Kur një vit më parë u mblodhëm në një sallë para fillimit të Panairit të Diversitetit për të drejtat e komunitetit LGBT, gjërat ishin ndryshe. Atë çka është arritur gjatë këtij viti ndoshta pak nga ne do ta kishin imagjinuar. Por, siç e quajnë francezët këtë proces “amnesi de l’áprentisage”, sot duket gati gati normale të mblidhemi, të festojmë, të debatojmë së bashku me këtë komunitet; gjëra që një vit më parë s’i besonte kush.

Sot, një vit më pas mund të ndihemi optimist, por ende kërkues kur flitet mbi arritjet kundër homofobisë, transfobisë dhe çdo lloj forme tjetër të intolerancës dhe diskriminimit për shkak të orientimit seksual ose identitetit gjinor. Falë punës bashkëpunuese me Ministrinë e Drejtësisë dhe me organizatat e shoqërisë civile, mundëm të prezantonim në legjislacionin shqiptar për herë të parë, përkatësisht në Kodin Penal, konceptin e krimeve për shkak të urrejtjes.

Ndryshimi i parë shumë i rëndësishëm ka të bëjë me përfshirjen si rrethanë rënduese të një krimi, edhe motivimin për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor. Ndryshimi i dytë, që duhet thënë se është një revolucion i vërtetë dhe historik në Shqipëri, ka të bëjë me përfshirjen në Kodin Penal të konceptit të krimeve ndaj LGBT përmes teknologjisë së informacionit.

Kemi rekomanduar ndryshime edhe në Kodin e Punës për të përfshirë si shkaqe për diskriminim në marrëdhënien e punës edhe orientimin seksual dhe identitetin gjinor. Sic media e ka vënë në dukje këto kohë Avokati i Popullit ka propozuar përfshirjen në kurrikula dhe programe mësimore të njohurive dhe informacioneve për komunitetin LGBT, me qëllim arsimimin në një mjedis të sigurt, pa dhunë, fyerje, përjashtim social apo trajtim ç’njerëzor lidhur me orientimin seksual ose me identitetin gjinor, si dhe trajnim të stafit akademik për moslejimin e këtyre formave të diskriminimit.

Por situata për komunitetin LGBT në vendin tonë nuk është ende ajo e duhura. Kam takuar dhe parë gjatë kësaj kohe njerëz që jetojnë me frikën se mos zbulohen nga familja dhe shoqëria e tyre, dhe kur kjo ka ndodhur kanë pësuar pasoja të rënda, të papëlqyeshme. Në mënyrë të veçantë transgjinorët janë viktimat më të “preferuara”, duke qenë jo rrallë herë viktima të dhunës dhe të mohomit të ndihmës mjekësore.

Jo rrallë, debatet që kanë shoqëruar ndryshimet e këtij viti kanë qenë jo të shëndetshme. Diskutime të caktuara, me karakter të pastër homofobik, kanë penguar zhvillimin e debateve në mënyrë qytetare. Kjo për faktin se paragjykimet janë ende shumë të forta, për arsye nga më të ndryshme, sidomos për shkak të së kaluarës. Pikërisht, kjo tregon se sa e nevojshme është që të ndërhyhet në fushën e edukimit dhe të sensibilizimit të shoqërisë në mënyrë sistematike, dhe kjo në mënyrë të veçantë duhet të realizohet nga drejtuesit politikë në vend.

Në fakt problemi i vërtetë sot nuk është orientimi seksual apo identiteti gjinor i njerëzve, por është reaksioni përjashtues dhe agresiv i të tjerëve ndaj tyre, kjo për fat të keq, jo rrallë bazuar dhe në këndvështrime fetare apo ndonjëherë edhe politike. Përveç kësaj, pak ose shumë pak përgjegjës politik kanë mundur të jenë të guximshëm dhe të përfshihen në debat; vlerësim kryeministrit të vëndit për qëndrimin e tij, por ka gjithashtu politikanë të cilët me qëndrime të tyre homofobe dhe intolerante kanë inkurajuar legjitimimin e diskriminimit.

Gjatë punës së Avokatit të Popullit këtë vit, jo rrallë herë, jemi akuzuar se po kërkojmë tepër. Kjo përpjekje e institucionit që unë drejtoj shpesh mund të jenë keqkuptuar nga një pjesë e qytetarëve. Por të gjithë e kuptojmë sot rëndësinë e edukimit të të rinjve në një mjedis ku jo vetëm intoleranca, racizmi dhe diskriminimi i çdo lloji janë shoqërisht dhe moralisht të papranueshme, por ku bashkëjetesa mes të ndryshmëve konsiderohet si një vlerë e shtuar e shoqërisë për një zhvillim më të qëndrueshëm të saj.

Të drejtat e personave LGBT janë pjesë e pandashme e tërësisë së të drejtave të njeriut. Nuk duhet të ketë pengesa ligjore për personat e komunitetit LGBT në realizimin e të gjitha drejtave, të cilat gëzohen nga pjesa tjetër e qytetareve shqiptare. Nuk ka dyshim se shoqëria jonë do të jetë më e shëndetshme kur të gjithë anëtarët e saj pavarësisht përkatësisë së tyre të kenë mundësinë të gëzojnë të drejta të plota dhe të kontribuojnë e realizojnë potencialet e tyre.

*AVOKAT I POPULLIT

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 18.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)