Të rritësh buxhetin e vendit me 32 milionë dollarë (ose sa një përqind e shpenzimeve të tua vjetore) për pjesën ngelet të vitit, nuk është asgjë. Por kur ke 5 vjet që vetëm e ul buxhetin, e ndryshon atë me pakësim shpenzimesh në mes të vitit, atëhere ky stopim uljeje, ky “ndërrim faqeje”apo drejtimi për Buxhetin tonë të Shtetit, do të thotë diçka. Një buxhet është i përgjegjshëm kur mendon për qytetarin. Kur nuk përdor miliona e dhjetra miliona euro për ethet e ndërtimeve dhe asfaltit zgjedhor, vetëm për të prerë shirita veprash të reja e për të dhënë shëmbëlltyrën e rreme se vendi yt po ndryshon. Ndryshimi i vërtetë është përmirësimi i jetës së qytetarëve, dhe jo disa rruge të reja më shumë. Sigurisht që çdo rrugë e re është një shenjë zhvillimi, por kur ajo bëhet në zona që nuk justifikojnë me trafikun e automjeteve praninë e saj, shndërrohet në një investim që do të shlyhet pas 20 apo 30 viteve, ose një shpenzim jo mirë i menduar. Ky shpenzim vetëm sa i rëndon Buxhetit të Shtetit për këtë vit apo për pesë vitet e ardhshme. Buxheti ynë publik 2014 nuk ka pretenduar në investime të rëndësishme publike. Dhe të rrimë shtrembër e të flasim drejt, nuk mund të pretendohej mrekullia prej tij. Njëlloj si në një shtëpi të re, por të hipotekuar keq e me borxhe që rrezikojnë t’ia marrin, pronari i ri sheh në rradhë të parë të shlyejë borxhet,e pastaj mobilimin e shtimin e shtëpisë. Këtë bëri qeveria e sotme dhe nuk mund të kritikohet për këtë. Deri tani ka dhënë 180 milionë euro shlyerje të borxheve të Shtetit ndaj kompanive private, ose mbi 6 përqind të gjithë buxhetit të saj vjetor. Në vend të rrugëve, qeverisë i duhej të shpëtonte biznesin që po falimentonte, me fatura e pagesa të pashlyera të qeverisë së mëpashme, edhe katër e pesëvjeçare. Këtë ekonomistët në të gjithë planetin e quajnë përgjegjshmëri, dhe jo aventurizëm. Aventurë është të detyrosh bankën qendrore të vendit tënd të të japë 30 milionë euro nga xhepi i saj, pse i ke tejkaluar të gjitha huatë e brendshme dhe s’ke ku të marësh kredi nga jashtë, në mes të krizës botërore. Aventurë është t’i shpenzosh të gjitha paratë në 6-mujorin e parë të vitit dhe ta lësh Arkën e Shtetit pothuajse bosh, sikurse ndodhi në periudhën korrik-shtator 2013. Të rritësh në tre vite të krizës 2011-2013 borxhin publik me gati një të pestën më shumë, duke i mohuar pasojat e krizës mbi vendin tënd dhe duke përgatitur buxhete tejet mase optimiste, që nuk realizoheshin kurrë. Sigurisht që në ekonomi është mirë të tregohesh gjithnjë pak optimist, por kur vendit i duhej një qëndrim realist dhe parashikues për pasojat e reja të rënda mbi ekonominë, ishte papërgjegjshmëri të bëje Ali Komikun, në lidhje me mundësitë e ekonomisë sonë për rritje. Buxheti i sotëm të paktën është me këmbët në tokë dhe nëse realizohet, për herë të parë në 7 vitet e fundit, do ta ulë borxhin publik të vendit, duke i dhënë një sinjal shumë pozitiv edhe tregjeve të huaja, për aftësitë hua-shlyese të Shqipërisë. Ndoshta në vitin 2015 mund të marrim përsëri borxh të arësyeshëm nga jashtë, nëpërmjet daljes së dytë me eurobondin shqiptar. Ekonomia jonë i ka fuqitë e veta private të rritet mirë, por duhet ndihmuar pikërisht aty ku ajo ka nevojë, në investimet në bujqësi dhe në turizëm. Paratë për vitin e ardhshëm, pas këtij buxheti të detyruar për të shtrënguar sa mundej rrypin, duhen dhënë më shumë pikërisht për këta sektorë, ku vlera e shtuar është e madhe dhe ne mund të përmirësojmë eksportin dhe mbarë ekonominë. Ëndrrat me superfuqi ballkanike për energjinë e pastër duhen braktisur një herë e mirë, për të menduar për mbështetjen reale që Buxheti i Shtetit duhet t’i japë ekonomisë
dhe qytetarit, e jo politikës së shumicës qeverisëse. Kjo është përgjegjshmëria e një buxheti, dhe jo hosanarat për buxhetin më të madh në historinë e Shqipërisë, apo rritje të fortë ekonomike me ndërtime rrugësh.