VLORË - Kryeministri Rama mbërriti në Novoselë të Vlorës me ministrin e Punëve të Brendshme Sajmir Tahiri, për të parqe nga afër pasojat e përmbytjeve në këtë komunë.

Sipas shefit të mazhorancës në këtë situatë ka ndikuar edhe bllokimi i shumë kanaleve si pasojë e ndërtimeve që janë bërë buzë lumenjve. “Paguajmë edhe çka i kemi bërë vetë mjedisit. Ka shumë punë për të bërë. Problemet do t’i adresojmë”, u shpreh kryeministri Rama.
 
Pas evakuimit të përgjithshëm të banorëve të përmbytur, kryeministri tha se do të bëhet një raport i hollësishëm i dëmeve në toka bujqësore, blegtori, biznese e familje.

“Kemi diskutuar me partnerët për mbështetje”, theksoi kreu i qeverisë.
 
Rama tha se Emergjencat janë përgatitur ende pa filluar përkeqësimi i motit. Ministri i Bujqësisë, tha Rama, është angazhuar që në shtator për funksionim normal të hidorovorëve.
 
“Të gjitha strukturat janë në këmbë, është shmangur çdo dëm, nuk kemi humbje njerëzore”, tha Rama.
 
Në përfundim, Rama iu drejtua me një apel banorëve që t’u përgjigjen strukturave përgjegjëse kur kërkojnë evakuimin e tyre.

RAMA NE NOVOSELE