshme në çdo kuvend kombëtar, miting të madh elektoral dhe fushatë zgjedhore. Nëse vërtetë kryeministri do të kishte një ndjesi minimale për kombin dhe interesat madhore të tij nuk do të kishte lejuar që Shqipëria të kishte prej vitesh për kryeministër – hije, një trafikant serbo-boshnjak që shet e blen pronat publike, energjitike, turistike, mediatike dhe strategjike në favor të partnerëve të tij të njohur për rolin aktiv në krimet e luftës në ish Jugosllavi. Një politikan që thotë se do kombin e tij nuk do të sillej me qytetarët, liritë, pronat dhe institucionet e tyre si me plaçkën e luftës, duke i trajtuar ata si numra formalë, turma pa zë, prona pa zot, dhe institucionet e shtetin si pronë private; nuk do t’i ndante ata në votues e kundërshtarë, duke mbajtur në këmbë një sistem konfliktual personal me çdo politikan të majtë e të djathtë, me çdo president e shtetar tjetër jashtë oborrit të tij.


Lëvizja e dytë politike ishte ajo e LSI, një parti tashmë pa identitet politik që kur ajo u krijua si forcë e të majtës historike dhe u shndërrua në aleatin kryesor të Partisë Demokratike. Në spektrin politik LSI noton pa drejtim, në dilemë midis të majtës e të djathtës, me shumë pushtet financiar dhe ekzekutiv por pa ndonjë parim udhëheqës politik. Fshehja pas integrimit rezultoi dështim, përderisa në tri vitet e qeverisjes së saj me Berishën statuti kandidat në BE u refuzua, dhe në kushtet e paplotësuara zë vend lufta kundër korrupsionit të lartë, ku zyrtarët e kësaj partie kanë merita të dukshme. Në kalkulime për kalim majtas më 2013, ose mbledhje të votave të komunistëve fanatikë siç ndodhi më 2011 në llogari të Berishës, LSI hodhi dje tezën e rivlerësimit të Enver Hoxhës, diktatorit simbol dhe famkeq të Shqipërisë. Nëse kjo deklaratë do ishte bërë nga PS, deputetët dhe analistë zhurmues të PD-së do të kishin mbushur ekranet televizive dhe median e shkruar me sulme të ashpra kundër “bllokmenëve” dhe “enveristëve”, por kur kjo deklaratë vjen nga LSI, parti që mban në pushtet PD me votat e Klanit të Zemunit, - atëherë ajo dhe ata nuk mund të bëjë asgjë, vetëm të heshtin dhe të mesohen me Enverin. Vetë LSI ka një histori bashkëpunimi me Partinë Komuniste, më 2011, por produkti më i madh i këtij bashkëpunimi ishte mandati i kryetarit të bashkisë së Tiranës. Efekti i votave komuniste mund të ketë peshë në ndonjë zonë të veçuar të Shqipërisë, dhe nuk është çudi që këto zona të jenë edhe territore ku LSI pretendon të marrë vota për mbijetesën politike më 2013.
Në dy rastet, si PD me nacionalizmin e vonuar e spekullativ, ashtu si LSI me enverizmin e vonë dhe spekullativ, kemi të bëjmë me kalkulime tipike votash për zgjedhjet e vitit 2013. Asnjëra nuk mbron parime, nuk mbron identitet, nuk është konseguente dhe as nuk beson në ato që thotë, - por të dyja janë në kërkim të një varke shpëtimi nga zhgënjimi i dukshëm qytetar tek bashkëqeverisja e tyre si dhe paaftësia e tyre për të ofruar programe e projekte mirëqeverisëse për sot dhe në të ardhmen.

Shprehja se politikanët bëjnë gjithçka për vota, i dedikohet vendeve pa kulturë demokratike, dhe merr kuptim në kontekstin aktual shqiptar. Ajo e bën jetën politike shqiptare në vitin e parë të shekullit të ri po aq të pamoralshme, pa integritet, të papërgjegjshme sa ç’ishte në sistemin oligarkik dhe antivlerë të tranzicionit, kur Shqipëria ishte e mbeti vendi i vetëm në bllokun ish komunist jashtë BE-së, e fundit në progres shtetëror e demokratik, e fundit në standardin ekonomik dhe funksional. Ky është një tregues tjetër se masiviteti popullor në respekt të flamurit dhe pavarësisë është në kontrast të thellë me sjelljet politike, të cilat na kujtojnë se ashtu si një shekull më parë, edhe sot, janë e mbeten kërcënimi kryesor për qytetarët dhe shtetin.

(ad.ti/shqiptarja.com)