Jonida.D është një studente nga Durrësi, ajo thotë se ka qenë personi që ka prezantuar për herë të parë në një takim në Durrës, Massimiliano Nicolinin dhe Asllan Patriotin në mesin e muajit korrik. Duke qenë se ishte anëtare e shoqatës së drejtuar nga Patrioti dhe duke qenë se ishte në marrëdhënie pune me Nicolinin ajo u mundësoi një takim atyre në korrik, ku palët ranë dakord për të nisur një bashkëpunim mes shoqatës dhe kompanisë së Nicolinit, madje në këtë takim Massimiliano Nicolini ka përmendur gjatë bisedës makinën e tij "Jaguar" për të cilën tha se ja kishin grabitur dhe se dikush i kërkonte 5 mijë euro për t'ia kthyer. Jonida.D thotë se është kontaktuar një ditë përpara arrestimit nga Asllan Patrioti, pasi ky i kërkonte që t'i përkthente një sms që i kishte nisur Nicolini. Në këtë sms Nicolini i thoshte Asllan Patriotit se e kishte gjetur makinën dhe i kërkonte ndjesë se nuk kishte mundur ta takonte për një kohë të gjatë. Nëpërmjet përkthyeses Jonida.D ata kanë fiksuar një takim të nesërmen, pra ditën e arrestimit të Asllanit dhe janë takuar në "Vila Gold" rreth mesditës në Tiranë. Duke qenë se Jonida.D ishte në Durrës atë ditë, ajo ka përkthyer bisedat mes tyre nëpërmjet telefonit dhe ka rrëfyer për Shqiptarja.com disa detaje të rëndësishme të këtij komunikimi. Jonidën e gjetëm te kangjellat e gjykatës së Tiranës duke pritur Rifat Aliun, avokatin e Asllan Patriotit. Ajo kishte shpresuar që dëshminë e saj do e jepte dje përpara gjykatës, por një kërkesë e tillë është refuzuar nga gjyqtarja e çështjes. Në dëshminë e saj për "Shqiptarja.com" Jonida.D jep një detaj të rëndësishëm, sipas saj Massimiliano Nicolini ka kontaktuar me insistimin e tij Asllan Patriotin vetëm dy ditë përpara arrestimit. Madje nëse i referohesh dëshmisë së Jonida.D Nicolini në mënyrë të qartë dhe të përsëritur ka insistuar që Asllan Patrioti t'i jepte një shifër që Nicolini t'ia paguante.

Përse ke ardhur me Skënder Tufën këtu te gjykata?
S'kam ardh me Skënderin unë, kam ardhur me avokatin e Asllanit për të dëshmuar, se jam përkthyesja që kam përkthyer italisht për Asllanin kur takonte Massimilianon.

Ju jeni punonjëse e kompanisë së Massimilianos?

Po. Kam pasur marrëdhënie pune me Massimilianon deri pak kohë më parë, ishte një kompani sigurimesh që paguaje diçka dhe kompania ofronte disa shërbime për klientin. Kjo është puna pak a shumë. E në kohën që isha në marrëdhënie pune me Massimilianon, u ula në një kafe me Adrianën dhe Asllanin, sepse unë jam dhe anëtare e shoqatës së Asllanit.

Më fal, kush është Adriana?
Është sekretarja e shoqatës së Asllanit. Në muhabet në kafe me Adrianën dhe Asllanin, më urojnë për punën e re dhe duke folur u tregoj se çfarë pune ishte, për shërbime mjekësore etj, ato çfarë ofronte kontrata, duke patur parasysh dhe natyrën e shoqatës së të përndjekurve. E më thonë "po sikur të ofrohemi, ne bëjmë pagesën si klentë dhe ju na jepni shërbimin që keni". Dakord i them por duhet të flas me atë që ka kompaninë. E marr në telefon (Massimilianon) në ato momente e i shpjegoj bisedën që sapo kisha bërë dhe më thotë "dakord më fikso një takim". E lamë takimin pas nja dy ditësh, takohemi në Durrës në kafe, përshëndetemi, prezantohemi.

Në çfarë periudhe bën fjalë ky takim?
Ka qenë mesi i muajit korrik 2012. Takohen, prezantohen, flasin për punën dhe bien shumë dakord për marrëveshje nëpërmjet shoqatës. Në takim, Massimiliano ka thënë se ne bëjmë shumë lloj shërbimesh për të përndjekurit dhe i ka thënë se ne japim më shumë lloje shërbimesh, sesa ato shërbime që përmban kontrata. Atë ditë, pikërisht atë ditë, në atë takim hapet muhabeti që ishte vjedhur makina "Jaguar". Massimiliano po e tregonte duke qeshur dhe Asllani bëhet kurioz dhe pyet se çfarë kishte ndodhur. Më pas, Massimiliano i thotë "shiko se unë ja ku i kam fotot, makina është me satelit, unë e di ku e kam, por që kam bërë denoncim dhe më kanë sorollatur, më kanë thënë ik në Tiranë" dhe e shpjegon shumë mirë si ka ndodhur. Në atë moment Asllani i thotë: "Në bazë të miqësisë që po krijojmë, unë po të ndihmoj për gjetjen e makinës dhe nuk dua asgjë". Sepse Massimiliano kur i tregoi historinë e makinës, i tha që për ta gjetur makinën i kishin kërkuar 5 mijë euro.

Kush ia kishte kërkuar këto lekë?
Ë, nuk tha kush, por la të kuptohej se ia kishin kërkuar personat që kishin makinën, që po mbanin makinën që nuk i dihet se kush mund të ishin. Unë kam bërë thjesht përkthimin mekanik, nuk u futa asnjëherë në detaje as nga ana e Asllanit dhe as nga ana e tij. Pas kësaj marr vesh që Massimiliano ka takuar Asllanin, bisedojnë për makinën, nuk e di se çfarë është bërë, sepse nuk kam qenë prezente ngaqë isha me sezon provimesh dhe në punë, ka qenë një vajzë tjetër që ka bërë përkthimet, vajzë që punonte me Massimilianon. Pas kësaj marr vesh që Massimiliano e kishte marrë makinën dhe se nuk kishte kontaktuar më me Asllanin. Më pas, dy tre ditë para arrestimit, merr Asllani një mesazh
telefonik nga Massimiliano ku ai i kishte shkruar: "Dua që të takohemi, të kërkoj falje që nuk jemi takuar më përpara, kam qenë i zënë". Vjen Asllani më takon më tregon këtë sms që t'ia përktheja dhe pasi ia përktheva më tha që t'i shkruaja Massimilianos në italisht përgjigjen nga Asllani dhe unë i shkrova: "Ok më thuaj si dhe ku të takohemi". Ndërsa ai i kthen përgjigje duke i thënë: "Ok unë aktualisht ndodhem në Tiranë te Vila Gold, por vij ku të duash ti. Unë mendoj nga mesdita", - i thotë me sms Massimiliano. Asllani i thotë po e di ku është, do takohemi nesër në mesditë aty.

Kur ka ndodhur ky këmbim mesazhesh mes tyre?
Kjo ka ndodhur një ditë para se ta arrestonin Asllanin.

Një ditë para se të arrestohej domethënë?
Po një ditë, këto muhabete një ditë para kanë qenë.

Po ti ishe vetë prezente te Vila Gold të nesërmen?
Jo nuk kam qenë. Massimiliano më tha "do doja të ishe dhe ti që të bëje përkthimin, sepse unë nuk kam njeri me vete". Ndërsa herë të tjera ka pas gjithnjë njerëz të tjerë për përkthimin. Nuk është se ma ka kërkuar mua më parë të bëja përkthimin, por kësaj radhe ma kërkoi. Sepse edhe Asllani kishte besim te unë derisa isha dhe pjesë e shoqatës. Tek të tjerët nuk kishte shumë besim sepse më thoshte që më transmetojnë fjalët e gabuara dhe jo të sakta. Unë nuk shkova pasi siç ju thashë isha me provime dhe nuk shkova. Më pas më marrin në telefon nga "Vila Gold" dhe më thonë që "ne jemi këtu po nuk kemi një përkthyes kështu që të lutem".

Ditën e arrestimit të Asllanit ka ndodhur që të morën ty në telefon për ti përkthyer me telefon?

Po ditën e arrestimit të Asllanit, ka qenë rreth orës 12:30 paradite. Siç ju thashë më morën në telefon dhe më thanë që kishin nevojë dhe unë u thashë që nuk kisha mundësi të vija dhe nuk kisha mundësi t'i lajmëroja. Mirë nuk ka problem më thotë Massimiliano, por të lutem thuaj Asllanit: "Mirë që kemi ardhur deri këtu, por të lutem më thuaj çfarë do, ose sa do?". Ok i them ma kalo.

Me telefon u bë e gjitha kjo punë?

Me telefon. Isha në Durrës kur ata janë takuar. Madje ngrihem nga tavolina me telefon në dorë sepse isha me disa njerëz të mi, e pasi i transmetova pyetjen e Massimilianos me telefon, Asllani më thotë duke qeshur përgjigjen e tij: "Sa të duash ti, nuk ka asnjë lloj problemi për nderin që unë të kam bërë". Pastaj Massimiliano më thotë: "Thuaj Asllanit që unë dua të ma thotë se çfarë dhe sa do?" Unë i them Asllanit: "Shiko se ai do që t'ia thuash". Flasin pak kohë mes njëri-tjetrit dhe më thonë "Në rregull do të marrim nëse kemi sërish nevojë dhe mbyllin telefonin". Pastaj më merr prapë Massimiliano e më thotë: "Shiko se unë po i lë diçka për mirëbesim, për kënaqësi por do takohemi prapë pasdite që të vendosim…". Në rregull i them pastaj nuk e kam dëgjuar më. Nuk e kam dëgjuar më dhe pastaj thjesht në darkë kam marrë vesh lajmin që Asllani është arrestuar. Ditën tjetër pastaj mora vesh se ishte bërë një denoncim nga një italian. Kam marrë në telefon Massimilianon dhe i them shiko se kanë arrestuar Asllanin dhe e kanë denoncuar. Ai më thotë: "Unë nuk di çfarë denoncimi është bërë, unë skam bërë gjë".

Të nesërmen e arrestimit Massimiliano të ka thënë ty se nuk kishte bërë asnjë denoncim ndaj Asllanit?
Po po, tekstualisht. Kjo ishte telefonata e fundit dhe unë nuk kam folur më që prej asaj dite me Massimilianon.

Ty të kanë thirrur në prokurori?
Jo.

Po në polici?
Jo, absolutisht. Unë erdha thjesht për këtë rast. Madje e kam shumë problem të më dalë emri në gazeta dhe televizion se nuk kam asnjë lloj lidhje, thjesht kam bërë përkthim, thuaj këtë thuaj atë. Nuk dua fare me media, kam familje, kam shkollë, nuk dua fare të më dalë emri.

Këto gjëra ja ke dhënë avokatit të Asllanit ti?
Me deklaratë të firmosur ja kam dhënë. Prisja të më pyeste dhe gjykatësja sot por nuk më pranuan.

Por nëse je e gatshme të flasësh për gjykatën e t'i thuash në gjyq këto gjëra çfarë problemi ke me median?
Është tjetër gjë një deklaratë në shtet për gjykatës, prokurorë apo policë dhe tjetër gjë kur del emri në media.

Më fal nëse mund të rikthehemi pak tek takimi i korrikut. Kur janë takuar në korrik Asllani çfarë i ka premtuar në lidhje me makinën? I kërkoi diçka në këmbim?

Jo, absolutisht jo. I ka thënë tekstualisht do të ndihmoj unë edhe në rrugë shoqërore. Madje i ka thënë: "Të kanë kërkuar 5 mijë euro, absolutisht, për këtë miqësi që ne po bëjmë dhe meqë ti do ndihmosh shoqatën tonë, unë ty të ndihmoj si shok". Pastaj se çfarë është bërë mbrapa nuk dihet, të paktën prej meje. Përveç kësaj bisede në tavolinë në korrik ka qenë dhe momenti dy ditë para arrestimit dhe telefonata që përktheva me telefon ditën e arrestimit dhe kaq di unë. Se çfarë janë thënë të tjera pastaj unë nuk di të ta shpjegoj.

Shkrimi u botua ne numrin e sotem te se perditsshmes SHQIPTARJA.com

(Gre.M/Shqiptarja.com)