Peshëngritësi Hysen Pulaku është dënuar nga Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes me 4 vite përjashtim nga të gjithë aktivitet ndërkombëtare për shkak se rezultoi pozitiv në analizat e zhvilluara në Londër, përpara fillimit të Lojërave Olimpike. Analizat u kryer ditën e parë kur delegacioni shqiptar i peshëngritjes ka udhëtuar drejt Londrës nga Agjencia Ndërkombëtare Anti-doping, në bashkëpunim me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Pulaku në testin A rezultoi pozitiv, por nuk pranoi rezultatin duke kërkuar testin B, por rezultoi përsëri pozitiv në përdorimin e Anabolic Steroid Stanazolol, i ndaluar nga WADA.

Ky fakt solli edhe përjashtimin nga të gjitha aktivitetet ndërkombëtare për 4 vite. Por e gjithë historia nuk mbyllet me kaq, sepse Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes ka dënuar edhe Federatën Shqiptare të Peshëngritjes me 5 mijë dollarë. Gjoba mund të konsiderohet e ulët duke përkëdhelur FSHP, pasi rregullorja e FNP për cdo federatë antare që rezulton me tre sportistë me doping brenda një viti përcakton një dënim nga 50 – 100 mijë dollarë gjobë.

(d.b/shqiptarja.com)