“Në vitin 2015 numri total i masave administrative, “gjobë”, të aplikuara nga Inspektorati i Lartë, ka qenë 550. Të dhënat statistikore tregojnë se institucioni i ILDKPKI ka tejkaluar me 35% (për qind) numrin e përgjithshëm të masave administrative të aplikuara gjatë vitit paraardhës. Vlen të theksohet se Gjykata Administrative, me përjashtim të 3-4 rasteve, ka konfirmuar duke lenë në fuqi të gjitha vendimet e masave administrative, “gjobë” të vendosura nga ILDKPKI”-thuhet në raportin e ILDKP-së. Edhe në këtë kontekst, shprehet shqetësimi i mos bashkëpunimit nga ana e prokurorisë.
“Në një kohë kur nga të gjithë kërkohet njëzëri rritja dhe forcimi i rolit të ILDKPKI, nëpërmjet dhjetëfishimit të gjobave ndaj zyrtarëve, rritjes së numrit të zyrtarëve të lartë të kallëzuar penalisht, konfiskimit të çdo qindarke të pajustifikuar me burime të ligjshme, veprimet e prokurorisë janë një goditje e rëndë ndaj këtyre pritshmërive. Çështjet e ILDKPKI janë të bazuara plotësisht dhe vetëm në prova shkresore e dokumente zyrtare, sepse nuk mund të ndodh ndryshe, e tillë është procedura e punës së saj, e bazuar vetëm në ligj.
Vendimet e pushimit të çështjeve penale nga organi i akuzës, pa argumente ligjore, janë këmbanë alarmi për ILDKPKI, por të tilla duhet të jenë edhe për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sepse tregon qartë sesi po vlerësohen çështjet e fshehjes së pasurive dhe deklarimit të rremë të zyrtarëve të lartë nga prokurorët, dhe se si do të jetë ecuria e kallëzimeve penale të ILDKPKI në vijimësi”- thuhet në raportin e dorëzuar në Kuvend.
Redaksia Online
(A.N/Shqiptarja.com)
