FIER - Situata e shkaktuar nga përmbytjet në jug të vendit duket se ka arritur deri në këtë pikë si pasojë e ndërhyrjeve pa kriter që janë bërë në mjedis duke nisur nga ndërtimet pa kriter që kanë bllokuar të gjitha kanalet e kullimit. Megjithatë qeveria shqiptare pas kalimit të situatës së emergjencës do të bëhet gati të kërkojë një fond emergjence nga Bashkimi Evropian.

Ndërtimet pa kriter shkak për bllokimin e kanaleve kulluese

Sipas Ministrit të Bujqësisë Zhvillimit Rural e Menaxhimit të Ujërave, Edmond Panariti leja e dhënë për banesat e bizneset pranë lumenjve ka sjellë përkeqësim të situatës deri në këtë pikë me të cilën po përballemi.

Ministri Edmond Panariti në një lidhje telefonike për A1 Report tha se shkak për situatën kritike të përmbytjeve në jug të vendit janë bërë ndërtimet me leje dhe pa leje që janë dhënë për banesat e bizneset pranë lumenjve. “Ndërtimet pa kriter kanë bërë që të bllokohen kanalet e treta të kullimit, të cilat pavarësisht funksionimit të kanaleve të para dhe të dyta, e vështirësojnë tej mase tërheqjen e ujërave.”- tha Panariti.