Përveç referateve që i kushtoheshin iluministit shqiptar dhe kulturës ballkanike në përgjithësi, pjesëmarrësit në eveniment asistuan në një koncert me serenada korçare të interpretuara nga grupi vokal “Serenada” i Alar-it. Programin e simpoziumit e hapi drejtori i Muzeut Historik të qytetit, prof. dr. Valeriu Sirbu, i cili përshëndeti prezencën e përfaqësuesve të minoritetit shqiptar në Rumani, të kryesuar nga deputetja e këtij minoriteti në Parlamentin rumun, znj. Oana Manolescu.
Shkrimtari dhe gazetari Marius Dobrescu prezantoi disa momente nga jeta dhe aktiviteti patriotik i Naum Veqilharxhit, i cili militoi me këmbëngulje nëpërmjet teksteve shkollore dhe veprave të tjera të tij, për promovimin dhe përdorimin e një alfabeti të posaçëm të gjuhës shqipe. Në korrespondencën e tij si dhe në Qarkoren e vitit 1846, Veqilharxhi theksonte rolin e kulturës kombëtare për zhvillimin historik të një populli. Naum Veqilharxhi është i pari patriot që iu përvesh punës për hartimin e një programi kombëtar, ku do të kristalizoheshin më vonë idetë e Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 28 qershor 2014
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)