Përgjysmohet interesi për depozitat bankare

Përfitimi mesatar për paratë e lëna mënjanë 12 muaj ka rënë në 2.3 përqind. Gjatë katër muajve të parë të këtij viti, interesi mesatar i depozitave 12-mujore në lekë është përgjysmuar në 2,3%, nga 5,2% që ishte interesi mesatar në katër muajt e parë të vitit të kaluar.

Edhe interesi mesatar i kredive në lekë ka rënë, por në përmasa shumë më të kufizuara. Interesi mesatar i kredive, për të gjitha maturitetet këtë vit ishte 8,9%, nga 10,9% që kishte qenë vitin e kaluar. Rrjedhimisht, marzhet e bankave janë rritur.

Marzhi mesatar i ndërmjetësimit të sistemit bankar në monedhën vendase për katër muajt e pare të 2014 ishte 6.5%, nga 5.7% që kishte qënë për të njëjtën periudhë një vit më parë. Kjo tregon qartë se stimuli monetar po favorizon më shumë bankat, sesa publikun. Ndërkohë, të dhënat e muajit prill treguan tjetër rënie të kreditimit të biznesit, me dy miliardë lekë që nga fundi i marsit.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, financimi për sipërmarrjet zbriti në 389.5 miliardë lekë, në rënie me 2.7% krahasuar me prillin 2013. Për shumicën e sektorëve ekonomikë kreditimi është tkurrur, duke filluar nga më të rëndësishmit si tregtia apo ndërtimi. Tregtia vazhdon të jetë sektori më i kredituar i ekonomisë, me 35% të totalit, por huaja për këtë sektor ka rënë 3.3% me bazë vjetore.

Vazhdon rënia e kredisë edhe në sektorin e ndërtimit, me afro 11% kundrejt prillit të vitit të kaluar. Shifra disi më positive po shfaqin sektorët prodhues të ekonomisë, çka tregon rritje të vëmendjes së sektorit bankar drejt tyre. Vetëm industria përpunuese, dega më e rëndësishme prodhuese në kreditim, ka arritur një rritje të
lehtë të huasë me 1.4% ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë. Kredia është rritur me ritme më të larta për industrinë nxjerrëse dhe për bujqësinë.

Shkrimi u botua në numrin e sotëm të gazetës "Shqiptarja.com", versioni print

Redaksia Online
(xh.k/shqiptarja.com)
 
 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Marrëveshja Hamas-Izrael, ekip i përbashkët Katar-Egjipt-SHBA për monitorimin e armëpushimit

Marrëveshja Hamas-Izrael, ekip i përbashkët Katar-Egjipt-SHBA për monitorimin e armëpushimit