Për njerëzit dhe rrugën

Për njerëzit dhe rrugën
Në fund të vitit 2005, ende pa u ngulur në pushtet, Sali Berisha urdhëroi Lulzim Bashën që të shkatërronte nën mbi-kalimin te Zogu i Zi. Motivi? Bashkia e Tiranës betonizonte hyrje-daljet për te rruga e Durrësit. Pa projekt dhe pa faturë, mbi 1 milionë euro u hodhën në erë, mbi 5 milionë të
tjerë u groposën për të ndërtuar rrethrrotullimin dhe shatërvanin e shëmtuar që do të pagëzohej më vonë sheshi “Rilindja”. E gjitha kjo në emër të ambientit dhe të njerëzve që duan gjelbërimin. Mëse një vit më parë, një pjesë e rëndësishme e Kopshtit Botanik dhe e pjesës perëndimore të digës së Liqenit Artificial u shqyen për t’i hapur rrugë betonit, gjashtë korsive të Unazës së Madhe, duke mbivendosur edhe një monstër tjetër betoni dhe zifti në zemër të mushkërisë që kryeqytetit. Në emër të rrugës së makinave dhe pa asnjë faturë dhe projekt u shndërrua destinacioni i sheshit “Skënderbej” nga shesh qendror i rivitalizuar dhe në shërbim të qytetarëve, në një kartodrom qesharak, me shumë korsi makinash që gulçojnë në qendër të Tiranës. Prej dy javësh një plan i ngjashëm shpyllëzimi dhe betonizimi po kryhet ditën për diell, edhe ky pa plan dhe pa projekt në anën lindore të parkut të Tiranës. Me dëm edhe më të madh. Po kafshohet një pjesë tjetër e parkut, gjithçka me arrogancë, duke marrë përpara pemë dhjetra vjeçare, monumente historike dhe kulturore të trashëguara dhe të ruajtura me fanatizëm edhe në kohët më të trishta të pas viteve ’90.
Gjithçka në funksion të rrugës, sipas qeverisë, pra për njerëzit. Ajo që kemi patur deri më sot ka qenë një rrugë e mirë. Edhe pa trafik edhe në harmoni me natyrën dhe trashëgiminë tonë historike dhe monumentale. Si për ironi të fatit, ka qenë qeveria ajo që nuk ka menduar fare për njerëzit. Me pak shkujdesje, në segmentin e Saukut të ri, makina mund të të dalë edhe sot nga korsia e ribërë nga Ministria e Transporteve, sepse atje nuk ka prej vitesh asnjë barrierë mbrojtëse, minimalja që duhej bërë pas rehabilitimit të rrugës.
Ajo çka është bërë deri më sot dhe do të bëhet në ditët e ardhshme nuk ka të bëjë fare me qytetarët, njerëz që shpërfillen, por me një grusht njerëzish, me të cilët në një pjesë përtej Saukut lidhet biznesi, luksi dhe makutëria. Janë ata njerëz në pushtet, që kanë ndërtuar atje parajsat e tyre rezidenciale, që kanë përqëndruar atje bizneset për të zhvatur qytetarët dhe që në funskion të këtij zinxhiri monetar, janë gati të kafshojnë gjithçka që kanë përpara, pa pyetur për trashëgiminë apo ambientin.
Është shumë e rëndë për opozitën, që sot të vetmit zëra kundër betonizimit të Tiranës, janë po ai grusht abientalistësh, që bënin me forcë oponencën ndaj betonizimit të Tiranës nga ish-kryetari i bashkisë Edi Rama. Dhe duhej të ishte e kundërta, që në krye të kësaj beteje qytetare për të mbrojtur Tiranën duhej të ishte opozita e gjitha, dhe jo vetëm dy-tre këshilltarë që mbarojnë punë me daljen në konferencën për shtyp. Sepse Tirana duhet dhe është për njerëzit, dhe jo vetëm për ca njerëz që kanë të drejtë për të bërë çfarë duan.
(Marre nga Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Financial Times: Sulm me 'Storm Shadow' në Kursk, u vranë disa ushtarë koreanoveriorë

Financial Times: Sulm me 'Storm Shadow' në Kursk, u vranë disa ushtarë koreanoveriorë