TIRANE- Zbardhja e të vërtetës së zhdukjes së biznesmenit Eduart Belegu ka mobilizuar në 2010, Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe Drejtorinë e Përgjithme të Policisë së Shtetit, duke marrë një sërë masash për të siguruar provat, që të çonin tek personi që kishte gisht në zhdukjen e ish-këshilltarit të Dritan Priftit. Në kuadër të verifikimeve të ndryshme, kanë kaluar në skanerin e hetuesve të gjitha konfliktet që ka pasur Belegu. Janë pyetur dhjetëra persona, që mendohej se ksihin dijeni për ngjarjen si dhe janë pyetur persona që kanë pasur konflikte me Eduart Belegun.

Një tjetër hap i rëndësishëm nga ana e prokurorisë dhe policisë, është bërë dhe për sa i përket kryerjes së përgjimeve ambjentale dhe telefonike në shumë vende dhe të shumë personave, por që në fakt nuk është arritur të interceptohet asnjë bisedë telefonike, që do të krijonte dyshime të arsyeshme, lidhur me zhdukjen misterioze të biznesmenit Eduart Belegu. Të gjitha të dhënat operative janë marrë analizuar dhe studjuar me imtësi por edhe pas përpunimit të tyre nuk janë përftuar të dhëna me interes për hetimin. Të gjithë numrat e personave të dyshuar dhe që janë pyetur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda e Policia, janë vënë në përgjim, por kjo procedurë hetimore nuk ka sjellë asnjë rezultat. Nisur në këto kushte dhe për mungesë të provave material Prokuroria e Krimeve të Rënda ka vendosur të pezullojë hetimin për zhdukjen e Eduart Belegun dhe se të gjithë materialin hetimor ja ka kaluar Drejtorisë Kundër Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit.

Ky vendim është marrë shtatë muaj pas zhdukjes misterioze të Eduart Belegut. Çështja gjatë këtyre viteve është rihapur disa herë, por që në fakt sërisht dosja është mbyllur duke mos arritur të sigurohen të dhëna të vlefshme për rastin në fjalë. Zhdukja e Belegut, fillimisht është denoncuar në komisariatin nr.1 dhe më pas dosja i ka kaluar për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Pak ditë më parë, gjykata e Tiranës vendosi të shpallë zyrtarisht të zhdukur biznesmenin e njohur Eduart Belegu.
 
Shkrimi u publikua sot (06.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)