KORCE - Ka përfunduar pas gjashtë muajsh rehabilitimi i fushës së mbetjeve urbane në qytetin e Korçës. Një zhvillim i cili besohet se do të mund ti japë zgjidhje të përkohshme problemit për mijëra banorë të qytetit juglindor.

E pozicionuar në periferi të qytetit, gjysma e fushës është mbuluar dhe rreth saj janë hapur kanale kulluese.

Kryebashkiaku i Niko Peleshi thotë se një ndërhyrje e tillë ishte e domosdoshme nisur nga situata e krijuar dhe shqetësimi i banorëve.

“Jemi në fund të kësaj ndërhyrjeje. Është mbuluar pothuajse më shumë se gjysma e fushës së mbetjeve urbane. Sapo të filloj nga funksioni landfilli që do të ndërtohet në fushën e Maliqit, kjo fushë do të mbyllet plotësisht”, u shpreh kryetari i Bashkisë Korçë, Niko Peleshi.

Landfilli i Maliqit përfshin 30 bashki dhe komuna të rajonit të Korçës dhe besohet se do të mund të zgjidhë përfundimisht problemin e menaxhimit të mbetjeve.

(Gre.M/Shqiptarja.com)