LAC - Shënohen tre viktimat e para nga reshjet e dendura të shiut që përfshinë mbrëmë disa qytete në vend. Në qytetin e Laçit babë e bijë humbën jetën pasi i mori rrjedha e shirave. Ngjarja ndodhi rreth orës 21:30 të së martës, moment kur reshjet e shiut vijonin prej disa orësh në qytetin e Laçit. 

Dorina Kola 26 vjeç ka parë nga banesa se vërshimi i ujit kishte marrë makinën e familjes tip Benz dhe ka njoftuar babain e saj Gjon Kola 60 vjeç, i cili ka dalë për ta lëvizur. Rrjedha e fuqishme ka marrë edhe Gjon Kolën bashkë me makinën. Në këtë situatë 26-vjeçarja ka dalë për të ndihmuar babain e saj, por shirat e rrëmbyeshëm e morën përpara. 

60-vjecari ish drejtor shkolle, vajza e tij mesuese
Forcat e policisë nxorën nga automjeti trupin e pajetë të 60-vjeçarit Gjon Kola, por rrjedha e ujit kishte marrë vajzën e tij Dorina Kola. 26-vjeçarja u gjend mëngjesin e sotëm pas kërkimeve gjatë gjithë natës, në Sanxhak të laçit rreth 2 kilometra nga vendi ku u përmbys automjeti. Kola ishte ish-drejtor i gjimnazit "Shtjefën Gjecovi", ndërsa vajze mësuese në shkollën numër 5 të qytetit të Laçit.
 
Viktima e trete ne Kurbin, shembet ura, rrjedha merr 21-vjeçarin shpeton 15-vjeçari
Ndërsa viktima e tretë si pasojë e përmbytjeve është shënuar në rrethin e Kurbinit. Dy shtetas kanë rënë në rrjedhen e ujërave te shiut pas shembjes së urës në fshatin Gallatë të Kurbinit. Ngjarja ndodhi rreth orës 23:30 në fshatin Gallatë, të Kurbinit ku 15-vjeçari G.Ndreca, banues në Malbardhë, ka qenë duke drejtuar një çiklomotorr ku si pasagjer ka patur 21 vjecarin, Liman Balloku, banues në Vinjollë të Kurbinit. Të dy të rinjtë janë marrë nga rrjedha e ujit nga ku drejtuesi i mjetit ka arritur të dalë i ndihmuar nga banorë të zonës dhe forcat e policisë, ndërsa Liman Balloku, është gjetur i vdekur në orën 00:30 të mëngjesit të sotëm.

Trupi i 21-vjecarit ne morgun e Spitalit te Kurbinit, familjaret s'e marrin dot nga prishja e ures
Ndërkohë trupi i 21-vjeçarit ka mbetur në morgun e spitalit, pasi është e pamundur që familjarët e tij ta tërheqin pas shembjes së urës që edhe i mori jetën të riut.

Situata e permbytjeve ne vend
Pas disa orësh reshje intensive shiu qytete të ndryshme të vendit u përfshinë mbrëmë nga përmbytjet, e veçanërisht veriu i vendit, ndërsa situatë e jashtëzakonshme u paraqit në qytetin e Lezhës e Shkodrës. Por situata gjatë ditës së sotme paraqitet e normalizuar, pas tërheqjes së ujërave, dhe kthimit të energjisë në Nënstacionin e Lezhës duke vënë në punë hidrovorët për thithjen e ujërave. Ndërsa në kryeqytet Lumi i Lanës doli nga shtrati dhe rrugët u bënë të pakalueshme, në qytetin e Lezhës është dashur ndërhyrja e ushtrisë për t'i ardhur në ndihmë të përmbyturve.

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)